Wed, Apr 22, 2026

Vllaznia, Balaj para Dinamos: Duam fitoren, kjo skuadër shkon larg

Vllaznia, Balaj para Dinamos: Duam fitoren, kjo skuadër shkon larg
  • PublishedApril 22, 2026

Lojtari i Vllaznisë, Bekim Balaj iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve para ndeshjes ndaj Dinamos në Kupë.

“Jemi në fazën më të rëndësishme, në fund të kampionatit dhe takimin e dytë gjysmëfinal të Kupës. Luajmë me Dinamon, një kundërshtar që kemi rivalizuar gjatë gjithë sezonit. Janë bërë ndeshje të bukura dhe të luftuara. Edhe ndeshja në Tiranë ishte e tillë. Ishte një praqitje shumë e mirë e jona, mund të merrnim më shumë. Kthehemi në Shkodër dhe luhet gjithçka këtu për kualifikimin në finale. Futbolli i ka të gjitha rezultatet brenda.

Shpresoj të mos kemi nevojë të shkojmë në kohë shtesë, apo dhe penallti. Pas Dinamos kemi një ndeshje më të rëndësishme ndoshta. Por le të mendojmë për Dinamon fillimisht, shpresoj se kryhet gjithçka brenda kohës së rregullt.

Të gjithë e mendojmë avantazhin e fushës në “Loro Boriçi”, para tifozëve tanë. Shpresoj shumë të jenë të shumtë në mbështetje të skuadrës, pasi realisht kemi nevojë në këtë moment. Avantazhi i fushës nuk e di sa mund të na shërbejë. E dimë që duhet vetëm fitorja për të shkuar në finale, do të luajmë gjithçka për atë rezultat.

Dihen mungesat. Një nga ato është e Gurishtës, që mori karton të kuq në ndeshjen e fundit. Kastratin e dimë prej ditësh, Bismark nuk e di se sa mund të mungojë. Shpresoj shumë ta kemi në fazën finale pranë skuadrës. Janë lojtarë me peshë, që kanë kontribuuar shumë gjatë sezonit. Të gjithë do të bëjmë akoma më shumë për të zëvendësuar sadopak mungesat.

Qasja e skuadrës gjatë gjithë sezonit nuk ka qenë e njëjta. Fillimi ishte i vrullshëm, gjatë rrugëtimit tonë kemi fituar pak më shumë cinizëm. Ndeshjet e fundit e kemi treguar atë gjë. Kemi fituar ndeshje të rëndësishme, duke shfrytëzuar maksimalisht ato mundësitë që na janë dhënë. E rëndësishme është të mos pësosh.

Mes Elbasanit dhe Egnatias në finale nuk është se do kisha zgjedh njërën apo tjetrën. Pak rëndësi ka kë kemi në finale, por fillimisht duhet të shkojmë në finale.

Dinamo mbetet një skuadër cilësore, po lufton për vendin e katërt në kampionat, por në Kupë është specifikë tjetër. Nuk e di sa e vërtetë është që fituesja e Kupës mund të shkojë edhe në tur të dytë në Europë. Është shtysë akoma më e madhe për ekipet për ta marrë këtë trofe. Do të jetë e luftuar se kush do të shkojë në finale dhe kush do e fitojë.

Do të mundohemi t’i ndajmë, të mos mendojmë shumë për Elbasanin. Por dashje pa ashje të shkon mendja te sfida e pas 3-4 ditëve me Elbasanin. Shpresoj të jemi në gjendje t’i japim zgjidhje të shpejtë ndeshjes në Shkodër dhe ndoshta të arrijmë të menaxhojmë forcat në dispozicion. Ta mbarojmë këtë ndeshje të rëndësishme dhe pastaj të mendojmë për Elbasanin.

Goli është gjithmonë i rëndësishëm, sidomos për sulmuesit. Por mungesa e golit nuk më ka shpërqendruar. Shpresoj të vijë shpejt, t’i shërbejë Vllaznisë. Në këtë moment vlejnë pikët dhe fitoret e Vllaznisë.

I largët është viti kur Vllaznia i ka fituar të dyja. Në Shkodër pritet shumë kampionati, në Kupë i kemi më të afërta vitet që e kemi fituar. Nëse do zgjidhja, do i zgjidhja të dyja. Do të bëjmë gjithçka për finalen. Si kapiten i ekipet u bëj thirrje të gjithëve që nesër të jenë në stadium dhe ta mbështesin shumë skuadrën”.