‘Më keq se droga’: Si po i kriminalizon të rinjtë shqiptarë industria e mashtrimit
Në pamje të parë, zyrat duken si çdo korporatë tjetër moderne në zemër të Tiranës. Drita të forta neoni, rreshta të pafundmë kompjuterësh me ekrane të mëdha, karrige ergonomike dhe qindra të rinj rreth të njëzetave me kufje në vesh, që flasin rrjedhshëm në disa gjuhë të huaja, gjë që e bën mjedisin të duket si njëfarë kulle Babeli.
Operatorët e rinj janë të regjistruar si punonjës të kompanive në dukje legjitime dhe me emra tërheqës, të tillë si “Magnolia Group”, “Espiron Studio”, “IOTA Network”apo “Koppa Network”.
Megjithatë, e gjitha është një fasadë.
Kur policia ndërhyri më 14 prill në zyrat e këtyre kompanive në qendër të Tiranës, ajo zbuloi një rrjet mashtrimi me mbi 400 punonjës. Pamjet e filmuara të aksionit tregojnë mbi 900 mijë euro cash të ndara nëpër zarfe si bonuse të dedikuara për operatorët më të suksesshëm në zhvatjen e qytetarëve nga një duzinë vendesh të Europës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky është vetëm një nga dhjetra operacionet e ngjashme të viteve të fundit në Shqipëri, që tregon se industria call – center ka pësuar një mutacion të frikshëm. Nga një sektor shpresëdhënës dikur për mijëra të rinj me diploma në xhep, por pa perspektive pune, sot është transformuar në një industri masive të mashtrimit financiar dhe krimit kibernetik.
Sipas prokurorëve që kanë hetuar çështjet, kjo industri po konkurron për nga shpejtësia e pasurimit të paligjshëm me trafikun e narkotikëve dhe po kriminalizon mijëra të rinj shqiptarë.
“Është fenomen shumë shqetësues,” thotë një prokurore në Tiranë, e cila foli me BIRN në kushtet e anonimatit.
“Nëse flasim në masë se sa ndikon në kriminalizimin e shoqërisë, për mua është më e rrezikshme se shpërndarja e drogës, sepse masiviteti është i madh dhe një pjesë e tyre janë thjesht të përdorur,” shtoi ajo.
Këtë alarm e ndan edhe eksperti i sigurisë, Redion Qirjazi, i cili e sheh këtë sektor si një hapësirë ku krimi normalizohet.
“Në këto mjedise ndodh një normalizim gradual i sjelljes së paligjshme, ndërkohë që individët fitojnë aftësi praktike dhe krijojnë rrjete kontakti që mund të shfrytëzohen më vonë,” shpjegon Qirjazi, duke theksuar se për këtë ushtri të rinjsh, kalimi drejt krimeve më të sofistikuara “është më shumë evolucion sesa revolucion.”
Të vetëdijshëm në krim
Biznesi call -center në Shqipëri filloi të lulëzonte në fundin e viteve 2000, duke u mbështetur tek fuqia e lirë punëtore e përbërë kryesisht nga të rinj me njohuri në gjuhë të huaja. Por dinamika ndryshoi sapo fitimet e ulëta të fushatave legjitime të shërbimit të klientit u zëvendësuan nga tregjet financiare fiktive.
Dokumentet hetimore, statistikat e policisë, raportet e agjencive ndërkombëtare dhe analizat e ekspertëve zbulojnë një tablo të zymtë, ku shifrat flasin për një industri të organizuar gati ushtarakisht, që shfrytëzon mijëra të rinj dhe gjeneron dhjetramiliona euro të vjedhura çdo vit.
Bazuar në të dhënat nga operacionet e prokurorisë dhe policisë prej vitit 2021 deri në fillim të vitit 2026, përmasat e arrestimeve dhe dëmeve ngjajnë me ato të karteleve ndërkombëtare.
Vetëm gjatë muajit prill 2026, autoritetet goditën disa grupe të ndryshme. Mes tyre ishte edhe operacioni i koduar “Ghost Call”, gjatë së cilit u arrestuan 10 persona nga disa kompani që kishin të regjistruar mbi 400 punonjës.
Aksioni erdhi si fryt i bashkëpunimit mes autoriteteve austriake, Europolit dhe Prokurorisë së Tiranës, pas hetimeve që zbuluan një dëm të llogaritur në një shifër rekord prej të paktën 50 milionë eurosh.
“Qendrat e thirrjeve ishin të ngritura dhe të organizuara në mënyrë profesionale, duke ngjasuar me struktura legjitime biznesi që shfaqin një ndarje të qartë të roleve dhe menaxhim hierarkik,” deklaroi Europol pas operacionit. Pas regjistrimit fillestar, viktimave u caktoheshin agjentë të cilët hiqeshin si këshilltarë investimesh.
Në një tjetër valë goditjesh në janar të këtij viti, u vunë në pranga 6 persona të tjerë për mashtrimin e shtetasve italianë. Këto qendra mashtrimi shpesh zinin hapësira luksoze në kullat e qendrës së Tiranës, gjë që më vete tregon për fuqinë financiare të këtyre grupeve.
Vetëm në dy operacionet e fundit në Tiranë, në momentin e ndërhyrjes së policisë, në punë u gjetën rreth 150 operatorë. Një ushtri digjitale që përbëhet kryesisht nga individë të moshës 18 deri në 28 vjeç.
Por a janë këta operatorë, një pjesë e mirë studentë dhe të tjerë të diplomuar në fusha të ndryshme, të vetëdijshëm se çfarë po bëjnë?
“Shumica e tyre janë të rinj, studentë apo që kanë përfunduar studimet dhe nuk kanë gjetur një punë në fushën e tyre. Por dua të them këtë; ata janë në dijeni të asaj që bëjnë, subjektivisht janë të vetëdijshëm që janë të përfshirë në krim,” theksoi prokurorja që foli me BIRN në kushtet e anonimatit.
Pjesmarrja aktive në krim shpjegohet me sjelljen e tyre në momentin që përballen me policinë.
“Kanë një skript gati, e dinë çfarë do thonë sapo të hyjë policia,” tha prokurorja.
“Të gjithë janë në dijeni të asaj që bëjnë sepse trajnohen dhe kalojnë në faza të ndryshme trajnimi, kanë skripte për të tërhequr klientët,” theksoi ajo.
Spektakël, shampanjë dhe bonuse cash
Gazetarja Luela Gaxhja e emisionit “Piranjat”, e cila ka investiguar një sërë kompanish mashtrimi nën maskimin e call center i tha gjithashtu BIRN se operatorët që punojnë në këto biznese janë të vetëdijshëm për pjesmarrjen në krim.
Ajo i referohet rastit të një kompanie të vendosur në një vilë në periferi të kryeqytetit, ku kishte shkuar të xhironte me kamera.
“Rreth 100 veta që ishin të pranishëm, u arratisën nga sytë këmbët sapo diktuan kamerat,” tha ajo.
Gaxhja thotë se arsyet pse të rinjtë përfshihen në këtë aktivitet janë bazike: para të shpejta, një jetë luksi dhe iluzioni se ky është një “krim i pastër” për shkak të fshehjes pas NIPT-eve dhe emrave të kompanive.
Dhe dëshmitë e mbledhura prej saj të kujtojnë skena të ngjashme me filmin “Ujku i Wall Street”; me një sistem stimujsh spektakolarë që shpërndahen live nga menaxherët.
“Kur një konsulent mashtronte klientin me një shumë të madhe, këtu bëhet fjalë mbi 50 mijë euro, atëherë menaxheri ndalonte punën, mblidheshin të gjithë në qendër, hapej shampanja dhe më e bukura ishte se konsulenti shpërblehej cash, direkt aty me përqindjen që i takonte,” përmbledh ajo dëshminë e njërit prej operatorëve.
Ekspertët flasin gjithashtu për rrezikun e kriminalizimit të mëtejshëm, përsa kohë që mashtrimi kompjuerik shoqërohet edhe me pastrimin e një volumi të madh parash.
Eksperti i sigurisë, Redion Qirjazi e analizon këtë atmosferë si një trampolinë të drejtpërdrejtë drejt thellimit në paligjshmëri. Ai shpjegon se ndonëse call center-at mashtruese nuk përbëjnë një mekanizëm të strukturuar rekrutimi, ato funksionojnë si një hapësirë ndërmjetëse perfekte.
“Në mungesë të mundësive për riintegrim në sektorin formal, ekziston rreziku që këto aftësi të riorientohen drejt aktiviteteve të tjera të paligjshme (absorbohen nga struktura më të sofistikuara kriminale që kërkojnë këtë profil), qoftë brenda vendit apo jashtë tij”, thotë Qirjazi.
Ky është ndoshta paralajmërimi më i errët për të ardhmen.
“Nëse nuk adresohet në mënyrë të plotë dhe të koordinuar, ekziston rreziku që vendi të prodhojë një brez të tërë të rinjsh me aftësi reale dhe të vlefshme, por të orientuara në kah të gabuar,” shtoi ai.
Krizë vlerash
Sociologu Ergys Mërtiri e shpjegon dyndjen e të rinjve në këtë aktivitet kriminal me atë që ai e quan një kolaps të gjatë kulturor.
“Në kushtet e një trashëgimie 50-vjeçare të kultivuar me materializëm dialektik, shoqëruar me varfëri ekstreme dhe bjerrje të vlerave tradicionale, shoqëria shqiptare sot gjendet në një krizë të thellë vlerash, pikë së pari morale e kulturore,” tha Mërtiri.
Ai thekson gjithashtu se modelet e një jete të ndershme janë zbehur plotësisht në Shqipëri.
“Modelet që ushqejnë sot të rinjtë nuk janë ato që reflektojnë vlera morale, por përgjithësisht modele që orientohen më shumë drejt parasë, vesit, instinktit,” argumenton Mërtiri, duke shtuar se edhe media promovon suksesin dhe paranë e fituar shpejt dhe lehtë, pa mund e djersë.
Për ekspertin Redion Qirjazi, realiteti është më shumë strukturor dhe lidhet drejtpërdrejt me paaftësinë e autoriteteve për të luftuar krimin kibernetik.
Sipas Qirjazit, krimi është më inovator dhe përshtatet më shpejt se institucionet, ndërkohë që nuk përjashton edhe bashkëfajësinë e heshtur, sidomos kur aktivitete të tilla maskohen si biznese të ligjshme dhe gjenerojnë të ardhura.
Ky tolerim afatgjatë ka filluar të krijojë pasoja të rënda jo vetëm për qindra të rinj të përfshirë në këtë industri, por edhe për imazhin e vendit.
“Tolerimi afatgjatë i këtyre aktiviteteve ndikon negativisht në perceptimin e partnerëve ndërkombëtarë, sidomos në aspektin e besueshmërisë institucionale dhe kapacitetit për zbatim të ligjit,” thotë Qirjazi, ndërsa shton se ekziston një rrezik real që Shqipëria të perceptohet ndërkombëtarisht si “një ambient ku aktivitete të tilla mund të zhvillohen lehtësisht”.
