Ferrari nën presion: Pilotë të shqetësuar, rivalët fluturojnë
Kanadaja, historik isht, sjell kujtime të bukura për Ferrarin. Ajo të kujton Zhil Villnëvin, ndoshta pilotin më të dashur të Enzo Ferrarit. Kujton gjithashtu 12 fitoret totale në Formula 1, që e bëjnë “kokëkuqen” skuadrën e dytë më të suksesshme në tokën amerikano-veriore pas MekLarenit. Por këtë vit, Montreali sjell edhe një tjetër ndjesi, atë të presionin në rritje dhe nevojën urgjente për rezultate.
Jemi vetëm në garën e pestë të sezonit, por pas Çmimit të Madh të Majemit, Ferrari nuk mund të ndihet aspak i qetë. Sezoni ka marrë një drejtim larg pritshmërive. Në Montreal, ndër të tjera, fitorja e fundit e Ferrarit daton në vitin 2018 me Sebastian Fetelin. Kurrë më shumë se këtë sezon nuk është ndjerë nevoja për të ndërprerë “agjërimin” e fitoreve, duke qenë se kanë kaluar tashmë 32 gara pa triumf, që nga suksesi i fundit i Karlos Sainzit në Meksikë në vitin 2024.
MË SHUMË HIJE SESA DRITË
Fundjava në Florida la më shumë pikëpyetje sesa arsye për optimizëm, edhe pse Ferrari kishte sjellë në makinën SF-26 një paketë me 11 përditësime, më e madhja që ndonjë skuadër prezantoi në Majemi. Drejtuesi i ekipit, Fred Vasër, mbrojti pa hezitim efektivitetin e punës, ku sipas tij, risitë funksionuan dhe ritmi ishte ai i pritshëm. Megjithatë, kualifikueset dhe gara favorizuan Mercedesin dhe MekLarenin. Sharl Lëklerk e nisi në mënyrë perfekte, duke marrë kryesimin që në xhirot e para. Por më pas ritmi i makinës u zbeh, ndërsa degradimi i gomave “medium” konsumoi avantazhin e tij shumë më herët sesa parashikohej, duke e nxjerrë jashtë luftës për fitore.
TENSION NË RADIO
Nuk munguan momentet e tensionit të transmetuara përmes radios së skuadrës. Piloti monegask kërkoi të përfshihej më shumë në vendimet strategjike për “pit stop”-et, një sinjal i qartë se menaxhimi i garës nuk funksionoi siç duhej. Më pas, vetë Lëklerk bëri një tjetër gabim, duke humbur kontrollin në xhiron e fundit gjatë duelit me Oskar Piastrin për podiumin. Në fund erdhi edhe pranimi i fajit përpara mediave: “E papranueshme”, tha ai për performancën e tij, me sinqeritetin që shpesh e karakterizon në autokritikë. Por analiza e një fundjave të tillë nuk mund të reduktohet vetëm te gabimi i një piloti.
AKUZAT E HAMILTONIT
Në anën tjetër të bokseve, situata nuk është më e mirë. Në Majemi, Luis Hamilton humbi rreth gjysmë sekonde ngarkesë aerodinamike që në xhiron e parë pas kontaktit me Franko Kolapinton. Por problemi më i madh, sipas shtatë herë kampionit të botës, lidhet me metodologjinë e punës së Ferrarit. Hamilton deklaroi hapur se simulatori i skuadrës po jep të dhëna të gabuara, duke orientuar “set-up”-in e makinës drejt një drejtimi që nuk përputhet me ndjesitë reale në pistë. Fjalë që kanë bërë shumë zhurmë, sepse vënia në diskutim e instrumentit kryesor të zhvillimit teknik të skuadrës hap një debat shumë më të thellë sesa thjesht rregullimet e makinës. Përpara Montrealit, Hamilton ka njoftuar një zgjedhje drastike, ai nuk do të përdorë simulatorin para fundjavës së garës, me shpresën për të rikthyer një ndjesi më natyrale me njëvendëshen.
RIVALËT VAZHDOJNË TË AVANCOJNË
Problemet e Ferrarit bëhen edhe më të mëdha kur shihen zhvillimet e rivalëve. MekLareni, që në Majemi fitoi garën Sprint me Lando Norris dhe mori podiumin me Norris e Piastri, do të sjellë në Montreal pjesën e dytë të paketës evolutive, e cila në Florida dha menjëherë rezultate pozitive. Ndërkohë, Mercedes përgatitet të prezantojë bllokun e parë të madh të risive teknike në një pistë ku vitin e kaluar triumfoi Xhorxh Rasëll. Skuadra e drejtuar nga Toto Volf kryeson aktualisht si kampionatin e pilotëve me Kimi Antonelin, ashtu edhe atë të konstruktorëve, duke përjetuar një moment entuziazmi të plotë. Diferenca ndaj Ferrarit ka shkuar tashmë në 70 pikë. Është ende herët për të folur për një “thirrje të fundit” në garën për titullin botëror për Ferrarin. Por ndjesia është se, duke parë të gjitha premisat dhe tensionet e brendshme që po dalin gradualisht në sipërfaqe, krahasimi me një situatë alarmante nuk duket aspak i ekzagjeruar.
