Thu, Jul 2, 2026

Shënjestrimi i protestuesve nga Edi Rama ngre shqetësime

Shënjestrimi i protestuesve nga Edi Rama ngre shqetësime
  • PublishedJuly 2, 2026
Protestuesit marshojnë në Blvd. Dëshmorët e Kombit në Tiranë | Foto: LSA

Kryeministri Edi Rama ka publikuar gjatë ditëve të fundit fotografi dhe informacione personale për aktivistë dhe pjesëmarrës në protestat kundër qeverisë, të cilat po zhvillohen prej 31 ditësh në Tiranë.

Në postimet e tij në rrjetet sociale, Rama ka publikuar fotografi të protestuesve në format “negativ”, të shoqëruara me komente dhe informacione mbi jetën e tyre personale, përfshirë referenca ndaj çështjeve gjyqësore.

Juristë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut i thanë BIRN se kjo praktikë mund të interpretohet si një përpjekje për të intimiduar qytetarët që shprehin kundërshtimin ndaj qeverisë.

Erida Skëndaj, drejtoreshë ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, tha se postimet e Kryeministrit shkojnë përtej kufijve të kritikës legjitime.

“Edhe të dhëna të dukshme publikisht, sikurse janë ato të një proteste që zhvillohet në ambiente publike, kur grumbullohen, profilizohen dhe ripublikohen për të krijuar një portret negativ të individit, hyjnë në fushën e jetës private dhe, për rrjedhojë, e cenojnë atë,” tha Skëndaj.

Ajo theksoi se mbrojtja e të dhënave personale garantohet nga neni 35 i Kushtetutës dhe neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas saj, etiketimi publik i protestuesve me elementë bullizues zhvendos debatin nga idetë te personi.

“Kur kjo kryhet nga funksionarë shtetërorë krijohet një asimetri e thellë, pasi në një shtet të së drejtës standardi i tolerancës ndaj qytetarëve është i ndryshëm nga ai që kërkohet prej figurave publike,” tha Skëndaj.

Prej një muaji, Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë janë përfshirë nga protesta masive kundër qeverisë dhe klasës politike, të njohura tashmë si “Revolucioni i Flamingove”, ku kërkohet dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama. Lideri socialist i ka cilësuar protestuesit si të manipuluar nga algoritmet e platformave sociale dhe lufta hibride nga shtete malinje dhe interesa komerciale.

Edhe Gentian Sejrani, jurist dhe aktivist për të drejtat e njeriut, argumentoi se kjo qasje mund të cenojë jo vetëm të drejtën për të protestuar, por edhe të drejtën e qytetarëve për të mos u ekspozuar ndaj bullizmit për shkak të bindjeve të tyre politike.

“Moralisht, Kryeministri po inkurajon mbështetësit e tij të fyejnë dhe të bullizojnë këdo që mendon ndryshe,” tha Sejrani, duke shtuar se gjuha e përdorur nga politikanët ndikon drejtpërdrejt në nivelin e polarizimit në shoqëri.

Sipas tij, roli i një kryeministri duhet të jetë promovimi i dialogut dhe respektit në debatin publik, jo nxitja e gjuhës përçarëse.

Reagime pati edhe nga opozita. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, i cilësoi postimet e Ramës si pjesë të një “fushate përndjekjeje” ndaj qytetarëve që protestojnë.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku shkroi se Kryeministri “mbledh biografi, kërkon ‘njolla’ në jetën e tyre, sulmon familjarët dhe i ekspozon publikisht si tabela qitjeje”, ndërsa postimet i përshkroi si “fletërrufe digjitale”.

Skëndaj tha se e drejta e tubimit paqësor dhe liria e shprehjes mbrojnë jo vetëm aktin e protestës, por edhe pjesëmarrësit nga pasoja të padrejta për shkak të ushtrimit të këtyre të drejtave.

“Kur përfaqësuesi më i lartë i pushtetit ekzekutiv i veçon protestuesit dhe i vendos në një sfond publik etiketues, duke nxjerrë në pah aktivitetin e tyre në rrjetet sociale, të kaluarën personale apo çështje gjyqësore, krijohet perceptimi i një ndëshkimi simbolik të kundërshtisë,” tha ajo.

Sipas Skëndajt, funksionarët publikë duhet t’u përgjigjen kritikave përmes transparencës dhe llogaridhënies, ndërsa shteti ka detyrimin pozitiv të mbrojë dhe të lehtësojë protestën paqësore, jo të krijojë kushte që dekurajojnë pjesëmarrjen.

Në këtë kontekst, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe organizata të tjera të shoqërisë civile i janë drejtuar me një kërkesë zyrtare Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke kërkuar informacion mbi procedurat e ndjekura ndaj disa protestuesve.

“Kemi kërkuar informacion dhe verifikim institucional për raste që lidhen me protestën paqësore, përfshirë ndalime nga strukturat e antiterrorit pa identifikim të qartë dhe pa dyshim të arsyeshëm, marrje në pyetje pa sqaruar statusin procedural dhe pa u dhënë kopje të deklaratës, si edhe procedime penale të nisura për pjesëmarrje në protest,” përfundoi  Skëndaj.