‘Bunkerizim i gjykatës’: Rregullorja e re e GJKKO cenon aksesin e gazetarëve
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO, miratoi më 17 korrik një rregullore të re që përcakton udhëzime për sigurinë dhe sjelljen në ambientet e saj. Ky vendim, i shoqëruar nga një komentar voluminoz prej 532 faqesh, prek njëherazi aksesin e mediave dhe gazetarëve në gjykatë.
Në një hapësirë të veçantë dedikuar marrëdhënieve me median, hyrja e komentarit, e shkruar nga gjyqtari dhe kryetari në detyrë i GJKKO-së, Erjon Bani, pohon se transparenca e drejtësisë është “një vlerë kushtetuese” në një shoqëri demokratike. Megjithatë, dokumenti shton se kufizimet e reja nuk kanë si qëllim censurën, por synojnë realizimin e “ekuilibrit ndërmjet transparencës së veprimtarisë gjyqësore, mbrojtjes së të drejtave themelore dhe garantimit të sigurisë institucionale”.
Pavarësisht këtij justifikimi, përkthimi i këtyre parimeve në nene konkrete kufizuese ka ngritur alarmin e gazetarëve dhe organizatave të medias. Ajo që gjykata e quan një “sistem të integruar qeverisjeje institucionale”, nga gazetarët e terrenit dhe organizatat e medias shihet si një përpjekje për censurë dhe kufizim të lirive.
Reporterët e terrenit dhe organizatat theksojnë se këto rregulla tejkalojnë nevojën për solemnitet dhe siguri. Ata kritikojnë mungesën e një konsultimi të mëparshëm me mediat dhe gazetarët, dhe po ashtu ngrenë shqetësime se, përpos kërkesës për akreditim, rregullorja ka një sërë kërkesash burokratike për autorizime për ndjekjen e seancave që duhet të jenë publike, duke penguar punën e gazetarëve. Ata thonë po ashtu se rregullorja po duplikon udhëzuesin për komunikimin me median, i miratuar pas konsultimeve të gjata nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
“Ne nuk jemi kundër rregullave që garantojnë mbarëvajtjen e procesit gjyqësor. Përkundrazi, besojmë se ato janë të nevojshme. Por çdo kufizim duhet të jetë proporcional, i arsyetuar dhe i bazuar në ligj,” tha për BIRN Isa Myzyraj, përfaqësues i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH).
Më i ashpër në qëndrim ishte Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), që e sheh rregulloren si udhëzues për të shkelur Kushtetutën dhe lirinë e shprehjes.
“Në këto dy dokumente udhëzohet dhe urdhërohet se si gazetarët të pengohen të raportojnë dhe të transmetojnë, por kryesisht edhe se si të jenë të kufizuar për të regjistruar faktet që ndodhin në gjykatë,” thuhet në një qëndrim publik të UGSH-së.
Kryetari i Gjykatës, Erjon Bani nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.
Hyrje me autorizim
Ndryshe nga praktika e deritanishme e dyerve të hapura për seancat publike, rregullorja e re kushtëzon praninë e medias me kërkesa specifike kohore, pavarësisht nëse gazetari është i pajisur me një kartë akreditimi me afat 1-vjeçar.
Sipas nenit 93, pika 3 e rregullores, përfaqësuesit e medias duhet të paraqesin kërkesë pranë administratës së Gjykatës “jo më vonë se 24 orë përpara zhvillimit të saj, nëpërmjet formularit elektronik”. Të njëjtat afate zbatohen edhe për kërkesat për regjistrim filmik, fotografim apo transmetim.
Për gazetarët që mbulojnë çështjet e gjyqësorit, kjo kërkesë përbën një bllokim për mbulimin e seancave dhe një ngarkesë burokratike të pajustifikuar, e cila bie sipas tyre ndesh me Kushtetutën.
“Unë duhet të jem e lirë të ndjek ato seanca që më lejon ligji,” tha Klodiana Lala, gazetare e televizionit News 24 për BIRN, ndërsa shtoi se kërkesa për autorizime dhe formularë ishte një ngarkesë burokratike që e bënte të pamundur punën.
“Unë mund të ndjek 10 seanca në ditë, a mund ta bëj unë këtë për secilën? Është e pamundur”, theksoi ajo.
Gazetari Armand Bajrami i televizionit A2 është gjithashtu kritik.
Ai vuri në dukje se miratimi paraprak për ndjekjen e një seance – kur Kushtetuta dhe kodet garantojnë gjyqe publike – si dhe aplikimi i një rotacioni që i jep gjykatës rol aktiv në përzgjedhjen e gazetarëve, “kufizon drejtpërdrejt dhe në mënyrë të pajustifikuar të drejtën kushtetuese të publikut për informim”.
Një zyrtar i GJKKO-së, në kushte anonimati, sqaroi se kërkesat për autorizim do të aplikohen vetëm për rastet specifike kur sallat mund të jenë të pamjaftueshme. Ai tha se pika 3 e nenit lidhej me pikën 2 për rastet e tejkalimit të kapacitetit, dhe se kjo bëhej me vendim të kryesuesit të seancës; media njoftohej paraprakisht që të mund të plotësonte kërkesën për pjesëmarrje.
“Në rastet kur kemi shumë të pandehur dhe parashikohet që salla mund të mbushet tej kapaciteteve, njoftohet media dhe u thuhet atyre që kanë interes të ndjekin seancën të paraqesin kërkesë 24 orë përpara, që të merren masat për akomodimin e tyre,” sqaroi ai.
Megjithatë, as në komentar e as në rregullore nuk përcaktohet qartë se kur vihet në lëvizje mekanizmi i pikës 3, i cili kërkon autorizim 24 orë para seancës. Në komentar vihet në dukje se “kur vendet janë të mjaftueshme dhe nuk ekzistojnë rrethana të posaçme sigurie ose organizimi, nuk ka arsye të aktivizohen mekanizmat e rotacionit, shortit dhe regjistrimit të posaçëm”. Sipas komentarit, “në këtë situatë zbatohet drejtpërdrejt parimi i pikës 1: përfaqësuesit e akredituar kanë të drejtë të ndjekin seancën në varësi të vendeve të disponueshme”.
Pamje me regji qendrore
Një nga kufizimet me të cilin do të përballen reporterët është ndalimi i telefonave celularë, të cilët shërbejnë si mjete parësore për komunikim me redaksitë dhe përditësimin e lajmeve në kohë reale. Gazetarët e patën të kufizuar përdorimin e tyre deri në vitin 2024, kur u miratua një rregullore e re e komunikimit me mediat nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Pas saj, gjykatat lejuan kalimin e gazetarëve me celularë në sallën e gjyqit, por rregullorja e re e ndalon shprehimisht këtë.
Neni 93, pika 16 e rregullores thekson qartë se përfaqësuesit e medias autorizohen të qëndrojnë në vendet e përcaktuara “pa mbajtur ose përdorur telefona celularë, kamera, aparate fotografike ose pajisje të tjera elektronike”.
Isa Myzyraj e konsideroi këtë masë plotësisht joproporcionale.
“Ndalimi i përdorimit të telefonit celular nuk i shërben administrimit të drejtësisë, por kufizon në mënyrë të pajustifikuar të drejtën kushtetuese të informimit publik, sidomos nën dritën e gjyqeve historike që po mbahen,” theksoi ai.
Të njëjtin pretendim ka edhe gazetari Armand Bajrami, i cili thotë se rregullorja “është konceptuar në njëanshmëri të plotë nga hartuesit, pa asnjë konsultim me gazetarët që ushtrojnë veprimtarinë e tyre pranë GJKKO-së”.
Ndërkohë, përtej ndalimit të pajisjeve, Gjykata po tenton të marrë vetë rolin e “regjisorit” të seancave. Neni 95, pika 9 përcakton se kur ka interes të lartë publik ose kërkohet nga nevojat e kapacitetit, trupi gjykues mund të urdhërojë që regjistrimi i pamjeve të realizohet nëpërmjet sistemit të ashtuquajtur “media pool”. Përmes këtij sistemi, aksesi pamor kontrollohet tërësisht nga infrastruktura e gjykatës, duke përjashtuar vëzhgimin e pavarur.
Për gazetaren Klodiana Lala, këto masa përkthehen në një “bunkerizim” të gjykatës. “Është censurë e hapur,” u shpreh ajo.
Terma subjektivë dhe sanksione drastike
Analiza e tekstit të rregullores zbulon gjithashtu terma të gjerë që mund të interpretohen në disfavor të transparencës. Neni 97 ndalon median të filmojë, fotografojë apo intervistojë personat e arrestuar gjatë hyrje-daljeve, nëse këto veprime “cenojnë sigurinë, dinjitetin ose zhvillimin e sigurt” të atij momenti. Koncepti i “cenimit të dinjitetit” mbetet thellësisht subjektiv dhe rrezikon të përdoret si mburojë nga zyrtarët e lartë të akuzuar për korrupsion, për të shmangur kamerat.
Sanksionet për shkeljen e këtyre rregullave janë të rënda. Sipas Nenit 98, për cenimin e rendit apo solemnitetit, ndaj gazetarit vendoset masa e pezullimit të akreditimit deri në 6 muaj. Revokimi total i akreditimit bëhet edhe për filmimin e personave në kundërshtim me kufizimet.
Këto masa drastike vendosen me urdhër të kryetarit të Gjykatës, pa parashikuar një mekanizëm të qartë të apelimit administrativ. Gjithashtu, rregullorja merr përsipër të sanksionojë “përdorimin e inteligjencës artificiale për krijimin e materialeve mashtruese”, një çështje që i përket pas-publikimit redaksional dhe gjykatave civile, e jo rregulloreve të brendshme të një gjykate penale.
“Në këto dy dokumente nuk ekziston mekanizmi i ankimit; nëse një gazetar apo media refuzohet, nuk ekziston një procedurë për të kundërshtuar vendimin”, thekson UGSH.
Gazetari Armand Bajrami e sheh këtë si premisë për të diskriminuar reporterët. “Rregullorja krijon premisa penguese, ndëshkuese dhe diskriminuese për gazetarët, me pasojë kufizimin e mundësisë për të informuar publikun në kohë reale mbi zhvillimet me interes në GJKKO”, tha ai.
Të dyja organizatat e gazetarëve kanë bërë thirrje për ndalimin e zbatimit të kësaj rregulloreje dhe konsultimin e saj me mediat, duke kritikuar gjykatën se po e prezumon median si rrezik për rendin. “Koncepti i prezumimit të medias si rrezik për rendin bie ndesh me parimin e publikimit të gjykimit,” përfundon UGSH.
