Një ‘hartë memece për të mbyturit” dhe harresën e eksodit shqiptar
Met Lila, 76 vjeç, u bë pjesë e një inskenimi në kujtim të eksodit të tejzgjatur nga deti të mijëra shqiptarëve në kapërcyellin e dy shekujve.
Në një qoshe të shëtitores, usta Meti riparon pa e ngritur kokën maketet e anijeve prej druri, bashkë me artistë profesionistë dhe amatorë.
Tridhjetëepesë vjet më parë, Lila humbi vajzën e tij në ujërat e Adriatikut gjatë eksodit të anijes “Vlora” në gusht të vitit 1991.
“Valbona ishte 16 vjeç dhe shkoi të kërkonte vëllain e vogël. I thanë se ishte në anijen “Vlora” dhe ajo u përpoq të ngjitej lart me litar,” kujton me trishtim ai.
Pastaj ul kokën dhe vazhdon: “Trupin e Valbonës dhe disa të tjerëve i nxorri në sipërfaqe një djalë nga Spitalla”.
Anija “Vlora” me gati 20 mijë shqiptarë në bord ishte anija e fundit e madhe që u nis drejt Italisë më 8 gusht 1991 si pasojë e kolapsit ekonomik që shoqëroi rënien e regjimit komunist në Shqipëri. Më pas, mijëra shqiptarë të tjerë ndërmorrën udhëtime të rrezikshme me gomone për të prekur Perëndimin.
35 vjet pas eksodit të madh, shkrimtari Arian Leka dhe regjisorja Driada Dervishi inskenuan në Durrës “Hartë memece për të mbyturit”, një vepër që ndërthur poezinë, ditarin dhe kujtesën kolektive si homazh për viktimat e tragjedive shqiptare në det.
Vepra është gjithashtu një kujtesë për indiferencën e institucioneve lokale dhe qendrore.
Krejt e kundërta ndodh në brigjet përballë.
Në vitin 2012 kineastët italianë realizuan dy filma dokumentarë me titujt binjakë “La nave” dhe “La nave dolce”. Filmat që i kushtohen eksodit masiv me anije nga brigjet e Shqipërisë janë nderuar me çmimet “David di Donatello 2013”, si dhe në konkurimin e festivalit të Venecias 2012.
Kapiteni i anijes “Vlora” në gusht të vitit 1991, Halim Milaqi, i cili e drejtoi atë nga Durrësi drejt Barit tha për BIRN se këto ditë ai është ftuar në Bari në ceremoninë që organizohet nga bashkia e qytetit për 35 vjetorin e eksodit- një ceremoni kjo e përvitshme.
“Kurse këtu te ne, pasi pala italiane vendosi një monument disa vite më parë, duket sikur e kanë harruar këtë histori,” theksoi Milaqi.
Edhe përpjekja për instalimin e një monumenti që kujton eksodin, në sheshin e trageteve të portit detar dështoi dhe gjithçka u përmblodh në një fotoekspozitë të përgatitur nga Autoriteti Portual me rastin e 25-vjetorit të këtyre ngjarjeve.
Në skenën e improvizuar në shëtitoren bregdetare vijnë kronikat mediatike të kohës, të cilat ngacmojnë kujtimet e shikuesve.
Të dhënat e katerit të Radës, anijes që u mbyt bashkë me 81 vetë në bord, ngacmojnë kujtimet e punonjësit të policisë kufitare, Gëzim Myhypaj.
“Në mars të vitin ’97 në basenin portual kishin mbetur vetëm dy mjete lundruese: biga dhe kateri tjetër i dislokuar në Durrës. Arritëm ta ruajmë që të mos bëhej pre e keqbërësve, që mund ta shfrytëzonin për të kaluar Adriatikun,” tha Myhypaj për BIRN.
Inskenimi i teksteve nga “Harta memece për të mbyturit” që po interpretohet në shëtitoren bregdetare po i drejtohet fundit.
Gazetarët në skenë raportojnë rastet e mbytjeve apo të mbijetesës gjatë lundrimit me skafistët nga brigjet e Adriatikut dhe Jonit drejt Italisë.
Dëgjojmë një prej tyre: “21 vetë vdesin të dehidratuar mbi gomone, ndërsa 7 të tjerë humbin në ujrat e Jonit. Fillim janari 2004”.
Në skenë, valixhet e emigrantëve zëvëndësojnë njëra- tjetrën. Duket sikur gjithçka ripërsëritet edhe sot, kur autorët shprehen: “I kemi dhënë një përgjigje pyetjes “pse ikëm atëherë”, por duhet të përgjigjemi: “Pse vazhdojmë të ikim”.


