Sat, Sep 5, 2026

Edhe një herë për çmimin e bananeve

Edhe një herë për çmimin e bananeve
  • PublishedSeptember 5, 2026
Ilustrim nga Jurgena Tahiri/BIRN

Një kokërr bizele në muze.

Kështu përfundon përralla e njohur, ku mjaftoi një frutë e tillë e vockël, nën plot njëzet shtroje e dyshekë, t’ia trazonte mrekullisht gjumin gjatë gjithë natës vajzës, e ashtu t’ia vërtetojë dhe identitetin në mëngjes. Kë tjetër, veç një bijë mbreti, mund ta sëmbojë nga thellësitë e shtratit një kokërr aq e vogël, si ndonjë incident i mbytur origjinave të dinastisë? Sa një bizele ai gur prove, dhe pse maskuar nën aq e kaq shtroje, të dëftente se vajza qe një princeshë e vërtetë, e mësuar që jeta ta prekë veç lehtë, sipas zakonit të shekujve, që e njihte fare mirë ajo që dhe e ndërtoi këtë parabolë, kat pas kati dyshekësh me pupla: një mbretëreshë që kërkonte, me test, nuse të denjë për të birin. E kërkoi në kujtimet e trupit të vet. Më e vogël, po më e vyer se diamanti i unazës për martesë, prandaj dhe Anderseni e mbyll përrallën duke e mbyllur në muze kokrrën, ndoshta ende të gjallë.

Brishtësia e blertë e bizeles si instrument i drojtur torture nokturne për virgjëri princeshash: kush e di sa gjëra do ketë lexuar, si e do zakoni, psikanaliza edhe në këtë përrallë. Po a nuk na e trazon gjumin, edhe ne të tjerëve, nën sa e sa shtresa, një frut i lashtë, ende në Eden? Manualët e përhapur të interpretimit të ëndrrave, tashmë vetëm dy cekje larg jastëkut në zgjim, ndihmojnë përditë miliona të vendosin rend nën rimorkion e frutave-perimeve që na zbrazet kokave çdo natë, nga lart. (Çdo të thotë të çash shegë në ëndërr, ç’kuptim ka kur të ndjek duke u rrotulluar – njëmijëkokëshe – një tufë lakrash, që derdhen nëpër rrugica e shkallare?). Çdo kulturë a klimë i mbështjell me forma a lëkura të ndryshme simbolet, sikletet e veta.

Për shembull, në Stamboll, duke u përpjekur të deshifroj nëpër etnografinë joshëse në parrulla, banderola dhe grafiti që dendësoheshin gjatë cikleve të protestave anti-qeveritare, më bëri përshtypje si përsëritej një thirrje provokative për dezertim, drejtuar policëve, po edhe gazetarëve-ruajtës të rendit, njësoj:

                                                   Shit limona, jeto me nder!

Braktise « detyrën » e padenjë, pra, thotë thirrja, mos iu tremb varfërisë, dil e shit limona rrugëve. Pse, siç kuptova më vonë, përmes filmash të vjetër, tekstesh këngësh, alternativa e shitjes së limonave, për të mos shitur shpirtin, idealisht kuptonte një teatër të kompletuar shëtitës, me njeriun që tërheq rrugë më rrugë karrocën ngarkuar me limonë, duke bërtitur fort, krenar: Limonxhiu! Erdhi limonxhiu! Domethënë, dilni të gjithë nëpër dritare e shihni njeriun që nuk shitet. Me atë rast, lehtësoni shpirtin, gjithë ju të tjerët, duke dhënë ca qindarka për kauzën – limonët gjysëm të kalbur pastaj mund t’i gjuani nga dritarja natën, po të doni, për të eksperimentuar akte të lira shfrimi a rebelimi, kamufluar mes yjesh që bien në Bosfor.

Patjetër që shitja e limonëve nuk mund të jetë kaq dramatike në ato vise mesdhetare, prej prodhuesve më të mëdhenj në botë të frutit, lëngu i të cilit spërkat e parfumon bujarisht tavolinat vendase, nga mëngjesi gjer në darkë. Po pikërisht pse dhe është kaq i kudogjendur e shumëpërdorur, pikërisht pse është dhe aq rezistent në transport e ruajtje, prandaj dhe qasja a shpresa është aq e kollajtë atje për nisma të tilla ambulantësh. Më keq se të shesësh limona – thotë shprehja, kur tregon sa pak fitim ka ndonjë zanat a tregti, si për të treguar edhe një herë me formën e frutit edhe nivelin 0 (zero), pikën ku puqet varfëria me lirinë. Nëse bizelja e Andersenit bëhet kokrra më kufitare e finesës në hierarki, që mban gjithkënd, përveç princeshave virgjine, në gjumë të rëndë mashkullor – burra a gra qofshin -, limoni këtu bëhet fruti që u prish gjumin vetëm njerëzve që i preokupon dinjiteti. Si te limoni, madje, ata që ruajnë dinjitetin dehin me aromën frymëzuese të tjerët; po vetë, përtej lëkurës së fortë, si një të kundërt ekzakte, durojnë pa u mrrolur thartinë e deri dhe hidhtësinë e sakrificës për rezistencë.

Së paku në Turqi kjo, se në Shqipëri kemi bananen.

Shkëmbinjtë e dikurshëm nuk ekzistojnë më, në vend të tyre janë ndërtuar lulishte. Aty ku është mbështjellë trëndafili, tani rritet banania, pemë e klimës tropikale, por që eksperimentet që janë bërë këtu po tregojnë se ajo mund të zhvillohet e të japë prodhimin edhe në bregdetin e Himarës. Pas inisiatorit të parë të mbjelljes së bananes në Shqipëri, Kozma Nesturi nga Palasa, shtëpia e pushimit në Dhërmi deri tani mbetet kultivuesja kryesore e bananes. Rreth e rrotull kampit ka rreth 250 rrënjë banane, veç 150 rrënjëve të tjera që iu shpërndanë kooperativistëve bujqësorë.

« Në Dhërmi, vend me një bukuri të rrallë »,  Milto Pirro, Zëri i Popullit, 01.08.1961

Filloi e mbaroi me kaq. Eksperimenti për shndërrimin e bananes tropikale në kulturë të mirëfilltë bujqësore në vend, duket se nuk funksionoi, përtej alegorisë fetare të përgjithshme mbi socializmin që shndërron shkëmbinjtë në « kopsht të lulëzuar ». Banania mbeti gati krejt e panjohur për shqiptarët. Kontakti ndoshta i parë i konsiderueshëm me frutin dokumentohet deri në formë keqkuptimi në përshkrimet e refugjatëve që zbarkuan në bregun italian përbri, nga anijet e zaptuara të marsit 1991. Në gazetën beratase Luftëtari (15.10.2003) gjejmë piktoreske dëshminë e asaj dite nga A. Soraj, siç e ka vjelë për shtypin gazetari Simon Vrusho.

Të nesërmen e mbërritjes në Brindisi, mbërriti buka për mijëra e mijëra refugjatë, në mijëra e mijëra qeska. Por, … u turrën të tërë. Uria nuk e njihte rregullin … Atëhere, e mbyllën, ndaluan shpërndarjen e rregullt të qeskave me ushqim dhe filluan shpërndarjen fluturuese, duke i hedhur qeskat nga prapa murit. Qeska me bukë, me panine fisnike, konserva. Pastaj fluturonin frutat, mollët, portokallet … Kap, kush të kapte. Megjithëse kishte për të gjithë, kishte dhe refugjatë që kapnin e merrnin nga dy-tri qeska. Pas frutave fluturuan bananet. Po kush i njihte bananet nga ne? Po këta, po tallen tani me këto sende plastike?! Dhe filluam t’ua hidhnim, t’ua kthenim prapë bananet. Ishte një kryqëzim bananesh. Ishte e këndshme, zbavitëse.

Vërej pak si ka mbijetuar tëhuajsia edhe shumë vite pas ngjarjes në rrëfim, në dallimin kategorik mes frutave e bananeve. Dihet se në Shqipëri ajo u shfaq masivisht vetëm me importet kaotike pas hapjes së tregut, po në vitin 1991, ndoshta trupëzimi i parë – për më tepër biologjik – i tjetërsisë që solli hapja.

Sistemi politik e ekonomik zyrtarisht ndërroi, por, si thotë pak a shumë ajo fjala nga filmi i famshëm, gjithçka ndryshoi që asgjë të mos ndryshonte, në longue durée. Fjala vjen, shqiponjës në flamur e kapele vetëm sa iu hoq sipër ylli; rrugët pak nga pak u mbushën me vetura Mercedes, bile pak më të vjetra se po ai fetish që deri dje përdorte vetëm Blloku; sekretarët e Partisë shkuan e u bënë po aq sekretarë në parti të reja; paketimi në produkte të konsumit shtoi ngjyrat e s’qe më shqip, por brenda menuja ushqimore vazhdonte e njëjtë; vajzat ndoshta shkurtuan fustanet e djemtë zgjatën flokët, po në fund të fundit përherë në vend kishte pasur fustane dhe flokë, e do mësoheshim gjatë viteve më vonë « në liri » të shihnim si zgjateshin e shkurtoheshin me stinët e modës.

Banania, ama, qe vërtet krejt gjë tjetër: ekzotike po aq sa « perëndimore », në mos më shumë; krahasuar me gjithë frutat e tjerë tradicionalë, vinte moderne; nën atë uniformitet e rreshtim strikt parade ushtarake, më shumë se pemë, dukej si prodhim industrial – frut alien, nëse merrje guximin ta provoje se frut qe; i paturpshëm, i gatshëm për t’u instrumentalizuar për insinuatat e krahasimet më të egra, thua ndonjë agjent i përshpejtimit të lirimit të gjuhëve, sapoardhur nga bota e lirë, posaçërisht. Me emisarët e misionarët e tjerë.

Në provë të kësaj anomalie tjetërsie, vite të tëra me rradhë pasi « hyri », banania ende nuk tregtohej fare në pikat e fruta-perimeve ku e cakton klasifikimi. Shitej veçmas, zakonisht mbi të njëjtën kuti me të cilën qe importuar – e vetme o e shumta mes cigaresh, çokollatash, çorapesh grash. Ashtu e pa dhe shkrimtarja kroate Slavenka Drakulić, tek vizitonte Tiranën në fillimin e viteve 1990.

Shpresa e një jete të re, më duket mua, fillon me banane. Pikërisht përballë Hotel Dajtit qëndronte një djalë i ri me flokë të gjatë, veshur me xhinse dhe atlete. Në tezgën e tij në rrugë, një kuti kartoni në trotuar, po shiste disa banane, një çokollatë « Mars », një çakmak, disa pako cigaresh « Marlboro » dhe disa çamçakëza.[…] Në fund të fundit, ç’gjë tjetër mund të bënte në një vend ku pothuajse e gjithë popullsia dukej se qe e papunë dhe jetonte me ndihmë humanitare (mes viteve 1992 dhe 1994, ndihma e ofruar nga Bashkimi Evropian arriti në 420 milionë dollarë), përveçse të shpresonte të shiste një banane, pastaj të blinte dy, pastaj të shiste dy, pastaj të blinte katër, derisa… e pra, derisa të mund të përballonte një kioskë.

Café Europa: life after Communism, 1996

Pastaj, duke ditur vazhdimin e rrëfimit në dekada, kuptojmë si hapet kronologjikisht dhe matrioshka e kapitalizmit shterp shqiptar – ndërtime, shërbime, importe: pra Kulla mbi Kioskë mbi Kuti. (Sikurse do ta shohim gjithnjë e më qartë në vitet e fundit, kur themi « kuti bananesh », theksi bie më shumë te kutia, jo detyrimisht te ç’ajo ka brenda).

Meqë nuk ekzistonte, u shpik. Për qytetarët masivisht të tradhëtuar nga partia-shtet, padroni punëdhënës i djeshëm që i hodhi në rrugë, fruta amerikolatine u bë vërtet njësia themelore e rendit të ri. Nëse nuk janë djegur dosjet e manovrave ekonomike të fillimeve të tranzicionit, në shumë aspekte po aq të frikshme sa dhe ato të shërbimit sekret të diktaturës, mbajnë ende fshehur në modesti edhe emrat e atyre shpresëdhënësve të mëdhenj që shpërndanë anembanë bananen e lirë, amortizator e divident. Që të mund ta zinte gjumi, çdo i papunë flinte tashmë potencialisht mbi një kuti kartoni, stampuar me buzëqeshje të arta bananesh. Nëpër buzë rrugësh, hyrje shkollash, cepa sheshesh, desperado të moshave e profesioneve të ndryshme nga pas atyre kutive kapërcenin stigmën e matrapazit dhe ashtu, syulur, ndërtonin kapitalizmin – një banane pas tjetrës, me atë çmimin as të shtrenjtë as fare të lirë.

Kthesa e fortë nga socializmi për kapitalizëm qe marrë asisoj mbi harkun e butë të bananes. Kuptohet vetiu që shumëkush qe bërë i barabartë në bananen, por aq ulët sa edhe niveli gati përdhes e informal i shitjes së saj rrugëve. Më shumë se shpresë krenare për bukën nxjerrë me djersë, për fillimin nga e para, shitja e bananes, pavarësisht rezultateve ekonomike rast pas rasti, u kthye në një lloj vule të dështimit, deklasimit final.

Në arkivën time nomade, shembullin më të vjetër të shitjes së bananes si rënie gati morale kam mundur ta gjej në revistën Përpjekja të gushtit 1996, ku prof. Ylli Pango vëren sesi ata që në gjuhën e kohës njiheshin si shtresë e intelektualëve « po e vdesin bagazhin brënda vetes duke emigruar jashtë vendit, apo duke u marrë me punë të rëndomta atje apo këtu, deri me tregëti bananesh a surrogatosh të çdo lloji ». Meqë jemi te intelektualët, edhe një shembull tjetër në formën e një tipologjie panoramike, nga maja në greminë, në një letër publike të aktivistes së ndjerë të shoqërisë civile, Ajtanka Lubonja:

[K]astën e intelektualëve të Shqipërisë së viteve 70-80 e njoh! I di vlerat e tyre. Pavarësisht nga stadi ku janë rradhitur ata sot; a kanë vdekur, a kanë ikur nga Shqiperia, a janë bërë ministra, kryeministra, deputetë, a janë çmendur apo shesin banane, por për vlerat e tyre duhet të flasësh me vertetësi!

Gazeta 55, 03.10.2008

Me formalizimin në rritje dhe monopolizimin e praktikave ekonomike sot, modeli ka ndryshuar, po shprehja i mbijetoi. Shembullin më të ri domethënës për shitjen e bananeve si degradim kam arritur ta nxjerr nga debatet mbi Drejtësinë e Re, në shprehjen e një deputeti të opozitës, raportuar nga gazeta Sot më 25.07.2018:

Nëse një gjyqtar që u shkarkua sepse nuk justifikonte pasurinë e vënë nga bashkëshorti para se ta njihte e të martohej, nuk bëhet dot avokat. Sipas këtij rregulli, këta persona me moshë 40-60 vjeçare duhet ose të shkojnë përsëri në universitet 5 vite të tjera e të studiojnë ndonjë profesion tjetër, ose të shesin banane.

(Këtu e gjejmë dyfish bananen, edhe si rënie e rikthim në start, si në lojën « mos-u-nxeh », por edhe implicite, po deshëm, në përmendjen e origjinave të turbullta të pasurive në vend).

Shohim se dallimi me limonat ngjyrë meiti të Turqisë, lartpërmendur, është thelbësor: në Shqipëri nuk rriten banane. Në ekonominë politike të metaforave, një vend ku fruti i varfërisë dhe i shpresës « për t’ia dalë » vjen nga jashtë, ndoshta është, direkt, vend jo dhe aq i pavarur, pa qenë nevoja ta vërtetosh pohimin me të tjerë parametra.

Megjithatë, vërtetimi, në po ato vite të fillimeve, vjen dhe në parametrat e tjerë, shprehimisht po përmes bananesh. Në një intervistë të 28 korrikut 1993 për gazetën Koha jonë, lideri i opozitës socialiste, Fatos Nano, në prag të dënimit me burg, deklaronte:

[N]uk do të rresht deri në fund të karrierës sime […] dhe të jetës sime fizike, të denoncoj, ashtu si dhe deri më sot, gjithçka që po zbatohet në Shqipëri në formë skemash të rekomanduara, të papërshtatshme për mentalitetin dhe realitetin e shqiptarëve nga shtabe politikanësh apo feudalësh të harbuar, të cilët i kam denoncuar prej kohësh si ideatorë të kthimit të Shqipërisë në një « republikë bananesh ».

Vetëm katër vite më vonë denoncuesin e gjejmë kryeministër të vendit, duke merituar po të njëjtin mllef të shkurtër thuajse-sovranist nga të denoncuarit e djeshëm. Në gazetën Rilindja Demokratike, zëdhënëse e partisë së porsarrëzuar nga pushteti, një artikull i 26 tetorit 1997 e mban që në titull diagnozën tashmë konsensuale të vendit: « Republika e bananeve ».

Aksioni politik […] për denoncimin e republikës së bananeve që po instalon nanokratura duhet të shoqërohet me intensifikimin e veprimeve konkrete për të ndalur instalimin e karikaturave politike, ekonomike e shoqërore që u ngjajnë regjimeve të viteve 60 në vendet e Amerikës Latine – specifikon më tej artikulli, duke luajtur pak dhe me emrin e kryeministrit të ri.

Si lojë fjalësh nisi po ashtu në ato vite dhe ideja për posterin « Republick of Albanania », ku preokupimi politik për pavarësi bëhej pop me citimet e hapura të simpatisë nga gjuha vizuale e kopertinës së albumit të parë nga The Velvet Underground (banania e Andy Warhol-it), apo asaj të Sex Pistols, me logon e përftuar përmes shkronjave të prera çrregullt, në stilin e letrave anonime a të gjobëvënies mafioze.

Për të formuar fjalët mbi poster, preva e montova shkronja nga afishe rudimentare koncertesh death metal të skenës alternative tiranase. Me mbaresën e çartur aty në emrin anglisht për republikën, posteri shpresonte të nënvizonte gjer në lëpirje skandaloze mesazhin refuzues; po përtej kësaj, aksidentet nëpër shkronjat e piratuara imitonin sadopak ngërçet e toleruara të zbatuesve vendas me gjuhën e Shekspirit, a më mirë, me atë zhargon gati-zyrtar « skemash të rekomanduara » prej organizatave ndërkombëtare, ambasadave, fondacioneve, që shërbenin si skeleti që mban në këmbë republikën tonë, aq të vogël.

ervin hatibi republick of albanania cover 04ervin hatibi republick of albanania cover 04
Kopertina e Republick of Albanania

Megjithatë, u desh sugjerimi bindës i autores së parathënies së botimit të parë të këtij libri, që ky të merrte titullin dhe kopertinën prej atij posteri. Asaj i shkon dhe falënderimi për përfshirjen e « Republick of Albanania » në një ekspozitë kolektive artistësh shqiptarë, kuruar prej saj, në Paris, pak vite para se posteri të kthehej në ballinë libri.

Shkrimet e përfshira nën kopertinën me bananen dykrenore janë shkruar nën atë shenjë horoskopi; i përkasin një periudhe dhjetë-pesëmbëdhjetëvjeçare botimesh në shtyp, fillimi i viteve 1990, deri në fillimet e 2000-shit.

Artikujt më të hershëm janë shtypur në faqet e gazetës Zëri i rinisë, në kohën kur redaksia e saj, tashmë e drejtuar nga një grup veprimtarësh të Lëvizjes Studentore, kaloi prej selisë së vjetër që dikur ndante me Komitetin Qendror të Partisë, për t’u vendosur në mjediset mitike të Hotel Dajtit. Dhe kur lexoj në rreshtat më lart, nga Slavenka Drakulić, si numërohet hoteli, bananet mbi karton, Marlboro kontrabandë, djem me flokë të gjatë e xhinset që sapo kishin kapërcyer detin (masivisht, si fantazma pa tors), më vjen se shoh dhe veten mes kësaj skene, me po ato flokë importi e xhinse, duke nxituar, si përherë vonë, të çoj në redaksi para se « të mbyllet numri » shkrimin e javës, shtypur me makinë shkrimi e korrigjuar me stilolaps në dhomën dekoruar me posterat e mi BMV (= « të bomë vetë » , përkthim i kohës i termit DIY), vetëm pesë-gjashtëqind metra larg, duke u përplasur nga nguti me anglishtfolës të rastit para Hotel Dajtit, që zbarkonin në atë adresë të domosdoshme të dëshmonin ato ditë unike, si Slavenka: ndoshta hera e parë kur kam eksperimentuar fjalën sorry, do mund të kishte qenë kur jam përplasur padashje me të, a kushdo tjetër të ma ketë prerë aty marshimin fajtor drejt redaksisë, me dy fletë të llangosura A4 në secilën dorë.

Shkrimet, për fat të mirë, dëshmojnë, edhe padashur, pikërisht me nxitimet e improvizimet e kohës, teknologjitë e ideologjitë në ndryshim e zëvendësim e sipër të shkrimit e leximit; po sidomos me shijen unplugged që jep produkti kulturor i atyre fillimeve të egra, me dijet, prirjet e termat e filtruara s’dihet mirë si në një vend sapodalë nga mbyllja ndaj botës e historisë. Krahaso pak me gjithë këto vite të fundit, kur, ende pa e relativizuar përfundimisht autorësinë IA-ja, shkruanim gjithsesi, pashmangshëm, me së paku njërën dorë online, duke dokumentuar e korrigjuar në kohë reale çka shkruante tjetra dorë.

Shkrimet, sa më të vjetra, aq më shumë kanë kaluar, si rregull i prishur sot, në duar redaktorësh e korrektorësh – prandaj dhe nuk janë prekur më tej as në botimin e parë të tyre si përmbledhje, përveçse në atë përqindje të papërfillshme rastesh kur ka qenë krejt e pamundur të mos ndërhyhet. Mes rreshtave vazhdojnë të mbeten ashtu edhe prekjet e vështrimet e redaktorëve e deri rradhitësve të rotativit antik, plus dialogu i fshehtë me lexues besnikë apo bashkëpunëtorë të organeve si zakonisht të shuara të shtypit, që nga Zëri i Rinisë në Tiranë, e deri te Lobi në Shkup, për të përmendur vetëm këto skaje. Për ndonjë përplasje të hershme që vazhdon e ndihet edhe sot, qoftë dhe me të panjohur, në nxitim e sipër: sorry! – me një zë të mbytur që vjen nga para 20 vitesh, minimumi, si ajo bizelja pas njëzet shtrojash, e po aq dyshekësh.

Me kalimin e kohës titulli i këtij libri dhe posteri mbi të nuk mund të refuzonin dot të pranonin edhe lexime të reja, për meritë të shtrirjes së rrjeteve kriminale shqiptare në vende të Amerikës së Jugut, prej nga ku sigurojnë furnizimin, tashmë si « dorë e parë », me kokainë; në vijim, malli transportohet, me po ato rrjete, nga portet e mëdha të Europës, kapilarisht nëpër kontinent. Metabolizmi nuk mundet të mos e sjellë pastaj si parà për t’u pastruar në kantjeret e mëdha të bumit të kullave e hotelerisë shqiptare, një pjesë të produktit final të gjithë këtij konsumi e qarkullimi – këtu konvergojnë së paku një shumicë raportimesh e analizash gjithnjë e më të bujshme për revolucionarizimin e çmimit të kokainës dhe ndryshimin e balancës në dëm të rrjeteve tradicionale të trafikut, që prodhoi ngulitja e diasporës shqiptare në pika të nxehta të Amerikës së Jugut. Pjesë e kësaj gjeografie të hyrë pa rradhë në titujt e parë të gazetave është dhe kapja, herë pas here, e ngarkesave të kokainës në portin e Durrësit, trafikuar mes vileve ende të gjelbra që vijnë nga Kolumbia a Ekuadori, nëpër kuti bananesh të kompanive të respektuara.

Janë po ato kuti ku filloi.

Llogaritja e vendit tonë brenda ekosistemit latinoamerikan besohet se kishte filluar në fakt shumë më herët. Së paku që në ditët e para të dhjetorit 2009 në gazetat opozitare të Tiranës së kohës bëri zhurmë një lajm nga bota, që, në pamundësi të citimit në origjinal, e sjellim si e pasqyroi në replika gazeta proqeveritare 55, e skandalizuar, në numrin e saj të datës 14 dhjetor të atij viti:

Presidenti i Kosta Rikës, Oskar Arias, gjatë një takimi me kandidatët kryesorë të Hondurasit, ka përmendur edhe Shqipërinë, duke e marrë si shembullin më të keq të Republikave të Bananeve. (sic!)

Parathënia e botimit të dytë të « Republick of Albanania », Onufri, Tiranë, 2025