Disfata me Skënderbeun, Karoglan pranon problemet: Duhet të përmirësohemi, kjo skuadër nuk është aq e keqe
Tekniku i Partizanit, Mislav Karoglan tregoi këndvështrimin e tij pas humbjes 0-2 ndaj Skënderbeut.
“E nisëm shumë mirë në 10 minutat e para. Kishim rast të artë që në minutën e dytë me Humen. Më pas, në 10 minuta kërkuam golin e avantazhin që t’i jepnim besim skuadrës”.
“Pas asaj kishte shumë tranzicione. Fatkeqësisht në fillimin e pjesës së dytë erdhi tranzicioni kur shënuan penalltinë. Me të vërtetë shumë penallti e lehtë, jo një penallti me çfarë pashë unë”.
“Problemi është që luajmë çdo 3, 4 apo 5 ditë. Nuk kam kohë të bëj maksimumin e punës që dua të bëj. Tani është një proçes që duhet shpejtuar nga ana jonë. Mija është jashtë. Joviçiç, lojtari i ri, do e shohim shumë kur do të jetë gati. Nuk kemi shumë opsione. Kur flasim për mbrojtjen, gjëra bazike”.
“Gjatë analizës së Partizanit që kam bërë, kam vënë re shumë probleme në skuadër. Të jem i sinqertë. E di se Aliu apo Mija, janë lojtarë që mund të përmirësojnë skuadrën siç besoj unë. Nuk e dija kur erdha se ata kishin pak dëmtime. Kam parë probleme nga ana fizike dhe psikologjike të lojtarëve, që nuk janë aty ku lojtarët e Partizanit duhet të jenë”.
“Unë vij nga klube të mëdha, siç është edhe Partizani gjithashtu. Tani situata është që duhet të përshtatemi maksimalisht në çdo ndeshje. Duhet të kemi lojtarët e mirë në dispozicion që aktualisht nuk janë. Besoj se pas pushimit të kombëtareve do jemi skuadër më e mirë, me më shumë automatizma. Kjo skuadër nuk është aq e keqe sa po duket tani”.
