Fabrika franceze e talenteve sfidon Real Madrid dhe Manchester City! Nga Dembélé te Camavinga dhe Doué, Rennes nxjerr yjet e futbollit botëror
Klubi francez Stade Rennais po kthehet në një nga akademitë më të suksesshme të futbollit europian, duke rivalizuar gjigantë si Real Madrid, Barcelona dhe Manchester City për prodhimin e talenteve.
Nga Ousmane Dembélé te Eduardo Camavinga dhe Désiré Doué, Rennes ka ndërtuar një sistem që po furnizon klubet më të mëdha dhe madje edhe kombëtaren franceze.
Sipas një analize të publikuar nga gazeta britanike The Times, suksesi i klubit francez nuk lidhet vetëm me talentin e futbollistëve, por mbi të gjitha me një sistem të veçantë zbulimi, përzgjedhjeje dhe zhvillimi të lojtarëve të rinj.
Të dhënat e CIES Football Observatory e rendisin Rennes në vendin e katërt në Europë për numrin e futbollistëve të formuar në akademinë e tij që aktualisht aktivizohen në pesë kampionatet më të mëdha europiane. Në këtë listë, klubi francez ka 28 lojtarë, pas Real Madridit me 40, Barcelonës me 34 dhe Manchester Cityt me 29.
Një nga momentet që dëshmoi nivelin e kësaj akademie ishte grumbullimi i shtatë futbollistëve të formuar në Rennes në kombëtaren franceze, në listën e parë të trajnerit Zinedine Zidane. Mes tyre janë fituesi i Topit të Artë, Ousmane Dembélé, Désiré Doué, Eduardo Camavinga, Andy Diouf, Lucas Da Cunha, Adrien Truffert dhe Jérémy Jacquet.
Pas këtij suksesi qëndron një rrjet i gjerë vëzhguesish, të cilët ndjekin nga afër futbollistët e rinj në rajonin e Bretanjës dhe në të gjithë Francën. Drejtuesi i zbulimit të talenteve, Philippe Barraud, shpjegon se puna e tyre nuk mbështetet vetëm te raportet teknike dhe statistikat, por edhe te vlerësimi personal i potencialit të një lojtari.
Një shembull është Eduardo Camavinga, i cili u zbulua nga vëzhguesit e klubit në një zonë rreth 70 kilometra larg Rennes. Ndërsa Désiré Doué ra në sy gjatë një prove që po zhvillonte vëllai i tij, Guéla, pasi trajnerët vunë re aftësitë e jashtëzakonshme që tregonte me topin.
Edhe historia e Jérémy Jacquet tregon filozofinë e klubit. Mbrojtësi, i cili më vonë kaloi te Liverpool, pësoi një dëmtim gjatë një ndeshjeje seleksionimi. Megjithatë, drejtuesit e Rennes nuk hoqën dorë prej tij dhe i dhanë një tjetër mundësi për t’u provuar. Edhe pse zhvillimi i tij u shoqërua me dëmtime dhe vështirësi, klubi besoi te potenciali i tij.
Sipas drejtuesve të akademisë, nuk ekziston një formulë e vetme për të gjithë futbollistët.
Çdo talent trajtohet në mënyrë individuale, duke marrë parasysh karakteristikat dhe nevojat e tij. Një rëndësi të veçantë ka edhe familja, me drejtuesit që mbajnë kontakte të vazhdueshme me prindërit për të ndjekur zhvillimin e të rinjve.
Një tjetër element i rëndësishëm është investimi në infrastrukturë. Rennes ka hapur një qendër të re stërvitore me vlerë rreth 40 milionë euro, ku të rinjtë kanë në dispozicion fusha moderne, ambiente akomodimi, palestra dhe hapësira të dedikuara për përgatitjen fizike e rikuperimin.
Megjithatë, klubi përballet me një vështirësi të madhe: mbajtjen e talenteve. Për shkak të diferencave financiare me gjigantët europianë dhe nevojës për të siguruar të ardhura, Rennes shpesh detyrohet të shesë futbollistët e tij më premtues.
Pavarësisht kësaj, modeli i tij vazhdon të prodhojë rezultate. Për Rennes, objektivi nuk është vetëm të zbulojë një futbollist të talentuar, por ta shoqërojë atë në çdo fazë të zhvillimit, nga hapat e parë në akademi deri në nivelin më të lartë të futbollit europian.
Një filozofi që ka bërë që një klub me shumë më pak të ardhura se Real Madrid apo Manchester City të jetë sot në të njëjtën garë për prodhimin e yjeve të futbollit botëror.
