Fri, Nov 13, 2026

Kampion në Formula 1, Antoneli paralajmëron Mercedesin: Vitin e ardhshëm e nisim nga zero

Kampion në Formula 1, Antoneli paralajmëron Mercedesin: Vitin e ardhshëm e nisim nga zero
  • PublishedNovember 13, 2026

Dominimi i Mercedesit në Formula 1 mund të mos zgjasë shumë. Pavarësisht sezonit të jashtëzakonshëm dhe suksesit të Kimi Antonelit, ndryshimet e mëdha në rregulloren teknike për vitin 2027 pritet të rihapin luftën mes skuadrave dhe të sjellin një rishpërndarje të forcave në kampionatin botëror.

 

Kampioni italian, i cili së bashku me Mercedesin ka siguruar titujt e pilotëve dhe të konstruktorëve, pranon se rivalët po afrohen gjithnjë e më shumë dhe se është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë në sezonin e ardhshëm. “Rivalët tanë janë afruar shumë. Forcat ndryshojnë nga një pistë në tjetrën. Në disa cirkuite jemi ne më të shpejtë, ndërsa në të tjera janë Ferrari, Red Bulli apo MekLareni.

Është e vështirë të parashikosh se si do të nisë sezoni i ardhshëm”, deklaroi Antoneli, në një intervistë për “AutoRacer”. Ndryshimet e rregullores, veçanërisht ato që lidhen me njësitë e fuqisë dhe aerodinamikën, mund të ndryshojnë ndjeshëm hierarkinë aktuale. Reduktimi i forcës aerodinamike dhe rregullat e reja për motorët do t’i detyrojnë skuadrat të zhvillojnë koncepte të reja për makinat e tyre.

“Ndikimi do të jetë i madh. Forca aerodinamike do të reduktohet dhe skuadrat do të duhet të punojnë për të rikuperuar humbjet. Në pjesën e përparme të makinës do të jetë sikur të nisim nga zeroja”, theksoi piloti italian.

Pikërisht këtu qëndron edhe mundësia për rivalët e Mercedesit. Ferrari, MekLareni dhe Red Bulli shpresojnë të përfitojnë nga ndryshimet teknike për t’u rikthyer në luftën për titull, ndërsa një rol të rëndësishëm mund të ketë edhe skuadra Aston Martin. Edhe vetë Mercedesu e pranon se suksesi i deritanishëm nuk garanton vazhdimësinë e dominimit.

Toto Volf ka theksuar se vitet e fundit e kanë ndihmuar skuadrën të mësojë nga gabimet dhe të ndërtojë një strukturë më të fortë. Megjithatë, mesazhi i Antonelit është i qartë: sezoni i ardhshëm mund të ndryshojë gjithçka. “Makina do të jetë ndryshe dhe nuk e dimë ende se si do të sillet në pistë. Është emocionuese, sepse të gjithë do të nisim nga zeroja.

Do të jetë interesante të shohim se cila skuadër do të përshtatet më mirë dhe kush do të bëjë punën më të mirë”, përfundoi kampioni italian. Kështu, pavarësisht epërsisë së Mercedesit, Formula 1 po përgatitet për një kapitull të ri, ku asnjë skuadër nuk mund ta konsiderojë veten favorite të padiskutueshme.



“ ✓”