Nga Fundo e Zef Mala te Lulo e Gjinishi, vrasjet e komunistëve gjatë luftës me urdhër të Enver Hoxhës! Si i shpëtoi pritës Sadik Premtja
PROF. DR. ELMAS LECI
Edhe një herë këto ditë lëviz në ajrin tonë të ndotur politik pyetja: Enver Hoxha ka qene “Shenjt apo Djall”?! Pyetjes së mësipërme po i japim përgjigje në vijim me fakte, me pushkatimet që porositur vetë Enver Hoxha me firmën e tij që gjatë luftës. Ato pas çlirimit do i kemi objekt në studimet e ardhshme.
ENVER HOXHA PËR ZEF MALËN:
“…Zef Mala jo vetëm që nuk duhet të shkojë në Kosovë, por ai duhet të dekorohet me plumb kresë. Ai s’është i mirë, prandaj duhet të zhduket. Gjeni mënyrën që të mos kuptohet, por në asnjë mënyrë të mos lihet kjo gjë pas dore, sikur ka bërë Hyseni (Gogo Nushi) me të tjera këshilla, që i kemi dhënë për të cilat do të përgjigjet. Të fala shoqërore – Tarasi”.
Kjo ndodhi kur Zef Mala u kthye nga internimi në Itali e shkoi partizan në Pezë, ku Myslim Peza i tha: “Ik o bir e mçifu në Tiranë se dun me t’vra”! Për këtë Myslym Peza kishte parë një letër, ose më saktë Nako Spiro i kishte treguar Myslim Pezës (se Myslimi nuk dinte të lexonte!) një letër të Enver Hoxhës, ku ky i shkruante Nako Spiros për ta vrarë Zef Malën. Siç duket, Enver Hoxha kishte zbuluar se pas largimit nga Peza sipas “këshillës” së Myslim Pezës, Zef Mala do të shkonte në Kosovë sepse atje kishte mbështetës të tij dhe do të vijonte çështjen kombëtare, të cilën e kishte nisur që në vitin 1938 në krye të grupit komunist të Shkodrës. Ai ndonëse ishte pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të partisë, nuk qe dakord me platformën e jugosllavëve në trajtimin e çështjes kombëtare shqiptare. Mendimet e tij, Zef Mala i shfaqi hapur aty në mbledhjen themeluese dhe kjo ishte arsyeja që ai u vu në shënjestrën e Miladinit e të Dushanit jugosllav dhe që me to “shënoi” edhe Enver Hoxha. Mendimet e tij, si intelektual i zëshëm i kohës, Zef Mala i kishte shprehur edhe në një libër (rast i rrallë i asaj kohe), të cilën e kishte shkruar dhe botuar me titullin: “Mbi zhvillimin ekonomik të Shqipërisë”. Por këto mendime progresiste të Zef Malës, që binin ndesh me mendimet e “dy jugosllavëve”, Enver Hoxha jep urdhër që të “vritej”. Pasi iku nga Peza, sipas porosisë së Myslim Pezës, Zef Mala u fsheh në Tiranë deri në mbarim të luftës dhe pas lufte, Enver Hoxha e gjeti që e gjeti dhe e dënoi këtë ideolog të lëvizjes komuniste shqiptare, i cili përfundoi burgjeve e internimeve, derisa vdiq në vitin 1976 në mjerim të plotë.
ENVER HOXHA PËR ZAI FUNDON:
“Zai Fundon ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni! Paraprakisht t’i kërkohet (Fundos) të japë shpjegime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë? Kush e ka dërguar dhe me ç’direktiva? Cilat janë qëllimet e Ganiut (Gani Kryeziut) dhe të anglezëve? Të japë shpjegime për aktivitetin e tij të mëparshëm. Deponimet e Zait na i dërgoni këndej me një njeri të sigurt. Zain e vrisni andej!”. Ky ishte urdhri i Enver Hoxhës nr. 46 dt.21.09.1944. Ky është urdhri në Arkivë, një urdhër vrasës i Enver Hoxhës, që u drejtohej Forcave të Armatosura të Ushtrisë Partizane në Veri të vendit. Urdhri ishte përgjigje ndaj njoftimit që i kishte ardhur Shtabit të Përgjithshëm se “në Kosovë ishte kapur nga forcat e Divizionit të V-të Zai Fundo”. Zai Fundo ishte një komunist i vjetër dhe antifashist i flaktë, por në të njëjtën kohë edhe një kundërshtar i fuqishëm i Enver Hoxhës. Në fakt, urdhri ishte i Enver Hoxhës, por vendimi ishte i jugosllavëve, madje shumë lart, i vetë Titos. Ekziston një letër tjetër e Titos dërguar Komitetit Qendror të PKSH më 22 shtator të vitit 1942, ku ai u hiqte vërejtjen për të dytën herë komunistëve shqiptarë për nevojën e luftës kundër trockistit Llazar Fundo, i cili “me të gjitha fuqitë (siç thuhet në letrën e Titos) ka punuar kundër”. Ja se çfarë shkruan Tito në letrën që përmendëm: “Trockistin Fundo dhe përkrahësit e tij duhet t’i demaskoni përpara anëtarëve të PKSH dhe t’i deklaroni armiq të hapur të IK (Internacionales Komuniste) dhe të Partisë Komuniste, duhet t’i inaktivizoni dhe t’i zhvlerësoni krejtësisht përpara radhëve të partisë”. Por Enver Hoxha e çoi më tej porosinë e Titos dhe me një urdhër të veçantë, pas shumë torturave të tmerrshme, e vranë militantin e vjetër Zai Fundo në Kosovë.
ENVER HOXHA PËR ANASTAS LULËN:
“Kur u larguam nga Labinoti – vetëtregohet numri dy i partisë, Hysni Kapo – Miladini e Dushani ngarkuan Mehmetin (Mehmet Shehun) që ta vriste Xhepin (Anastas Lulën). Sikur të më kishin thënë mua, unë kisha mundësi që ta bëja më mirë se Mehmeti këtë punë… Unë kisha mundësi të merrja masa më shumë se Mehmeti… Përse kjo gjë iu besua Mehmetit dhe jo mua?!
Për vrasjen e Anastasit, Ferik Çoraj nga Uznova e Beratit ka dëshmuar se “më 12 mars 1943 erdhën në shtëpinë time një grup partizanësh të çetës së Ramiz Aranitasit, që komandoheshin nga Orhan Frashëri… Ata na thanë se atë natë kishin pushkatuar në Qafë të Gllavës një partizan, që quhej Anastas Lula… e kishin pushkatuar të lidhur e me cigare në gojë, pasi kishte thirrur “Rroftë Shqipëria!”. Pas pushkatimit të Anastas Lulës, Enver Hoxha urdhëroi të njëjtën gjë edhe për Sadik Premten, i cili mundi t’u shpëtonte pritave që u bënë partizanët e Hysni Kapos në Tragjas të Vlorës. Kjo u quajt “dobësi” e shokëve “terroristë” të Vlorës, fakt që e pranon vetë ish-numri dy i partisë, Hysni Kapo.
ENVER HOXHA PËR SADIK PREMTEN:
Miladin Popoviçi dhe Enver Hoxha në mars të vitit 1943 dhanë urdhrin për ta vrarë edhe Sadik Premten, ashtu siç kishin bërë edhe me Anastas Lulën, pasi i kishin përjashtuar nga partia për grupazh. Arsyet nuk ishin ato të stërthëna e stërshkruara në dhjetëra vjet në ish-regjimin komunist për “frymë grupazhi” e “fraksionist antiparti”, por veçse për mosdakordësimin e tyre me politikën e dy jugosllavëve, Miladin e Dushan, në unision me ta edhe Enver Hoxha. Çështja që u diskutua atëherë mes tyre në Labinot, mes Miladinit ku me të ishte edhe Enveri si në Vlorë për të vrarë Sadikun, dhe Anastasit e Sadikut, ishte qëndrimi i këtyre të fundit i ndryshëm për të ardhmen e Kosovës. Sipas Miladinit e Enverit, “nuk ishte i kohës problemi i së ardhmes së Shqipërisë apo Kosovës, por çështje e Lëvizjes Komuniste të Jugosllavisë”. Për mendimet e qëndrimet e vendosura të Sadikut, që njihej në popull si Xhepi, që ishte nënkryetar i grupit Komunist të të Rinjve, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të partisë dhe së bashku me Anastas Lulën, që ishte kryetar i Grupit, përjashtohen nga partia në qershor të vitit 1942. Në shtëpinë ku u bë takimi përfundimtar në Vlorë përmendet një bisedë e tensionuar mes Miladinit në një anë dhe Anastasit e Sadikut nga ana tjetër, ku i zoti i shtëpisë deklaronte se këta dy komunistë i thanë atij në konfidencë se, “Miladini me Dushanin janë shovinistë serbë”. Por me gjithë organizimin e përpjekjet e Enver Hoxhës për ta vrarë Sadik Premten dhe për këtë ka dokumente, u ngarkua Mehmet Shehu, Sadik Premtja u shpëtoi pritave tinëzare.
ENVER HOXHA PËR MUSTAFA GJINISHIN:
“Sa për çështjen e Mustafa Gjinishit… unë kam qenë ai (Enver Hoxha, E.L.) që kam vendosur për këtë çështje”, (për vrasjen). Ky deklarim i Enver Hoxhës në Plenumin e Beratit se “unë kam qenë ai që kam vendosur për këtë çështje”, (për vrasjen e Mustafa Gjinishit) po atje në Plenumin e Beratit, me paturpësinë më të madhe, po aty për aty thotë se nuk di gjë “Vetëm di që më erdhi telegrami…që thoshte: Puna doli me sukses”! Më tej në diskutimet e tij ndërhyrëse gjatë mbledhjes, Enver Hoxha po vetë pranon e analizon se “terrorizmi si në popull, si në Ushtri, si në parti, tregon së pari; dobësinë e vijës sonë politike, së dyti; tregon mosbesimin në popull, së treti; tregon se ne nuk kemi lidhje me masat”. Për terrorizmin e majtistëve dmth., të vetë Enver Hoxhës dhe të komunistëve terroristë rrotull tij, tregojnë vetë diskutimet e delegatëve në “Katër ditët e Beratit”, të cilat bazohen në fakte e ngjarje konkrete. Mes shumë figurave të Luftës të asgjësuara me firmën e Enver Hoxhës, siç e theksuam edhe më sipër, ishte ajo e Mustafa Gjinishit. Njoftimi i Liri Gegës direkt për Enver Hoxhën se “urdhri u ekzekutua”, u zbulua në vitin 1956, kur vetë Liri Gega e dekonspiroi, por që këtë formalisht e nxorën para trupit gjykues dhe më pas e vranë edhe atë, edhe bashkëshortin e saj gjeneralin Dali Ndreun, ish-anëtarin themelues të Shtabit të Përgjithshëm, po me firmën e Enver Hoxhës. Si për të (që Liri Gega ishte edhe shtatzënë), edhe për bashkëshortin e saj, gjeneralin Dali Ndreu, Enver Hoxha e dha vetë masën e pushkatimit. Po kush ishte Liri Gega? Edhe kjo në vitin 1944 ishte anëtare e Shtabit të Përgjithshëm dhe gjatë Luftës Antifashiste kishte mbajtur mjaft detyra të rëndësishme, megjithatë Enver Hoxha e pushkatoi.
Le të bëjmë edhe një degresion për Mustafa Gjinishin. Vendimi për ekzekutimin e tij ishte i hershëm, po i Enver Hoxhës, madje që nga Konferenca e Mukjes. Se si ishte çështja e mbledhjes së Mukjes, do ta shpjegojmë, por le të flasim për ekzekutimin e Mustafa Gjinishit. Ishte 23 gushti i vitit 1944 kur në atë ditë në Peshkopi inaugurohej Brigada e 18 Sulmuese. Pikërisht në atë inaugurim ishte “ngarkuar” të përshëndeste dhe përshëndeti si anëtari i Shtabit të Përgjithshëm Mustafa Gjinishi. Tek po kthehej, nga një pritë në Qafën e Çenokut e qëllojnë dhe e vrasin. Për këtë vrasje, Enver Hoxhën e pyesin në Plenumin e Beratit dhe ai shprehej se “vrasja e Mustafa Gjinishit duhej bërë…”. Thënia e sipërcituar e Enver Hoxhës lidhej me Mukjen. Menjëherë pas saj, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi e urdhërojnë Enver Hoxhën për t’u mbledhur në Vithkuq e “për të analizuar qëndrimin e Mustafa Gjinishit dhe të Ymer Dishnicës në Mukje, lidhur me të ashtuquajturin kompromis që ata kishin bërë në atë mbledhje-marrëveshje, që po të kishte pasur jetë, Shqipëria sot do ishte ndryshe, do ishte Europë e Perëndim. Ende pa u kthyer Mustafa Gjinishi dhe Ymer Dishnica nga Mukja, Enver Hoxha me një fonogram mbledh urgjent në Vithkuq drejtuesit kryesorë të Ushtrisë dhe të partisë. Konkluzioni i Enver Hoxhës në atë takim ishte se “ata (Mustafa Gjinishi dhe Ymer Dishnica) duhen pushkatuar”.
ENVER HOXHA PËR MUSINE KOKALARIN:
“Akoma gjallë është kjo rrospia?!”, Enver. E ku e vendosi këtë shënim Enver Hoxha? Mbi shkresën e spiunimit që i kishte ardhur nga ato të qeverisjes së Rrëshenit. Dhe kujt?! Musine Kokalarit, doktoreshës së shkencave, vajzës së parë shqiptare mbrojtur për letërsi në “La Sapienza”, në Romë, me studimin për jetën dhe veprën e Naim Frashërit. Rezulton se me një shkrim nervoz, diktatori bën shënimin: “Akoma gjallë është kjo rrospia”?! Enver. Kishin kaluar mbi 30 vjet që nga koha kur një nga gratë më të ditura dhe të bukura të Shqipërisë kishte nisur kalvarin e vuajtjeve. Dy vëllezër të pushkatuar që në ditët e para kur krerët komunistë zaptuan hotel “Dajtin” e më pas për të do vazhdonte burgu, librat e saj do të ndaloheshin, doktoratura e mohuar dhe dekadat e jetës që kaloi deri sa e çuan për në banesën e fundit, hipur në karrocën e plehrave, ishin vetëm tortura fizike, përbuzje e vuajtje, vetëm e vetëm për një tekë pasionante të Kryekriminelit Enver Hoxha.
HYSNI KAPO PËR VRASJET TERRORISTE:
“Gjëja më e keqe te ne ka qenë fryma terroriste si në organizatat, ashtu edhe në ushtri… – diskuton Hysni Kapo në Berat 1944. Si provë terrorizmi më i keq, është vrasja e shokut Mynir Xhindi. Po ta shikojmë çështjen mirë… ai nuk duhej vrarë. Është vrarë për hiçgjë… ka mbisunduar mendimi i Lirisë (Liri Gega), pse ne shikonim tek ajo gojën e dy shokëve jugosllavë. Shpirti terrorist ekziston edhe sot, edhe te përgjegjësit… Këtë shpirt e ka futur Dushani, që na fliste me simpati për një punë të tillë”.
MANUSH MYFTIU PËR PUSHKATIMET:
“Në Vlorë ne kemi pas menduar se ata që s’ishin me ne, duhej të zhdukeshin. Në Vlorë kishim një listë prej 42 vetash, që i kishim dënuar me vdekje, por një pjesë e tyre s’kishin faj… Në Buzëmadhe (fshat në Kukës), dërguam aty Shefqet Peçin dhe Çobanin (Hito Çakon). Ata mblodhën fshatin dhe pushkatuan 21-22 veta… Për Kurdarinë (fshat në Lumë), ne vendosëm (ky ishte mendimi i Besnikut, Hysni Kapos) që të pushkatohej kushdo që gjendej rrugës. Dhe ashtu u bë. Kur forcat tona u futën në Kurdari, vranë 20 fshatarë. U bënë të gjitha të këqijat që mund të bënte një forcë mercenare”. Rrëfimit të saktë në Plenumin e Beratit për aplikimin e terrorizmit të majtë, nuk i ka shpëtuar as Kristo Themelko (Shulja), i cili theksonte se “duke mos pasur tjetër rrugë për suksese, ne kemi kaluar në rrugën e terrorizmit. Ne s’kemi pasur perspektivë politike. Rryma jonë terroriste ka lindur si vijë që erdhi duke u zgjeruar deri në ditët e sotme… Përsa i përket terrorizmit, për veten time nga jeta e keqe që kisha kaluar gjatë dimrit (operacionit të dimrit), krijova bindjen se të gjithë elementët kundra nesh, duheshin zhdukur që tani… Kur unë kam biseduar me Enverin, ai më ka këshilluar se kur të hynim nëpër qytete, do t’i spastronim të gjithë kundërshtarët politikë, prandaj kur hyra në Tiranë, kërkova një listë për këta elementë…”, – zbërthehet në Berat Manush Myftiu dhe demaskon vijën e qartë terroriste që aplikonte Enver Hoxha.
ENVER HOXHA PËR TERRORIZMIN E VET:
“Në këtë pikë, në vijën terroriste, unë isha pasqyra e Aliut, pseudonimi i Miladin Popoviçit. Kur vinte ndonjë nga fronti, ku thuhej se ky apo ai po vepronte keq, ne vendosnim ta vrisnim… Vjen raporti nga Gogoja për Sotir Kondin dhe ne i themi atij që ta vriste. Vjen një raport për Anastas Plasarin e për Zef Malën, ne japim udhëzime, të vriten! Vjen raport nga Shulja, i cili kërkon të vejë e të piqet me Gani Kryeziun, gjoja për punën e Fundos, ne marrim masa ekstreme”.
Konkluzione historike për Enver Hoxhën rreth pyetjes hipotetike a ishte “Shenjt apo Djall”?!
Nuk do fare mend, Djall. Vetëm dokumentet që cituam tregojnë gjithçka, tregojnë vetëm Djallin, Kryekriminelin e historisë sonë fatkeqe 50-vjeçare, Enver Hoxhën dhe regjimi që ngriti dhe i imponojë ai popullit në Shqipëri. Enver Hoxha është i vetmi nga liderët e rrallë komunistë të Europës Lindore, që i ka lënë me dokumente të shkruara urdhrat e tij për vrasje të hapura e të fshehura të kundërshtarëve apo të rivalëve të tij politikë. Edhe Stalini, satanai më i madh i njerëzimit për vrasje, nuk ka dokumente autentike, shënime personale si të Enver Hoxhës për vrasjet pas shpine. Edhe pas mbarimit të Luftës, Enver Hoxha vijoi me eliminimet e shokëve e të bashkëpunëtorëve, me Koçi Xoxen e me radhë e pa fund, objekt këto i artikujve të tjerë historikë, megjithatë po i cek pak për mbështetje të konkluzioneve. Vrasjet e ’56 me Tuk Jakovën e Bedri Spahiun, ato të ’74 me Beqir Ballukun, Abdul Këllezin, etj., ato të 1981-1982 me Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun etj. (jo se ishin patriotë ata, se kriminelë kanë qenë të gjithë në shërbim të kryekriminelit Enver Hoxha), por se ai i vrau për kolltukun e tij. Po të burgosurit politikë, për arsye politike 10.133 burra dhe 7.367 gra (nga të cilët 1.065 kanë vdekur gjithsej), kanë humbur aftësinë mendore nga torturat 408 njerëz, janë internuar për motive politike 20.000 familje, nga të cilët kanë vdekur 7.022 persona në zonat e internimit, po këto ku t’i çojmë zoti Niko Peleshi (kupto Rama) apo në koshin e historisë?! Ashtu doni ju! Po të pushkatuarit me gjyqe e pa gjyqe, që janë pushkatuar 5.577 burra dhe 450 gra, ku t’i çojmë zoti Niko, apo në hamam të hyrës, atje ku i kanë çuar dikur “baballarët” tuaj komunistë që përfaqësoni?! Sa shpejt doni të harrojë ky popull?! Po bëmat e tjera makabre të Kryekriminelit Enver Hoxha me internimet pa sens, kolektivizimin pa ushqime, bunkerizimin pa kriter, uzinat arkivole vdekje, këto e të tjera si t’ua fshehim të rinjve?! Sa shpejt kërkoni të harrojmë pabukësinë e jetesës komuniste, tollonin, jetesën nën terror se po na sulmojnë sot a nesër superfuqitë, krijesa me absurde për ta mbajtur popullin nën terror, kur nuk ka pasur asnjë plan okupimi a program pushtimi për ta sulmuar popullin shqiptar?! Vetëm pallavra! Sa shpejt doni, e doni ta lini popullin pa memorie?!
Autori, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes
/Gazeta Panorama