Formula 1/ Norris “parakalon” Piastri-n, britaniku triumfon në Meksikë e merr vendin e parë në renditje
Lando Norris konfirmon formën e shkëlqyer dhe fiton për herë të gjashtë këtë sezon në pistën e Mexico City! Piloti britanik i McLaren triumfon nga pole position dhe ngjitet në krye të kampionatit të pilotëve, duke kaluar shokun e skuadrës, Oscar Piastri, me vetëm një pikë diferencë.
Kjo është fitorja e dhjetë në karrierë për Norris, secila në një pistë të ndryshme – një statistikë që deri tani e kishte arritur vetëm Michael Schumacher.
Në podium Norrisin e shoqëruan Charles Leclerc me Ferrarin dhe Max Verstappen me Red Bullin. Leclerc përfitoi nga një Virtual Safety Car në xhiron e parafundit për t’u mbrojtur nga rikthimi i Verstappenit me goma më të shpejta. Strategjia me një ndalesë rezultoi vendimtare për të tre.
Pas tyre, surpriza e garës: Oliver Bearman me Haas, i cili mban vendin e katërt pas një paraqitjeje të shkëlqyer, përpara Oscar Piastrit.
Më pas vijnë Mercedesët e Andrea Kimi Antonelli dhe George Russell, ndërsa Lewis Hamilton përfundon vetëm i teti, i ndëshkuar me 10 sekonda penalitet pas një incidenti me Verstappen në fillim të garës.
Falë këtij rezultati, Ferrari i merr sërish vendin e dytë në Botërorin e Konstruktorëve, me vetëm një pikë epërsi ndaj Mercedesit – 356 kundrejt 355.
Një garë emocionuese në Meksikë, me Lando Norris që konfirmon se është në luftë të plotë për titullin botëror!
