Kthimi në detyrë i Erion Veliajt nga Gjykata Kushtetuese, DW: Precedent i pazakontë! Përplasja mes institucioneve testoi funksionimin e shtetit të së drejtës! Kush janë pasojat në administrimin e bashkisë
Një kryebashkiak në paraburgim, një vendim qeverie për shkarkim, një dekret presidencial për zgjedhje të parakohshme dhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese që i kthen kryebashkiakut në paraburgim kompetencat e plota.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i marrë më 3 nëntor, i dha fund ngërçit institucional duke vendosur t’i kthejë kompetencat kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Me këtë vendim, zgjedhjet e shpallura për Tiranën për datën 9 nëntor nuk do të zhvillohen dhe Veliaj mbetet në detyrë deri në përfundim të mandatit të tij.
Përplasja testoi funksionimin e shtetit të së drejtës
Kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej muajit shkurt të këtij viti, ndërsa procesi i shkarkimit të tij krijoi një përplasje mes institucioneve më të larta të shtetit. Juristi Jordan Daci, profesor i asociuar, e cilëson rastin si një precedent të pazakontë në historinë kushtetuese të vendit, rast për të cilin u bë e domosdoshme ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese për të korrigjuar veprime të gabuara nga disa institucione njëherësh.
“Sfida më e madhe kushtetuese u shkaktua nga pakujdesia e Presidentit të Republikës dhe më pas nga vendimmarrja e Këshillit të Ministrave”- thotë Daci për DW. “Nëse Gjykata nuk do të kishte pezulluar zbatimin e vendimit, Shqipëria do të përballej me dështim të plotë kushtetues.”
Precedent i pazakontë
Rasti përbën një precedent të pazakontë edhe sepse, për herë të parë, në një çështje të tillë para Gjykatës Kushtetuese mori pjesë një person në paraburgim. Po ashtu u zbatua për herë të parë neni 62 i Ligjit për Vetëqeverisjen Vendore, i cili parashikon shkarkimin e një kryebashkiaku që mungon për tre muaj rresht. Por, sipas Dacit, ky nen “u interpretua në mënyrë të gabuar dhe në kundërshtim me Kushtetutën”, e cila në nenin 115 përcakton qartë se shkarkimi mund të bëhet vetëm për “shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjit”.
Gjykata Kushtetuese vlerësoi se mungesa fizike e kryebashkiakut, nëse nuk është rezultat i vullnetit të tij, nuk mund të konsiderohet shkak për shkarkim. “Pavarësisht se çfarë parashikon ligji për vetëqeverisjen vendore, asgjë nuk përbën shkelje të rëndë, nëse nuk cilësohet si e tillë nga vetë Kushtetuta”- shpjegon Daci. “Ose ligji duhet shpallur jokushtetues, ose duhet interpretuar në përputhje me Kushtetutën, siç bëri Gjykata” – shton ai.
Pasojat në administrimin e Bashkisë
Bashkia e Tiranës, ku jeton rreth një e treta e popullsisë së Shqipërisë dhe ku përqendrohen shumica e shërbimeve publike, është njësia më e madhe vendore e vendit. Për muaj me radhë ajo është drejtuar në mungesë të kryetarit nga katër nënkryetarë të rinj, të emëruar më 31 korrik pas dorëheqjes së ekipit të mëparshëm. Emërimet u zyrtarizuan në kuadër të një “rifreskimi të drejtimit vendor” të kërkuar nga kryeministri Edi Rama, në një periudhë kur Erion Veliaj ndodhej në paraburgim.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nën akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie./DW
