Deputeti i opozitës: Balluku duhet të ishte sot në Kuvend, sektori energjetik me 17 mln euro borxhe!
Opozita vuri në dukje sot mungesën e paprecedentë në Kuvend të zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila duhet të jepte llogari për skandalin e tunelit të Llogarasë, për të cilin është marrë e pandehur nga SPAK.
Deputeti Eno Bozdo tha nga foltorja e Parlamentit se Balluku duhet të ishte në sallë dhe të përgjigjej për gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, mes tyre edhe borxhi prej 17 milionë eurosh që kanë sektorët në varësi të saj përgjatë vitit 2024.
Ligjvënësi vuri në dukje edhe abuzimet me fondet buxhetore, të gjetura zyrtarisht në raportin e KLSH
“Ky raport nuk mund të lexohet i shkëputur nga raporti tjetër i KLSH që flet për buxhetin faktik të vitit 2024. Mirë do të ishte që, megjithë hallet që ka, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë të ishte këtu. Flitet për një borxh të KESH-OST-OSHE, që arrin 17 milionë euro, një shifër e jashtëzakonshme. Janë kthyer në trend punësimet partiake, ku marrin aty “me kuç e me maç”, tha deputeti.
Ai ngriti shqetësime edhe për gjendjen në Ujësjellës kanalizime, Tatime dhe Dogana, si dhe punësimet me patronazhistë në institucione.
“E njëjta gjë ndodh edhe me sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve. Do të doja të ngrija edhe një çështje tjetër, 1,5 milionë euro detyrime të prapambetura te Drejtoria e Tatimeve, 500 milionë euro te Doganat dhe 2,6 miliardë lekë taksa që nuk shkojnë te shqiptarët. Nuk janë bërë përpjekjet e duhura për t’u mbledhur ky borxh. Një drejtor në Tiranë kishte emëruar 40 këshilltarë, një gjë që Rama nuk e kishte ditur”, u shpreh Bozdo.

