ASAP Rocky përballet me padi prej 1 milion eurosh, pas përmbytjes që shkatërroi apartamentin e fqinjit
Reperi i njohur amerikan dhe partneri i Rihannës, ASAP Rocky, po përballet me një padi të majme prej rreth 1 milion eurosh, pasi një përmbytje në apartamentin e tij në New York ka shkaktuar dëme të mëdha në banesën e fqinjit poshtë tij.
Sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga Daily Mail, incidenti ka ndodhur në dhjetor 2024, kur punëtorët e kompanisë ADE Pro Painting, hapën dritaret për të ajrosur hapësirën gjatë punimeve. Kjo ka bërë që temperaturat e ulëta të ngrijnë tubat e ujit, duke shkaktuar më pas një shpërthim të tyre dhe përmbytje masive në apartamentin poshtë.
Pronari i dëmtuar pretendon se përmbytja e ka bërë banesën e tij tërësisht të pabanueshme, ndërsa dëmet materiale arrijnë në rreth 610 mijë euro, përfshirë pajisjet, mobiliet dhe sendet personale. Përveç kësaj, ai ka shpenzuar edhe 173 mijë euro për akomodim të përkohshëm.
Në padi, përgjegjësia i atribuohet vetë ASAP Rocky-t, kompanisë së punimeve ADE Pro Painting, si dhe bordit të ndërtesës. Ata kërkojnë të paktën 185 mijë euro për shpenzimet e paguara nga xhepi i tyre si rezultat i “detyrimit” për të gjetur strehim alternativ. Ata kërkojnë gjithashtu 830 mijë euro si rezultat i të gjitha dëmeve të shkaktuara në pronën e tyre.
Ky zhvillim vjen pas një periudhe të trazuar për artistin, i cili vetëm pak muaj më parë u lirua nga akuzat për armëmbajtje pa leje. Aktualisht, ai është rikthyer në jetën familjare, duke u përqendruar tek partnerja e tij Rihanna, dy djemtë dhe vajza e tyre, Rocki Irish Mayers.
