Fri, Nov 7, 2025

Për çfarë i kërkon Princ Harry falje Kanadasë?!

  • PublishedNovember 7, 2025

Princi Harry ka vendosur të sqarojë të ashtuquajturin “Hatgate” dhe t’i kërkojë falje Kanadasë për incidentin që ngjalli reagime në rrjete sociale. Gjithçka nisi më 28 tetor, kur dukët e Sussex-it, Harry dhe Meghan Markle, u shfaqën në Game 4 të World Series në stadiumin e Los Angeles Dodgers. Në vend që të mbante një kapelë të ekipit kanadez Toronto Blue Jays, Harry u pa me logon e Dodgers, duke shkaktuar zhgënjim tek shumë fansa kanadezë, të cilët e akuzuan se nuk po tregonte mbështetje për një vend të Komonuelthit.

Gjatë një interviste për CTV News më 6 nëntor, teksa ndodhej në Toronto për aktivitetet e Ditës së Përkujtimit, Princi Harry reagoi me humor ndaj polemikës.

“Oh, kapela e Dodgers, Hatgate! Së pari, dua t’i kërkoj falje Kanadasë,” tha ai me një buzëqeshje. “Së dyti, isha nën presion. U ftova në tribunën e Dodgers nga vetë pronari, dhe mendova se ishte e sjellshme të vishja kapelën e tyre.”

Harry, megjithatë, u kujdes ta kthente situatën me shaka, duke vendosur një kapelë të Blue Jays gjatë intervistës. “Do ta mbaj këtë tani e tutje që të mos bëj më gabime të tilla,” shtoi ai.

Pavarësisht incidentit, Princi e shfrytëzoi momentin për të riafirmuar dashurinë e tij për Kanadanë, vend ku ai dhe Meghan kanë kaluar periudha të rëndësishme të jetës së tyre.