“Nuk më trajtuan kështu as në Arabinë Saudite”/ Volejbollistja braziliane Nayara Ferreira e tronditur pas testit të gjinisë në Shqipëri
Një ngjarje e pazakontë në sportin shqiptar ka tronditur botën e volejbollit. Volejbollistja braziliane Nayara Ferreira, që luan për ekipin e Dinamos në kategorinë e parë të volejbollit për femra, është detyruar t’i nënshtrohet një testi për përcaktimin e gjinisë pas ankesave të dy ekipeve rivale. Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) vendosi gjithashtu ta pezullojë përkohësisht nga aktiviteti sportiv, gjë që, sipas sportistes, e ka lënë të “shkatërruar dhe pa fjalë”.
“Ndjej sikur jam shkatërruar, sikur po humbas mendjen, sepse mendoj shumë pse më ndodhi kjo, pse ma bënë këtë,” tha Ferreira për DW. “Çdo ditë në dhomën time e pyes veten për këtë dhe deri tani nuk e di përgjigjen. Nuk e kuptoj pse jam në këtë situatë.”
Ferreira tregon se as në vendet më konservatore ku ka luajtur, si Arabia Saudite, nuk është përballur me një trajtim të tillë.
“Më kërkuan të bëja një test gjinie. Kam luajtur në shtatë vende, përfshirë edhe Arabinë Saudite. Kurrë më parë nuk më është bërë një pyetje e tillë,” shprehet ajo.
Pezullimi i sportistes u vendos në tetor, pasi ekipet kundërshtare paraqitën dokumente dhe kërkuan verifikime të mëtejshme mbi gjininë e saj. Në kërkesën e Federatës thuhet se “analizat përkatëse do të kryhen për të verifikuar performancën fizike natyrore dhe për të përcaktuar gjininë e lojares së ekipit Dinamo, Estephanie Goulart Ferreira Nayara”.
Klubi Dinamo e ka konsideruar vendimin si absurd dhe thellësisht ofendues për një sportiste me përvojë ndërkombëtare dhe karrierë të gjatë. Ferreira ka qëndruar e pezulluar për tri javë, duke humbur tri ndeshje të rëndësishme, ndërsa thotë se gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka marrë asnjë shpjegim zyrtar nga FSHV.
“Nuk kam fjalë ta përshkruaj se si ndihem. Pse po ma bëni këtë [FSHV]? Vetëm sepse shikoni fytyrën time, vetëm sepse shikoni flokët e mi?”, tha ajo.
Ferreira pranon se e bëri testin me dëshirë, por vetëm për të ndihmuar klubin e saj.
“Nuk kam nevojë t’i dëshmoj askujt që jam grua, sepse jam grua. Kjo është 100%.”
Kapitenia e Dinamos, Elena Bego, tregoi se lajmi për pezullimin e shokës së ekipit i kishte lënë të gjitha vajzat të tronditura.
“Ishte pjesërisht detyra ime t’ua komunikoja vajzave të tjera. Të gjitha mbetëm të shokuara, ky rast është tepër skandaloz. Ne e kemi mbështetur Nayara-n gjatë gjithë kohës, sepse e dimë që ajo është vajzë,” tha Bego për DW.
Trajneri i Dinamos, Orlando Koja, nënvizoi se pezullimi i Ferreira-s ka ndikuar edhe në performancën sportive të ekipit, pasi mungesa e saj në fushë ka qenë një humbje e ndjeshme.
Përtej aspektit personal, Ferreira e sheh këtë ngjarje si një problem më të gjerë që prek respektin dhe dinjitetin e grave në sport. “Mendoj se pas kësaj situate duhet të reflektojmë se çfarë do të thotë respekti. Sepse me gjëra të tilla ata i shkatërrojnë gratë në sport,” u shpreh ajo.
Debati për identitetin gjinor në sportin e femrave është bërë gjithnjë e më i mprehtë në arenën ndërkombëtare, veçanërisht pas polemikave rreth boksieres algjeriane Iman Khelif, që fitoi medalje të artë në Lojërat Olimpike të Parisit. Në këtë linjë, Federata Botërore e Atletikës ka vendosur që testet e gjinisë të jenë të detyrueshme për të gjitha sportistet që marrin pjesë në garat ndërkombëtare.
Rasti i Nayara Ferreira-s ka hapur një debat të ri mbi kufirin mes kontrollit institucional dhe respektit ndaj integritetit personal të sportisteve, duke ngritur pyetje të forta për mënyrën se si trajtohen gratë në sportin shqiptar.
