Sun, Nov 9, 2025

“Rreze zjarr” shpallet fituese! Arsi Bako triumfon në skenën e RTK-së

  • PublishedNovember 9, 2025

Arsi Bako është shpallur fituese e edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK, duke marrë trofeun “Diamanti i Kaltër” me këngën “Rreze zjarr”, një krijim me frymë rock dhe interpretim energjik që arriti të ngjallë emocion dhe duartrokitje në sallë. Pas shpalljes së rezultatit, atmosfera në skenë u mbush me entuziazëm, ndërsa Arsi u përqafua nga ekipi i saj dhe kolegët pjesëmarrës.

“Nuk e kam pritur. Ndihem shumë e lumtur. Shumë faleminderit,” u shpreh ajo e emocionuar, duke nënvizuar se kjo fitore për të përfaqëson një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e saj artistik.

Në renditjen finale, vendi i dytë shkoi për Florent Abrashin me këngën “Unë dhe Ti”, një baladë e fuqishme vokale, ndërsa Arjeta Palushaj siguroi vendin e tretë me “Andrra”, e cila u vlerësua për atmosferën e saj të veçantë.

Përveç çmimit kryesor, Arsi Bako u vlerësua edhe me “Çmimin e Kryeqytetit”, një tjetër dëshmi e ndikimit të përformancës së saj tek publiku dhe juria.

Në natën finale u ndanë edhe disa çmime të tjera:
• Çmimi i Orkestrës – Art Lokaj me këngën “Ty”
• “Pena e Argjendtë” për tekstin më të mirë – Teutë Halili me “Amin”

Finalja e edicionit të sivjetshëm solli në skenë 10 finalistët e përzgjedhur nga gjysmëfinalja, duke krijuar një mbrëmje të pasur artistikisht. Përveç garës, spektakli u gjallërua edhe nga performancat e të ftuarve specialë: Gjon’s Tears, Dren Abazi, Elvana Gjata dhe Tuna, të cilët ndezën atmosferën me interpretimet e tyre, duke e kthyer natën në një festë të muzikës live dhe skenës shqiptare.