Harry Kane na prish “magjinë”, Shqipëri dinjitoze ndaj Anglisë, ëndrra vijon
Keqardhje pafund për faktin që dalin “duar bosh” përballë Anglisë, por krenari pafund për një ekip që dha më shumë se 100% për të ndalur “Tre Luanët”. Në fund, në “Air Albania” diferencën e bëri një super yll si Harry Kane, “bomberi” i momentit në Evropë, me sulmuesin e Bayern Munich që realizoi një “dopietë”.
Sigurisht në shifrat, ekipi i Tuchel ishte superior pasi kishin kontrollin e lojës me 70% mbajtjen e topit, krijuan 14 raste, goditën 7 herë kuadratin, ku 3 prej tyre ishin raste të pastra, por në fushë nuk të krijohej kjo përshtypje pasi Arbër Hoxha dhe pjesa tjetër e fazës ofensive të Shqipërisë kërcënuan në më shumë se një herë portën e Anglisë. Tentuam 7 herë kuadratin, 3 prej tyre në portë.
Deri në minutën e 74-ët, përpara se Harry Kane të realizonte golin e parë të gjithë besonim se mund të ndalnim për herë të parë në histori Anglinë, por as këtë herë nuk ishte e thënë, nuk arritën t’i prishnim ecurinë perfekte ekipit të Tuchel.
Nga Anglia tek Anglia, Shqipëria e mbyll këtë fushatë kualifikuese me një humbje, por me besimin e madh se në “play-off” mund të bëjmë mirë, mund të besojmë se në mars asgjë nuk është e pamundur pavarësisht rivalëve që do të kemi përballë.
()
