Greer Grammer flet për mungesën e babait: 12 vjet pa kontakt
Aktorja Greer Grammer ka folur për herë të parë kaq hapur rreth marrëdhënies së komplikuar me të atin, aktorin e njohur të Hollywood-it, Kelsey Grammer. Gjatë një interviste në podcast-in “Pretty Basic”, Greer zbuloi se për plot dymbëdhjetë vjet nuk ka pasur asnjë kontakt me të atin, një periudhë që nisi kur ajo ishte vetëm katër vjeçe dhe zgjati deri në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare.
E pyetur nga moderatorja Alisha Marie nëse ekziston ndonjë keqkuptim që njerëzit shpesh kanë për të, Greer u shpreh se mbiemri i saj i njohur i bën njerëzit të besojnë se ajo është rritur në luksin e botës së Hollywood-it. “Njerëzit mendojnë se unë kam pasur gjithë jetën time praninë e babait tim dhe privilegjet që vijnë me këtë. Por e vërteta është krejt ndryshe. Babai im më la kur isha katër vjeç dhe nuk e takova sërish deri në moshën 16 vjeçare,” tregoi ajo.
Aktorja shtoi se gjatë terapisë është përballur me pyetjen se kur e kishte kuptuar për herë të parë mungesën e babait, por nuk arrinte ta kujtonte. Greer zbuloi gjithashtu se e kishte takuar Kelsey-n vetëm një herë kur ishte 11 vjeç, por takimi nuk kishte pasur ndonjë ndikim të madh në jetën e saj të asaj kohe.
Sot, marrëdhënia e tyre është përmirësuar dukshëm. Greer, që është fëmija i vetëm i Kelsey Grammer me Barrie Buckner, tha se së fundmi ata kanë krijuar një raport të mirë dhe se babai i saj ka qenë mbështetës në mënyrë financiare dhe emocionale gjatë viteve të fundit.
