INTERVISTA/“Preferoj Ukrainën në finale, ja përse”, Osmani për shortin: Buzëqeshja e Dukës flet qartë. Kosova? Kanë super ekip (VIDEO)
Shqipëria njohu rivalët në fazën “play-off” të Botërorit, me goglat që e vendosën përballë Polonisë në gjysmëfinale, ndërsa në finale, gjithnjë nëse kalon Poloninë, do të përballet me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi, të dyja këto takime do t’i luajë në transefertë. Tefik Osmani, Drejtori i Departamentit të Skautimit në FSHF, i ftuar në “Sport News”, në një intervistë me moderatoren Trevisa Tufa, analizoi shortin duke theksuar se shanset janë 60 me 40, kjo për vetë faktin se luajmë në transfertë. Në finale, Osmani preferon Ukrainën, duke shpjeguar edhe arsyet përse. Ndërkohë, ish futbollisti i Kombëtares preku edhe tema të tjera, nga rinovimi i Sylvinhos dhe deri te Kosova.
Më thuaj të drejtën, e besoje se mund t’i merrnim 4 pikë Serbisë dhe të mbyllnim fazën kualifikuese në vendin e dytë? Çfarë do veçoje, çfarë të bëri përshtypje?
E mendoja, të them të drejtën. Më ka bërë përshtypje loja që zhvilluam, plot personalitet, në Serbi. Kemi qarkulluar topin dhe kemi pasur qetësi. Kemi treguar se jemi një ekip i madh.
Në play-off, në fazën gjysmëfinale, goglat na vendosën me Poloninë, një rival që e njohim shumë mirë. E kishim edhe në kualifikueset e “Euro2024”. Je i kënaqur me shortin?
Unë jam i kënaqur. Mund të na binte edhe Italia, që do të ishte më e vështirë. Është e mirë kur përplasesh me një kundërshtar që e njeh. E keqja është se nuk kemi ndeshje në shtëpi; fati nuk ishte me ne në këtë aspekt.
Nuk besoj është një sfidë e pamundur, apo një rival që të ngjall frikë. Besoj se i kemi marrë dorën edhe Lewandowskit…
Kudo që e pyet, tani të gjithë thonë që është një ndeshje 50-50. Polonia ndoshta ka një avantazh të lehtë sepse luan në shtëpi. Varet shumë nga forma që do të kemi. Uroj të mos kemi dëmtime e shqetësime të tjera.
Sa e ndihmon Sylvinhon dhe stafi i Kombëtares fakti që kemi luajtur me të në kualifikueset e Evropianit të fundit? Sa na shërbejnë ato dy takime, duke qenë se Sylvinho u shpreh se do të jetë ndryshe dhe kanë ndryshuar të dy ekipet?
Është e vërtetë. Është ndryshe kur luan një finale dhe kur luan një kualifikues, sepse edhe një rezultat negativ mund të rikuperohet. Ndërsa tani është një ndeshje vendimtare, ndaj mendoj se Sylvinho ka të drejtë.
Në lidhje me ndryshimet: në “play-off” na dërgoi mbrojtja, ndryshe nga Evrobërsi që na dërgoi Asani me shokë. Pse ky ndryshim?
Ky është lajmi më i mirë. Kemi pasur probleme dhe dëmtime. Këtë sezon mbrojtja ka treguar stabilitet. Edhe trajnerët e dinë mirë këtë gjë. Finalja ka specifikat e veta.
E di që deri në mars mund të ndryshojnë shumë gjëra. Sa shanse i jep Shqipërisë për të shkuar në finalet e play-off?
Duhet të jemi me këmbë në tokë. Të marrim ndeshjet një e nga një dhe të përgatitemi që të jemi në top formë. Shpresoj për një rezultat pozitiv dhe më pas të mendojmë për finalen. Këto vite kemi qenë në rritje, dhe kjo është gjëja më e mirë që duhet bërë.
Nëse arrijmë në finale, do të luajmë me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi. Fillimisht kë do preferoje?
Të dyja janë skuadra të forta. Me Ukrainën, duke luajtur në fushë neutrale, do të ishte një favor për ne. Kam besim dhe shpresoj të sfidojmë Ukrainën.
Ukraina duket më e lehtë në letër, ndërsa Suedia ka shumë emra të mëdhenj, por Kosova i mori 6 pikë…
Po të flasim për Kosovën, do të ndryshojmë temë. Kosova ka një ekip të shkëlqyer, me shumë lojtarë cilësorë, si Asllani që kërkohet nga shumë skuadra. Zgjedh Ukrainën vetëm për faktorin fushë.
Në këtë pikë, i japim të drejtë Dukës, duket sikur rivalin më të fortë e kemi në gjysmëfinale. Mendon dhe ti kështu?
Presidentit Duka duhet t’i japim të drejtë për gjithçka. Kemi shkuar dy herë në Evropian, dhe nëse shkojmë në Botëror, që është ëndrra e të gjithë shqiptarëve, nuk kemi çfarë kundërshtojmë. Buzëqeshja e tij tregoi qartë se ishte i kënaqur që nuk ishim në grupin e Italisë.
Sa ndikon fakti që të dy ndeshjet do i luajmë në transfertë dhe sa % shanse i jep Shqipërisë për të shkuar në Botëror?
Ne kemi shanset tona. Siç thashë, është 50-50. Shpresoj që në finale të kemi Ukrainën dhe me ta do kemi shanse të barabarta. Në të dyja ndeshjet do të jemi 50-50.
A i duhet ofruar Sylvinhos rinovimi i kontratës para sfidave të marsit?
Jo vetëm te sporti, por në çdo profesion, kur ke rezultate nuk ke çfarë flet; rezultatet flasin. Jo vetëm këtu, por kudo në botë, trajnerët i mbajnë rezultatet.
Jo vetëm Shqipëria, edhe Kosova njohu rivalët në fazën “play-off”, në gjysmëfinale do përballet me Sllovakinë. Sa shanse i jep për të kaluar më tej?
Kosova ka zhvilluar shumë ndeshje të mira. Nuk mendoj se rivalin e ka të lehtë. Duhet të qëndrojë me këmbë në tokë, ashtu si ne. Nuk do të kishte gjë më të bukur se të kishim dy skuadra shqiptare në Botëror.
Shorti ndërlikohet në finale, do përballen me fituesin e çiftit Turqi-Rumani. Por këtë takim do ta luanin në “Fadil Vokrri”. Si mendon?
Favori është që Kosova të luajë finale në shtëpi. Turqia po tregon një nivel shumë të mirë, si në kombëtare, ashtu edhe në klub. Do të jetë e vështirë, por jo e pamundur.
Mes Shqipërisë dhe Kosovës, kush ka më shumë shanse për të shkuar në Botëror?
E rëndësishme është të kemi një skuadër të fortë. Jemi një komb, dhe çdo skuadër do na bënte të lumtur. Përse jo, mund të bëjmë surprizën dhe të dyja përfaqësueset të shkojnë në Botëror me kokë lart.
()
