Sllovenia dhe Irlanda tërhiqen nga Eurovision për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit!
Sllovenia dhe Irlanda janë dy vendet më të fundit që kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në Festivalin e Këngës në Eurovision 2026, pas vendimit të Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) për të lejuar Izraelin në konkurs. Vendimi erdhi pasi një grup transmetuesish, mes tyre RTV Slovenia, Spanja, Mali i Zi, Holanda, Turqia, Algjeria dhe Islanda, kërkuan një votim të fshehtë për pjesëmarrjen e Izraelit – kërkesë që nuk u mor parasysh.
Në Asamblenë e Përgjithshme të mbajtur në Gjenevë, anëtarët e EBU-së nuk votuan drejtpërdrejt për Izraelin, por për skenarin organizativ të konkursit, i cili përfshinte edhe pjesëmarrjen izraelite. Sipas presidentes së Bordit të RTV Slovenia, Natalija Gorščak, vendimi ka sjellë tërheqje të menjëhershme të disa vendeve. “Sllovenia definitivisht nuk do të marrë pjesë. As spanjollët, holandezët dhe irlandezët”, deklaroi ajo për TV Slovenia.
Transmetuesi publik irlandez RTÉ publikoi gjithashtu një deklaratë të fortë, ku argumentoi se pjesëmarrja e Irlandës është “e papranueshme” për shkak të humbjeve masive civile në Gaza dhe krizës humanitare që vazhdon. RTÉ shprehu shqetësim të veçantë për vrasjen e gazetarëve gjatë konfliktit dhe kufizimin e vazhdueshëm të aksesit të mediave ndërkombëtare në territor.
Holanda dhe Spanja kishin njoftuar më herët tërheqjen e tyre, duke e lidhur qartë bojkotin me pjesëmarrjen e Izraelit në Eurovision.
Me rritjen e listës së vendeve bojkotues, Eurovision 2026 përballet me një nga krizat më të mëdha politike në historinë e tij.
