Mon, Dec 8, 2025

Këngëtari shqiptar konfirmon kandidimin për deputet në listën e PDK-së

Këngëtari shqiptar konfirmon kandidimin për deputet në listën e PDK-së
  • PublishedDecember 8, 2025

Këngëtari i njohur dhe njëherësh anëtar i angazhuar prej vitesh në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Genc Prelvukaj, ka zyrtarizuar rikthimin e tij në garën për një vend në Kuvendin e Kosovës. Lajmin e bëri publik përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehu vendosmërinë për të kontribuar edhe më shumë në politikën e vendit.

Në njoftimin e tij, Prelvukaj thekson se ka kaluar 10 vite brenda strukturave të PDK-së, duke ushtruar detyra të ndryshme sipas objektivave partiake dhe shtetërore. Ai shprehet se kjo përvojë e ka forcuar bindjen për të qenë pjesë e procesit politik dhe për të kërkuar mbështetjen e qytetarëve në një mandat të ri të mundshëm.

Kandidatura e tij për zgjedhjet e ardhshme do të jetë me numrin 40 në listën e PDK-së, një pozicion që ai vetë e ka quajtur simbolik për angazhimin e tij të vazhdueshëm. Prevlukaj ka garuar edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në muajin shkurt. Pavarësisht angazhimit aktiv dhe mbështetjes që mori, ai nuk arriti të siguronte mjaftueshëm vota për të fituar një ulëse në Kuvend.

Me zyrtarizimin e kandidaturës, Prelvukaj i bën thirrje votuesve që ta mbështesin në këtë garë të re, duke premtuar se do të vazhdojë të punojë në funksion të interesave publike dhe zhvillimit të vendit.