Reali luan “tenis” me Monaco-n, Vinicius-Mbappe të papërmbajtshëm, Arbeloa: Mbrëmje e madhe, diferencën e bëri…Bernabeu
Në momentin më delikat, ku si rrallë herë, Reali është përfshirë në një krizë të fortë, me në fund tifozët e “Los Blancos” përjetuan një mbrëmje të madhe, shijuan një futboll të bukur ofensivë ku dyshja Vinicius-Mbappe dhuruan spektakël përballë Monaco, dolën me 3 pikë pas suksesit të thellë 6-1.
Vinicius ishte në versionin e tij më të mirë, me brazilianin që ishte i papërmbajtshëm, por perfekt ndaj ish ekipit të tij ishte edhe Mbappe, me “bomberin” francez që realizoi një “dopietë” golash, fillimisht u shërbye nga Valvarde në minutën e 5-të, ndërsa në minutën e 26-të Vinicius e ftoi me portën e boshatisur duke dyfishuar shifrat.
Historia nuk ndryshoi as në fraksionin e dytë, me Vinicius që vijoi duke shërbyer, në minutën e 51-të ftoi Mastantuono-n të realizonte golin e tretë për Realin. Braziliani ishte i papërmbajtshëm ku 4 minuta më vonë detyroi lojtarin e Monaco-s të shënonin në portën e tyre duke kompletuar “pokerin” e golave. Pasi shërbeu për të gjithë, në minutën e 63-ët Vinicius vendosi të godiste vetë duke realizuar një gol shumë të bukur. Jo gjithçka shkoi në mënyrë perfekte në këtë mbrëmje për ekipin e Arbeloa-s pasi një gafë në mbrojtje në minutën e 72-të i dha mundësinë Teze të realizonte golin e nderit. Në fund kishte kohë edhe për një tjetër gol, ku në minutën e 80-të ishte Jude Bellingham që sigloi shifrat në 6-1.
Falë këtij suksesi, Real Madrid ngjitet provizorisht në vendin e dytë me 15 pikë. E shijon pafund këtë fitore trajneri Arbeloa: “Kur Bernabeu është në anën tonë, ne jemi një ekip i shkëlqyer, kemi nevojë që të kemi stadiumin në krah. Jam shumë i lumtur për këtë natë të mrekullueshme. Vinicius ishte i pandalshëm, ai është lojtari më i rrezikshëm kur stadiumi e mbështet. Ne kemi nevojë për Vinicius nëse dëshirojmë të luftojmë për të gjithë trofetë”, u shpreh Arbeloa.
