Thu, Jan 22, 2026

Skandali Beckham nuk është vetëm familjar: Mbiemri është markë dhe e ka në dorë Victoria

Skandali Beckham nuk është vetëm familjar: Mbiemri është markë dhe e ka në dorë Victoria
  • PublishedJanuary 22, 2026

Përplasja publike mes Brooklyn Beckham dhe prindërve të tij nuk duket më thjesht si dramë familjare. Në prapaskenë del një element që e bën gjithçka më të ftohtë, më të ashpër dhe shumë më të rrezikshme për imazhin e tyre: mbiemri “Beckham” nuk është vetëm identitet, është markë tregtare.

Sipas dokumenteve të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar, Victoria Beckham ka marrë në dhjetor 2016 markën tregtare “Brooklyn Beckham”. Kjo markë mbulon kategori të shumta, nga kozmetika dhe produktet pas rrojës, te veshjet, këpucët, veshjet sportive, kapelet, lodrat, madje edhe përmbajtje si programe televizive dhe muzikë. Pra, jo një formalitet i vogël, por një kornizë që prek direkt përdorimin komercial të emrit.

Pika që i vuri flakën konfliktit është mënyra si Brooklyn e përjetoi këtë çështje. Në deklaratën e tij, ai pretendon se prindërit tentuan ta shtynin të firmoste një marrëveshje që do ta bënte të hiqte dorë nga të drejta mbi emrin e tij, me ndikim edhe për bashkëshorten Nicola Peltz dhe fëmijët e tyre në të ardhmen. Ai thotë se presioni u rrit para dasmës dhe se refuzimi i tij e ndryshoi përgjithmonë mënyrën si u trajtua nga familja.

Nga ana tjetër, burime pranë familjes Beckham e kanë quajtur këtë praktikë “standarde” dhe të lidhur me mbrojtjen e emrit të familjes, sidomos kur ka partnerë komercialë dhe marrëveshje biznesi ku “Beckham” si mbiemër ka peshë globale. Sipas kësaj logjike, marka dhe kontratat nuk janë për ta kufizuar Brooklyn-in, por për ta mbrojtur nga palë të treta dhe për të “siguruar” të ardhmen e fëmijëve.

Por ja ku bëhet vërtet bombë: Victoria nuk e ka bërë këtë vetëm për Brooklyn-in. Ajo ka regjistruar marka tregtare edhe për fëmijët e tjerë. Me fjalë të thjeshta, familja Beckham ka vepruar si një korporatë që mbron asetet e saj më të çmuara, emrat. Dhe kur emri bëhet aset, çdo ndjesi familjare rrezikon të kthehet në konflikt interesash.

Sot kjo histori po lexohet në dy mënyra: për disa, Victoria po mbron familjen nga shfrytëzimi dhe nga “grabitja” e emrit; për të tjerë, duket si një përpjekje për kontroll mbi identitetin komercial të fëmijëve, deri në pikën ku mbiemri shndërrohet në pronë.

Si mendoni ju?