FOTO/ Inter “çmonton” Sassuolo-n, “arratiset” në krye, por Chivu nuk feston: Titulli ende larg (VIDEO)
Inter dominon Serie A, hedh një tjetër hap të sigurt në garën për titull, e dërgon në +8 diferencën me Milan. Ekipi i Chivu-t ishte thjesht perfekt përballë Sassuolo-s, triumfoi me rezultatin e thellë 5-0 duke mos e vendosur ndeshjen në asnjë moment në dyshim. Një super Dimarco dhuroi show me anësorin zikaltër që shërbeu në çdo formë, tre asiste brenda 90 minutave.
Fillimisht nga goditja e këndit futi një top të bukur në qendër, aty ku Bisseck me kokë zhbllokoi rezultatin në minutën e 11-të. Në të 28-tën, Dimarco ftoi Thuram, me francezin që me një devijim të saktë dyfishoi shifrat. Historia e këtij takimi nuk ndryshoi as në fraksionin e dytë, ku në minutën e 50-të ishte radha e Martinez, me kapitenin që dërgoi shifrat në 3-0 me një goditje të saktë brenda në zonë. Sërish nga goditja e këndi, Dimarco gjeti në zonë Akanji-n, me zviceranin që me kokë kompletoi “pokerin” e golave. Sassuolo e kishte të vështirë të rikthehej në lojë, madje në minutën e 54-ët mbetën me 10-të lojtarë pas daljes me karton të kuq të Matic. Në fund kishte kohë edhe për një tjetër gol, me Luis Henrique-n që me një predhë të vërtetë sigloi shifrat në 5-0.
Pavarësisht këtij suksesi dhe diferencës prej 8 pikësh me Milan, Chivu nuk feston përpara kohe, në sytë e tij gara për titull mbetet ende e hapur: “A është vendosur 75% e titullit? Për mua titulli është ende në 0%, mungojnë ende 14 ndeshje dhe janë në garë shumë skuadra. Ka ende shumë për të bërë dhe për të treguar”, u shpreh Chivu pas ndeshjes.
“Inter e bën boom. Sassuolo tronditet me 5 gola, arratisja vijon”, shkruan La Gazzetta dello Sport. “Të pakapshëm. Arratiset Inter, +8”, ishte titulli i përzgjedhur nga Corriere dello Sport në faqen e parë.
