Mon, Feb 23, 2026

Fitore “in-extremis”, Liverpool “prek” vendin e 4, Slot kritikon të tijët: Ndeshja më e dobët

Fitore “in-extremis”, Liverpool “prek” vendin e 4, Slot kritikon të tijët: Ndeshja më e dobët
  • PublishedFebruary 23, 2026

Liverpooli mori një fitore shumë të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur 1-0 Nottingham Forest në një sfidë të luftuar deri në sekondat e fundit. “The Reds” panë t’u anulohej një gol në minutën e 89-të, por nuk u dorëzuan dhe gjetën shpërblimin në minutën e 97-të, kur Mac Allister realizoi golin vendimtar, duke përfituar nga një rrëmujë në zone e duke vulosur triumfin, që e çoi skuadrën e drejtuar nga Slot në kuotën e 45 pikëve.

Për vendasit, kjo ishte një mbrëmje zhgënjyese. Vitor Pereira nuk arriti ta nisë me fitore aventurën e tij në Premier League në stolin e “Garibaldi Reds”, duke mos e përsëritur suksesin bindës në Europa League ndaj Fenerbahçes, në ndeshjen që kishte shënuar debutimin e tij absolut me Forest.

Pas përfundimit të takimit, Slot nuk i kurseu kritikat për paraqitjen e skuadrës së tij, sidomos në pjesën e parë. Ai e cilësoi atë si 45-minutëshin më të dobët të sezonit, por vlerësoi reagimin në mbrojtje, duke theksuar se organizimi në zonë dhe menaxhimi i situatave standarde e mbajtën ekipin në lojë. Sipas tij, çelësi i kthesës ishte ndryshimi i mentalitetit në pjesën e dytë, më shumë kujdes me topin dhe energjia e shtuar, në një moment kur kundërshtari mund të ndiente lodhjen e angazhimit të mesjavës. Në fund, këmbëngulja e Liverpoolit u shpërblye me tre pikë me peshë në garën e kampionatit. Liverpool përfitoi edhe nga ndalesa e Chelseat këtë javë, duke barazuar me pikë londinezët në vendin e 4.