Tue, Feb 24, 2026

Tirana për rekord, 4 trajnerë në 3 faza, tani prezanton edhe Shehin

Tirana për rekord, 4 trajnerë në 3 faza, tani prezanton edhe Shehin
  • PublishedFebruary 24, 2026

As i treti nuk rezultoi i vërteti për Tiranën, me klubin bardheblu që vë në jetë një tjetër “divorc”, ndan rrugët edhe me Ardian Nuhiun duke vendosur një rekord absolut, por negativ në futbollin shqiptar dhe jo vetëm. Ende pa u mbyllur faza e tretë, Nuhiu bëhet trajnerit i tretë që largohet nga kryeqyteti. Tre humbje radhazi dhe mbi të gjitha vendi i 9-të në tabelë, rezultuan fatale për të, me ekipin kryeqytetas që doli me një njoftim zyrtar duke bërë publike ndërprerjen e kontratës me konsensus.

Presidenti Halili dhe pjesa e tjetër e stafit drejtues e kishin gati planin B, prej kohësh Orges Shehi qëndronte në pritje, gati për këtë rikthim të tij të dytë në krye të Tiranës, ekip ky fitoi trofe dhe u kthye në trajnerin më jetëgjatë në stol:

“Klubi i Futbollit Tirana njofton rikthimin e Orges Shehit në krye të pankinës bardheblu. Trajneri që na udhëhoqi drejt një titulli kampion dhe trofeve të tjerë kombëtarë rikthehet për të drejtuar skuadrën deri në fund të këtij sezoni, me të njëjtin pasion, ambicie dhe mentalitet fitues”, lexohet ndër të tjera në postimin e klubit bardheblu.

Është e qartë se situata dhe objektivat kanë ndryshuar totalisht që nga koha kur Shehi ishte pjesë e Tiranës. Tani teknikut durrsak nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të shpëtojë Tiranën, të sigurojë mbijetesës, pasi mundësia për të konkurruar për një vend në Final4 është thuajse e pamundur, vendi i katër ndodhet 15 pikë larg. Orges Shehi do të debutojë në krye të Tiranës në klasiken e futbollit shqiptar, me 27 shkurt në transfertë përballë Vllaznisë.