Dybala “ngrin” Romën, vendos kontaktet e para me Boca Juniors
Paulo Dybala pritet të jetë një nga lojtarët më të lakuar në fund të këtij sezoni, në një kohë kur fantazisti argjentinas është futur në vitin që i skadon kontrata. Sigurisht, në radhët e Romës po bëjnë gjithçka këtë periudhë për të gjetur një akord të ri me lojtarin e tyre më të çmuar, kjo edhe për një arsye të fortë, nuk dëshirojnë që në fund të këtij sezoni Dybala të largohet falas.
Drejtuesit e klubit kryeqytetas janë të gatshëm jo vetëm për të rinovuar, por edhe për t’i ofruar një kontratë të re me kushte të reja financiare. Argjentinasi përfiton aktualisht 7 milionë euro neto në sezon, ndërsa me kontratën e re, gjithnjë nëse e pranon, parashikohet një rritje e ndjeshme. Pavarësisht shifrave, Dybala nuk është i bindur plotësisht për të vijuar karrierën e tij në Itali, te Roma, pasi prej kohësh po e tundon ideja për t’u rikthyer në Argjentinë.

Mediat shkojnë edhe më tej teksa flasin se përfaqësues të Dybala-s kanë vendosur kontaktet e para me Boca Juniors për të diskutuar mundësinë për një rikthim të mundshëm në Argjentinë në fund të këtij sezoni.
