Nga Shehi te Shehi, “karuseli” i pankinës së Tiranës
Ndryshimet e shpeshta në stol kanë shoqëruar Tiranën që prej largimit të Orges Shehit më 5 tetor 2023. Në afro dy vite e gjysmë, bardheblutë kanë kaluar nga një trajner te tjetri, në kërkim të stabilitetit dhe rezultateve. Pas mbylljes së ciklit të parë të Shehit, drejtimin e mori Julian Ahmataj, i cili qëndroi nga 5 tetori 2023 deri më 19 shkurt 2024.
Një periudhë tranzitore, që nuk solli kthesën e shumëpritur. Më pas erdhi Erbim Fagu, në krye nga 20 shkurti deri më 23 maj 2024, për t’i lënë vendin një tjetër tekniku Bledi Shkëmbi, i cili drejtoi fillimisht nga 5 qershori deri më 5 nëntor 2024. Në vijim, pankina iu besua Gugash Magani (6 nëntor 2024 – 18 janar 2025), por edhe ky kapitull rezultoi i shkurtër.
Shkëmbi u rikthye sërish në drejtim nga 20 janari deri më 18 qershor 2025, duke shënuar një tjetër rotacion në stol. Vera e vitit 2025 solli emërime të reja. Vangjel Mile (14 korrik – 6 shtator 2025), më pas Roberto Bordin (7 shtator – 31 tetor 2025). Ndërsa nga 1 nëntori 2025 deri më 23 shkurt 2026 skuadra u drejtua nga Ardijan Nuhiju.
Një listë e gjatë emrash në një hark kohor relativisht të shkurtër, që tregon qartë luhatjet dhe mungesën e vazhdimësisë në projektin teknik. Në total, tetë lëvizje në stol brenda pak më shumë se dy sezonesh, një “karusel” që rrallëherë i shërben qetësisë së një skuadre me pretendime. Tashmë, rikthimi i Shehit shihet si përpjekje për të mbyllur këtë cikël paqëndrueshmërie. Nga Shehi te Shehi, një rreth që u mbyll pas 873 ditësh, me shpresën se këtë herë stabiliteti do të zgjasë më shumë se rotacionet e fundit në pankinën bardheblu.
