Vllaznia rezervon FINAL4, e ndjek Elbasani, Tirana del nga “zona e kuqe”
5 javë përpara fundit, Vllaznia është ekipi i parë që siguron matematikisht prezencën në FINAL4. Me 59 pikë, kuqeblutë qëndrojnë të qetë në krye dhe në këto 5 javë do të përpiqen të thellojnë diferencën me ndjekësit për të fituar një bonus të rëndësishëm në garën për titull. Në Shkodër, edhe këtë vit besojnë se ky është sezoni i duhur për të rikthyer më në fund trofeun në shtëpi.

Nuk i ndahet “këmba këmbës” Elbasani, me “tigrat” verdheblu që triumfuan pastër 3-0 përballë Partizanit duke ruajtur vendin e dytë në kuotën e 56 pikëve, 3 më pak se Vllaznia kryesuese. Kjo ishte një humbje shumë e rëndë për ekipin e kuq, me “demat” që e shohin veten jashtë FINAL4. 5 javë përpara fundit, djemtë e Kërnajës lëshojnë terren, me Dinamon që i rrëmben vendin e katërt, por në kuotë të njëjtë pikësh, 44-ët.

Me 54 pikë, në vendin e tretë dhe plotësisht në garë për titull qëndron Egnatia, por kampionët në fuqi ndodhen 5 pikë larg kreut. Për herë të parë pas një kohë shumë të gjatë, Tirana e sheh veten jashtë “zonës së kuqe”, me të bardheblutë që festojnë me të drejtë pas suksesit kundër Egnatias. Aktualisht ekipit kryeqytetas ndodhet në vendin e 7-të në kuotën e 31 pikëve, po aq sa Vora dhe Bylis.
