Wed, Apr 15, 2026

Inter, gati kontrata e re për Chivu-n, La Gazzetta zbulon detajet

Inter, gati kontrata e re për Chivu-n, La Gazzetta zbulon detajet
  • PublishedApril 15, 2026

Në fillim të sezonit dyshimet ishin të mëdha, por Cristian Chivu-t i mjaftoi më pak se një sezon për të fituar Inter. I vetëdijshëm për statusin e tij, një trajner në fillimet e veta, në sezonin e tij të parë në Serie A, Chivu mbajti një profil të ulët mediatik, kjo edhe për faktin se kishte marrë përsipër një ekip të shkatërruar psikologjikisht pasi dështuan në Serie A dhe në finalen e Champions League. Me shumë punë dhe pa shumë zhurmë, Chivu është vetëm një hap larg titullit në Serie A, një fakt që përforcon akoma më shumë statusin e tij në krye të ekipit zikaltër.

La Gazzetta
La Gazzetta

Tani topi i kalon drejtuesve të Inter, me këta të fundit që janë vënë në lëvizje për t’i ofruar teknikun rumun një kontratë të re. La Gazzetta dello Sport shkruan se palët kanë një akord total për një kontratë të re deri në 2028, me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit. Kontrata aktuale përfundon në 2027. Nga 2,5 milionë euro që përfiton aktualisht, me kontratën e re, Chivu do të përfitojë 4-5 milionë euro.

Me këtë lëvizje, drejtuesit e Inter kërkojnë t’i japin më shumë pushtet trajnerit, ta përfshijnë në qendër të projektit edhe në lidhje me merkaton, ku Chivu pritet të ketë një rol përcaktues, shton ndër të tjera La Gazzetta dello Sport. Gjatë verës, kur sapo zbarkoi në Milano, Chivu kërkoi lojtarë si Lookman apo Kone, por asnjë nga dëshirat e tij nuk u plotësua, këtë herë diskutimi do të jetë ndryshe, me Chivu që do të ketë fjalën i pari.