Wed, Apr 22, 2026

Zëri i Amerikës u bë një “dritare drejt botës” në Shqipërinë e izoluar komuniste

Zëri i Amerikës u bë një “dritare drejt botës” në Shqipërinë e izoluar komuniste
  • PublishedApril 18, 2026
Afrim Krasniqi. Foto: BIRN.

Afrim Krasniqi përshkruan ndikimin frymëzues që pati shërbimi në gjuhën shqipe i Zërit të Amerikës në zhvillimet politike që nisën në vitin 1990 dhe çuan në rrëzimin e regjimit komunist autoritar dhe të izoluar.

“Shqipëria dallon nga vendet e tjera ish-komuniste; ndërsa ato e konsiderojnë vitin 1989 si momentin simbolik të ndryshimit, për ne ky është viti 1990”, shprehet ai.

“Kjo nuk lidhet vetëm me kohën, por me natyrën krejt të ndryshme të sistemit. Në Poloni, Çekosllovaki, Gjermaninë Lindore dhe vende të tjera ekzistonin grupe disidente, lidhje komunikimi me Perëndimin dhe forma të organizimit civil apo fetar; në Shqipëri këto ishin të ndaluara me kushtetutë”, thekson Krasniqi.

“Nga viti 1989 deri në 1990, Shqipëria ishte shoqëria dhe shteti më i mbyllur në Evropë… Zëri i Amerikës u bë, deri diku, e vetmja dritare dhe derë që ofronte materiale informuese për Shqipërinë”, kujton ai.

Libri i ri i Krasniqit, VOA dhe Shqipëria, viti 1990 në “Zërin e Amerikës”, është pjesë e një nisme më të gjerë për të studiuar periudhën 1986–1990, një fazë e rëndësishme që shënon fundin e komunizmit në Shqipëri, i cili zgjati rreth 50 vjet, dhe fillimin e tranzicionit politik.

Në libër, Krasniqi përmbledh transkriptet e 375 raportimeve të transmetuara nga VOA gjatë vitit 1990. Ai flet për vështirësinë e mbledhjes së materialit, pasi në atë kohë i vetmi informacion publik shpërndahej nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, ndërsa raportimet e VOA-s përktheheshin dhe u shpërndaheshin vetëm anëtarëve të Byrosë Politike.

Krasniqi shpreh keqardhje se, megjithëse zyrtarët ekspozoheshin ndaj informacionit të ndryshëm nga propaganda e kohës, askush nuk ndërmori veprime për të ndryshuar sistemin.

“E gjithë Byroja Politike kishte informacion për atë që mendonte bota për ne dhe si mund të ndryshonte Shqipëria, gjë që e bën edhe më shqetësuese si ishte e mundur të kishte burime informacioni dhe të mos merreshin vendime në interes të Shqipërisë”, thotë ai.

“Ndërkohë, njerëzit që përkthenin materialet ishin shumë të kontrolluar dhe nuk kishin të drejtë t’ua shpërndanin ato të tjerëve”, shton ai.

Sot, Krasniqi është profesor në Akademinë e Shkencave në Institutin e Historisë dhe drejtor i Institutit për Studime Politike, një OJQ me bazë në Tiranë që fokusohet te demokracia dhe shteti i së drejtës.

Por në atë kohë, ai ishte një nga studentët që nisën protestat e para kundër regjimit në dhjetor 1990. VOA ishte një burim jetik për ta, kujton ai.

“I përkas brezit që dëgjonte VOA-n sepse isha student në atë kohë dhe student i dhjetorit ’90, dhe për ne ishte një burim shumë më i madh frymëzimi sesa kur lexojmë dokumente sot”, thotë ai.

“Një simbol shprese”

Godina e Zërit të Amerikës në Uashington. Foto: Wikipedia.

Në vitin 1990, kishte shumë zhvillime për të cilat Zëri i Amerikës (VOA) raportonte. U shpallën ndryshime kushtetuese për t’i dhënë fund rolit dominues të Partisë së Punës – partisë komuniste në pushtet – dhe u lejua botimi i një gazete opozitare, Rilindja Demokratike, organ i Partisë Demokratike, partia e parë që u lejua të krijohej pas këtyre ndryshimeve.

VOA raportoi gjithashtu për thirrjet për lirimin e të burgosurve politikë, protestat studentore në Tiranë dhe reagimet e klerit shqiptar ndaj mundësisë së re për rihapjen e institucioneve fetare në vend, i cili gjatë komunizmit ishte shpallur zyrtarisht ateist.

Krasniqi kujton një moment veçanërisht frymëzues në tetor 1990, kur shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare kërkoi azil politik në Francë dhe vetëm VOA transmetoi deklaratat e tij dhe të mbështetësve të tij.

Deklarata e Kadaresë për vendimin e tij për të kërkuar azil jashtë vendit thoshte: “Në takimet dhe korrespondencën që pata me Presidentin në pranverën e këtij viti, i paraqita shumë qartë kërkesat e mia për demokratizimin e menjëhershëm, të thellë dhe të plotë të vendit. Megjithatë, premtimet e bëra nuk u mbajtën dhe zhgënjimi im, si ai i shumë shqiptarëve, është i hidhur.”

Një tjetër raportim i VOA-s në tetor 1990 citonte deklaratën e akademikut kosovar Rexhep Qosja mbi azilin e Kadaresë, e cila gjithashtu mbështeste procesin e demokratizimit në Shqipëri.

“VOA u shndërrua në një dritare krejt ndryshe nga regjimi komunist dhe ofronte detaje dhe zhvillime që nuk mund t’i mësonim askund tjetër, duke u bërë, deri diku, një simbol shprese”, thotë Krasniqi.

“Ne përpiqeshim të lexonim mes rreshtave të raportimeve të VOA-s për të kuptuar prirjet dhe atë që mund të ndodhte në Shqipëri. Një rol i tillë për një medium radiofonik është i rrallë në histori – siç ishte Radio Evropa e Lirë, sidomos në vitet 1970–1980 në Evropën Qendrore, dhe VOA në rastin e Shqipërisë.”

Dosjet kryesore ende të mbyllura

Statuja e diktatorit komunist Enver Hoxha duke u rrëzuar në Tiranë, shkurt 1991. Foto kortezi nga Armando Babani.

Krasniqi thekson se ka pasur vështirësi për të siguruar dokumentacion të plotë për të studiuar vitet e fundit të regjimit komunist, kryesisht sepse pjesa më e madhe e arkivave zyrtare të asaj kohe vazhdon të mbetet e mbyllur.

“Edhe sot, periudha e ndryshimeve politike nga 1986 deri në 1990 pothuajse nuk përfshihet në axhendën e institucioneve shtetërore dhe akademike në Shqipëri”, shprehet ai.

Sipas tij, një faktor kyç ishte mungesa e disidentëve të brendshëm.

“Si një vend i vogël, pa një revolucion, por me një zëvendësim elitash, ku për t’u bërë pjesë e elitës kërkohej më shumë besnikëri ndaj shtetit komunist dhe promovim zyrtar sesa meritë individuale, ne nuk patëm figura disidente si Vaclav Havel apo të tjera që të shërbenin si burime informacioni dhe frymëzimi për brezat e rinj”, shpjegon Krasniqi.

“Kishim një grup individësh (politikanësh) që në vitin 1990 iu bashkuan studentëve protestues dhe mbështetën ndryshimet demokratike – por shumica vinin nga e njëjta shkollë, i njëjti formim dhe ishin anëtarë të Partisë së Punës. Të gjithë këta, përfshirë edhe gardën e vjetër të Partisë së Punës, kundërshtojnë hapjen e plotë të dokumenteve të asaj kohe”, shton ai.

I pyetur se çfarë e godet më shumë kur rikthen vëmendjen te viti 1990, Krasniqi thotë se është  “zhgënjimi i tij ndaj elitës intelektuale të kohës”.

“Në tërësi, mungonte një elitë e gatshme për të transformuar Shqipërinë; nuk është çështje partish, por e aftësisë së shoqërisë për t’u reformuar, diçka që ekzistonte në Poloni, Çekosllovaki, Hungari etj.,” shpjegon ai.

“Kishte individë që në dokumentet origjinale të VOA-s të vitit 1990 shfaqeshin si figura frymëzuese, me njohuri mbi demokracinë dhe shtetin e së drejtës – por dëshira e tyre personale ishte përmirësimi i regjimit, jo rrëzimi i tij”, shton ai.

Një tjetër realitet i panjohur për shumicën e shqiptarëve në atë kohë ishte se ekonomia ndodhej në prag kolapsi. “Ai shtet policor, i mbështetur në propagandë, retorikë dhe mekanizma dhune, ishte i kalbur nga brenda”, vijon Krasniqi.

VOA transmetoi në shqip në mënyrë të pandërprerë që nga viti 1951 deri vitin e kaluar. Në prill 2025, një urdhër ekzekutiv i nënshkruar nga Presidenti amerikan Donald Trump e goditi rëndë këtë institucion: rreth 85% e stafit – mbi 1,000 punonjës – u pushuan nga puna dhe shërbimet në afro 50 gjuhë u reduktuan ndjeshëm.

Në mars të këtij viti, një gjykatë në SHBA vendosi se mbyllja faktike e VOA-s ishte e paligjshme dhe kërkoi rikthimin në punë të qindra gazetarëve. Megjithatë, në momentin e publikimit, faqja e Shërbimit Shqip të VOA-s vazhdon të jetë joaktive.

Për Krasniqin, ndikimi më i madh i këtij institucioni u ndje gjatë tranzicionit të Shqipërisë nga sistemi autoritar drejt demokracisë. “Gjatë tranzicionit, VOA mbeti një pikë referimi për shkak të profesionalizmit dhe standardeve etike dhe kontributi i saj në vitet ’90 për Shqipërinë është i jashtëzakonshëm dhe meriton vlerësim maksimal”, thotë ai.

Ai e konsideron mbylljen e saj si një humbje për peizazhin mediatik shqiptar.

“Si autor shqiptar, pata fatin, në rrethana të vështira, të jem ndër të fundit që u intervistova para mbylljes së programit në shqip. Më vjen keq që sot Shqipërisë i mungon një burim i pavarur, ndërkombëtar dhe referues për zhvillimet në vend”, përfundon ai.