Sun, Apr 19, 2026

Nga “peshqesh i Zotit” në “kopil”: poeti dhe pushteti në dy poezi të Ali Asllanit.

Nga “peshqesh i Zotit” në “kopil”: poeti dhe pushteti në dy poezi të Ali Asllanit.
  • PublishedApril 19, 2026
Poeti Ali Asllani

(Vramendje të një 7 prilli.)

Mbretërit e sundimtarët, pushtetarët e politikanët, pavarësisht regjimit apo rendit shoqëror, s’kanë qenë kurrë pa shpurë e shoqërues. Qoftë për arsye praktike të detyrës, qoftë prej faktit se sundimtari a pushtetari kanë në dorë administrimin e të ardhurave shtetërore, çka do të thotë mundësi punësimi a përfitimi, rreth tyre mblidhen individë të çdo profesioni e të çdo lloj karakteri. Sundimtarit klasik gjithmonë i duhen ushtarakë, administratorë, mjekë, klerikë e, në fund, teksa puna që nuk shpallet nuk ka duk, i duhen edhe agjitatorë apo, përndryshe, shkrimtarë e poetë (apo “opinionistë”).

Mirëpo, duke hyrë pak më thellë në realitetin brenda të cilit veprojnë poetët (e oborrit, ose jo), fillon e shfaqet një panoramë më konkrete: arti poetik, apo çfarëdo arti në përgjithësi, nuk artikulohet thjesht si lavd i poetit drejtuar sundimtarit a pushtetarit, por si një veprimtari shtetërore dhe politike brenda një strukture funksionale. Kësisoj, poeti është, afërmendsh, njeri i shkolluar, zotërues i dijeve në nivel më të lartë se mesatarja, është i aftë të instruktojë, të këshillojë, të mbështesë veprimtarinë e pushtetarit dhe, në fund, ta përligjë atë përmes artit. Këto procese janë jo vetëm të pritshme prej poetit-intelektual, por edhe të pranueshme prej pushtetit. Pasi poetët kanë shlyer detyrimet e tyre duke lavdëruar perënditë, atdheun, ligjet, dikur u vjen radha të lavdërojnë sundimtarët. Kjo na shfaqet tek një sërë poetësh të shquar në historinë e letërsisë epike e romantike. Një prej teksteve më të hershme është poema kushtuar Libit-Ishtarit, mbretit të pestë të Dinastisë Isin, i cili vdiq më 1924 para K. Poema është shkruar pas vdekjes së mbretit, e daton diku mes viteve 1870-60 para K. [Stephens, Ferris J. “A Newly Discovered Inscription of Libit-Ishtar.” Journal of the American Oriental Society, vol. 52, no. 2, 1932, pp. 182–85. JSTOR, https://doi.org/10.2307/593174. Accessed 7 Apr. 2026.]. Në të njëjtën formë, ndonëse ca shekuj më vonë, shkruajnë dhe poetët e Aleksandrisë, Kalimaku, Theokriti dhe Apolloni në shek. III para K., të cilët, në një pjesë të veprës së tyre, kënduan në oborrin mbretëror të Aleksandrisë ptolemaike [Kupturas, Athanasios. “Ruler Cult and Alexandrian Poetry. The Cases of Callimachus, Theocritus and Apollonius.” Classical Papers, vol. xii, 2015, https://doi.org/10.21608/ACL.2020.89506.].

Emblematike është marrëdhënia e Perandorit August (63 para K. – 14 pas K.) me poetët e kohës, Horacin, Virgjilin dhe Ovidin. August Oktaviani ishte themelues i Perandorisë Romake, përgjegjës për kthimin e regjimit të pushtetit nga republikë, në perandori. Mirëpo, teksa centralizoi pushtetin, Augusti u kthye dhe në mbështetës të poezisë. Nuk ishte e domosdoshme që poetët të lavdëronin perandorin, porse më e rëndësishme ishte që perandori të shfaqej si personi që krijoi mjedisin e përshtatshëm për lëvrimin e poezisë. Augusti, madje, shfaqet si personi i cili shpëtoi Eneidën e Virgjilit nga zhdukja, kur vetë poeti deshi ta shkatërronte veprën. Po ashtu, ndonëse krijohej ideja se mes poetëve dhe perandorit ekzistonte një lloj rivaliteti, kur poetët e quanin veten “gjeneralë ngadhënjimtarë” dhe kurorëzoheshin prej popullit me kurora dafinash, bash si perandori, kjo nuk provokonte ndjesi negative tek perandori, por të kundërtën: përligjte idenë se sundimtari ishte mendjehapur dhe përkrahës i demokracisë. [Ziogas, Ioannis. “The poet as prince: Author and authority under Augustus.” The Art of Veiled Speech: Self-Censorship from Aristophanes to Hobbes, University of Pennsylvania Press, 2015, pp. 115-136.]

Më tej, autorët e periudhës anglo-saksone dhe të periudhës së mesjetës së vonë dhe Humanizmit Evropian vijojnë traditën, jo vetëm si lavdërues të bëmave të mbretërve të tyre, por dhe duke mburrur këta mbretër që ishin pajtorët e artit të poezisë. Beowulf, poezia e vjetër norse, Regia Carmina kushtuar Robert Anzhusë, apo poezitë dhe poemat e shkruara për sundimtarët e Evropës Perëndimore gjatë periudhës së Iluminizmit janë të tjerë shembuj të marrëdhënies sistemike mes poetit dhe pushtetit. Një shembull të afërt të këtij realiteti madhështues poetik mund ta shohim edhe tek veprat letrare, në përgjithësi, apo poezive, në veçanti, kushtuar Partisë dhe Udhëheqësit Legjendar nga poetët shqiptarë në periudhën mes vitit 1945 dhe fundit të viteve ’80. Po ashtu, këtë lloj krijimtarie që shfaqet si krijimtari folklorike, por është krejt imitim i folkut, e shohim edhe tek këngët me stil folklorik që janë krijuar për politikanë e qeveritarë aktualë në Shqipërinë e pas vitit 1990.

Sigurisht, kjo marrëdhënie nuk është vetëm promovuese, poetët kanë edhe kundërshtitë e tyre, sikundër pushtetari ka projektet dhe tekat e veta. Për Salman Ruzhdie shkrimtari dhe sundimtari janë kundërshtarë të përjetshëm. Ptolemeu VII Evergjeti II përshkruhet më 145 para K. nga bashkëkohësit jo si mirëbërës i shkencës dhe i arteve, por si keqbërës. Ndryshe nga shembulli i të vëllait, i cili kishte mbushur oborrin e pallatit me filologë, filozofë, matematicienë, muzikantë, piktorë, atletë, mjekë, etj., këta të fundit Ptolemeu VII i vrau, i përndoqi, i burgosi dhe i dëboi. Kjo sjellje kriminale apo arrogante nuk ishte, në thelb, ndërprerje e traditës, por reagim i sundimtarit ndaj kritikave që kishin filluar të artikulonin dijetarët dhe poetët kundër mënyrës së paudhë me të cilën po qeveriste sundimtari i ri. Pra, teksa pushteti ndryshoi drejtim, poetët nuk ndryshuan qëndrim, dhe e pësuan. [Weber, Gregor. “The Hellenistic Rulers and their Poets. Silencing Dangerous Critics?” Ancient society, 29.1998-99 (1999), pp. 147-174 https://doi.org/10.11588/propylaeumdok.00003810].

Një nga zërat më të spikatur të poezisë patriotike dhe politike (pas Fan Nolit) në Shqipërinë e shek. XX është Ali Asllani (1884-1966). Asllani pati një veprimtari të ngjeshur patriotike, si mbështetës i idealeve kombëtare dhe aktiv në veprimtaritë për shpalljen e pavarësisë, nëpunës në disa administrata të disa qeverive dhe diplomat. Në letrat e gjysmës së parë të shek. XX njihet si publicist, por më shumë si autor i disa poezive që sulmojnë mprehtë dekadencën, padrejtësinë dhe korrupsionin. Vëllimi Hanko Halla dhe poezia e rreptë “Hakërrim” janë ato që kujtohen së shumti prej tij dhe shumëkush mban mend përmendësh edhe vargje të tyre.

Duke u kthyer tek filli i marrëdhënies së poetit me pushtetin, sjellim këtu dy poezi të Ali Asllanit, në të cilat shfaqen dy qëndrime krejt të ndryshme të autorit. Në vëllimin me poezi të titulluar Mbreti Ynë (shtypshkronja Atdheu, Vlorë, 1935) Asllani boton dy poezi kushtuar Ahmet Zogut, i cili mbante titullin e Mbretit të Shqipërisë në kohën kur qenë shkruar poezitë dhe u shtyp vepra. Më herët këto poezi i pati botuar edhe në shtypin e përditshëm, si në gazetën “Besa” (“Besa”, 1932, viti II, Nr. 435) dhe “Minerva” (“Minerva”, 1934, nr. 23-24). Këto poezi dhe ky vëllim kushtuar monarkut duhen kuptuar brenda kontekstit të kohës. Pas shpalljes së monarkisë në Shqipëri dhe pas kurorëzimit të Ahmet Zogut në fronin e mbretërisë, artikujt publicistikë, poezitë, këngët dhe veprimtaritë e natyrës kulturore kushtuar kësaj ngjarjeje qenë krejt të natyrshme, sikundër e dëften një ekskursion i thjeshtë në periodikun mes viteve 1928-1939. Madje, gjatë javëve pas shpalljes së monarkisë në shtator 1928 e gjithë administrata shtetërore, qendrore dhe lokale, festonte kurorëzimin e mbretit. I njëjti entuziazëm, të njëjtat festime, artikuj publicistikë dhe poezi do të përsëriten edhe më 1938, pas martesës së Mbretit Zog me Princeshën Geraldinë.

Në Poezinë “Mbreti i ynë” të Ali Asllanit përshkruhet një atmosferë festive e natyrës dhe e njerëzve, bashkë me to dhe e poetit, ku përmasa jofrymore dhe frymore kremtojnë kurorëzimin e Ahmet Zogut Mbret të Shqiptarëve. Poezia është shkruar në 6 strofa të pabarabarta që kanë nga 4 deri 8 vargje tetërrokëshe. Përmasës panegjerike nuk i mungon lidhja e rrënjëve të mbretit me Gjergj Kastriotin, me vetë Zotin, me kupën qiellore dhe me diellin. Kurse në poezinë “7 prill 1939” shohim një realitet krejt të kundërt me të parin. Madhështimet e poezisë së parë janë kthyer përmbys në të dytën. Emri i monarkut këtu nuk përmendet, por që në dy vargjet e para aludohet identiteti i tij, si dhe i jepet epiteti anti-panegjeik “kopil”. Poezia është shkruar në 6 strofa që edhe këtu kanë vargje të pabarabarta, nga 4 deri në 8 vargje me numër të çrregullt rrokjesh, ku mbizotëron vargu tetërrokësh.

Tek këto dy poezi, ashtu si në rastin e poetëve të Aleksandrisë nën Ptolemeun VII Evergjetin II, shohim poetin që, në fillim, duke besuar se monarku do t’u shërbejë interesave të vendit, kombit dhe qytetarëve, madhështon figurën e tij, e përmes aktit të shkrimit synon të frymëzojë edhe lexuesit për të vepruar po ashtu. Ndërkaq, sapo monarku thyen premtimet e supozuara dhe prish kontratën me shtetasit, duke braktisur vendin pas pushtimit fashist më 7 prill 1939, poeti reflekton dhe mban qëndrimin e tij parimor, e quan monarkun “tradhëtor” e “pusht”.

Teksa mbretërit, sundimtarët, pushtuesit e qeveritarët vijnë e shkojnë, duket se poetët dhe fjalët e tyre mbeten më gjatë. Për poetin nuk është e pagjasë të ndryshojë qëndrim në varësi të rrethanave. Në reagimet dhe qëndrimet e tij poeti përfaqëson herë sundimtarin, herë të sunduarin, udhëhequr, të dyja herët, prej interesit të përbashkët. Mirëpo, kur sundimtari harron detyrën që ka përpara popullit, të cilit i ka dalë për zot ta qeverisë, ndryshimi i qëndrimit nuk falet.

Një tjetër mbresë interesante që del prej këtyre dy poezive të Ali Asllanit është dhe guximi për të shprehur hapur qëndrimet e tij, në cilindo rast. E jo pa ironi këtu na kujtohet aradha e atyre poetëve (e të tjerëve) që u thurnin e u thurin lavde, poezi e këngë diktatorëve të mëdhenj e të vegjël të viseve arbërore, por që nuk guxuan kurrë të përballen me të shkuarën e tyre publikisht. Veç të tjerave, Ali Asllani mbetet sfidant edhe në këtë aspekt.

Mbreti i ynë

nga Ali Asllani

 

Nuk flë lumi, nuk flë deti,

Po ashtu nuk flë dhe Mbreti,

Për të mir’ të Shqipërisë,

Si një nën’ që të jep sisë,

Si val’ deti plot me shkumë,

Kalon natat’ të pagjumë.

 

Thon se rrjeth nga Kastrioti,

Thon se vjen peshqesh nga Zoti,

Thon se zbriti që nga qielli,

Ka të bëj me rreza dielli,

 

E kërkova dit’ e natë,

Disa shekuj’ shum’ të gjatë,

E kërkova nëpër qiej,

Nëpër yje, nëpër diej,

Po e gjeta midis neshë,

M’a dha Nëna Mbretëreshë.

 

Mbreti i yn’ si dallëndyshe,

– Kujtoj gjyshe e stërgjyshe –

Nëpër fusha, nëpër trepe,

Mblodhi bar e uj’ me sqepe,

Edhe ngrehu një fole,

Një fole që s’bje përdhe,

Një fole, një fron të artë,

Fron e Kombit’ Kryelartë.

 

Pra ajo që ishte ëndër,

Tash ubë një e vërtetë,

Më i miri thelp në zëmër,

Lëshoj lule, lëshoj fletë.

Ky ësht’ Mbreti, Mbreti i ytë,

Mbret’ i yn’ si të dy sytë,

Na e bëri Zoti mbarë,

Që t’i themi ZOG i parë.

 

Shtatuer 1932.

 

 

7 Prill 1939

Ali Asllani

 

Shtatë prill…

Kopilove o kopil,

E u lute u këpute

Njëqind pash në dhe u fute!

 

Natyrisht, një tradhëtor,

Spor e fisit arbëror

E pret hasmin me daulle,

Kur gjen ditën ta bën pulle!

 

Na e gjeti dhe na ra,

Vret Shqiponjën që s’u vra,

Nuk u vra dhe nuk do vritet,

Poshtë-përpjetë me vrull vërtitet!

 

Ja dhe himni që na thuri,

Himn’i zi i një qivuri:

“Eja, eja alala,

Të na rrojë Duçeja,

Duçeja guguçeja,

Le të rroj’ edhe flamuri,

Sa për sy e për bela!”

 

I pabesi ta dij’, pra,

Ndër kasolle me një tra

Që nga Shkodra gjer në Dropull

Rron ai që i thon’ popull!

 

Ajo dor’ që rreh dybekun,

Di ta mbush edhe dyfekun,

Në se ditën çan ugar,

Edhe natën thur litar,

Thur litar e kalit grushtin

Dhe e var nga këmbët pushtin!