Konflikti me Justin Baldoni, Blake Lively kërkon deri në 300 milionë dollarë dëmshpërblim
Aktorja Blake Lively ka paraqitur dokumente të reja në gjykatë, ku pretendon se ka pësuar dëmtim të konsiderueshëm të reputacionit, me një kosto që arrin deri në rreth 40 milionë dollarë. Sipas raportimeve të publikuara nga Daily Mail, Lively po kërkon dëmshpërblim nga Wayfarer Studios, kompania e aktorit dhe producentit Justin Baldoni, si dhe nga It Ends With Us Movie LLC.
Në padinë e saj, shuma totale e kërkuar varion nga 142 milionë deri në afro 300 milionë dollarë, duke e kthyer këtë në një nga përplasjet ligjore më të bujshme në industrinë e argëtimit. Lively argumenton se një fushatë e supozuar PR-je ka ndikuar drejtpërdrejt në perceptimin publik ndaj saj, duke e etiketuar si “mean girl”, “bullizuese” dhe “e pandjeshme”.
Sipas dokumenteve gjyqësore, këto etiketime janë përhapur gjerësisht në internet dhe kanë shkaktuar pasoja të mëdha financiare. Vetëm dëmi reputacional, sipas saj, llogaritet mes 36.5 dhe 40.5 milionë dollarë. Një pjesë e kërkesës për dëmshpërblim, rreth 24.3 milionë dollarë, lidhet me ndikimin e mbi 116 milionë shikimeve të pretenduara të përmbajtjeve shpifëse.
Ndërkohë, zhvillimet në gjykatë kanë sjellë edhe kthesa: gjykatësi ka rrëzuar 10 nga 13 pretendimet e aktores, përfshirë akuzat për ngacmim seksual ndaj Baldonit, të cilat ai i ka mohuar. Megjithatë, disa pika kyçe, përfshirë pretendimet për hakmarrje dhe shkelje kontrate, janë pranuar dhe çështja vijon.
