Sat, Apr 25, 2026

Frenon Real Madrid, i ndal edhe Betis, titulli në La Liga çështje kohe, Arbeloa kapet me arbitrin (VIDEO)

Frenon Real Madrid, i ndal edhe Betis, titulli në La Liga çështje kohe, Arbeloa kapet me arbitrin (VIDEO)
  • PublishedApril 25, 2026

Reali i shërben në “pjatë” titullin Barçës, me madrilenët që ngecin sërish, këtë herë në një “X” 1-1 në transfertë përballë Real Betis. 5 javë përpara fundit të La Liga-s, titulli në Spanjë është kthyer në një ekuacion me vetëm një të panjohur, kur do të shpallet Barcelona matematikisht kampion. Alvaro Arbeloa nuk kishte kursyer asnjë nga titullarët, i vetëdijshëm se këto javë luhet edhe e ardhmja e tij, por Realit i ka humbur shkëlqimi i dikurshëm, tani janë një ekip që nuk ngjallin frikë.

Në minutën e 17-të ishte Vinicius jr që gjeti rrugën e rrjetës, me sulmuesin brazilian që ndoqi mirë aksionin dhe me një goditje të saktë brenda në zonë kaloi Real Madrid në avantazh. Goli shkundi Betis, me ekipin e Pellegrinit që prodhoi raste të shumta për shënim, por portieri Lunin në një mbrëmje të madhe mbajti ekipin në lojë, të paktën deri në minutën e 94-ët. Në frymën e fundit, pas disa përpjekjeve, u desh një katalanas i vërtetë si Hector Bellerin, një lojtari i rritur te të rinjtë e Barçës, që brenda në zonë befasoi Realin duke barazuar shifrat në 1-1, një asist i vërtetë për Hansi Flick në garën për titull.

Reali humbi jo vetëm dy pikët nga ky takim, por edhe Kylian Mbappe, me francezin që doli nga fusha i dëmtuar. Pas ndeshjes, Alvaro Arbeloa u ndal edhe një herë duke bërë moviole, në sytë e tij kjo ishte një tjetër ndeshje e vendosur nga gjyqtari i cili i mohoi një penallti.