Tue, Apr 28, 2026

Amaneti i Gert Kapos dhe një reflektim për diasporën muzikore shqiptare

Amaneti i Gert Kapos dhe një reflektim për diasporën muzikore shqiptare
  • PublishedApril 28, 2026
Gert Kapo

Ka disa albume muzikore që marrin kohë për të shkruar mbi to. I tillë është edhe Amanet i Gert Kapos, publikuar në qershor të vitit 2024 nga Royal Street Records. Iu riktheva dëgjimit të këtij albumi ndërsa Tirana zhurmonte nga Samiti i Diasporës. Në fakt, nuk kisha qëllim të lidhja njërën me tjetrën. Ndodhi që gjërat u bënë bashkë pak si rastësisht. Mirëpo, jo pak herë rastësitë qëllon që të konvergojnë në pika që nxitin reflektim.

Gert Kapo është pianist, kompozitor dhe producent muzikor. Është vendosur në Gjermani prej thuajse 30 vitesh. Aty ka ndërtuar jetën e vet artistike prej periudhës universitare e deri tani. E la Shqipërinë si pianist klasik, por, me kohë, kuptoi se bota klasike kishte nevojë të zgjerohej me përvoja të tjera. Kësisoj horizonti i tij interpretues dhe krijues u hap drejt muzikës jazz, world-music si edhe shumë nëngjinive e idiomave muzikore që gjallojnë brenda tyre. Këtë e bëri pa “tradhëtuar” si të thuash, atë lidhjen fillestare muzikore me tastierën, e cila ripërmasohej përmes tastierash të tjera: të pianos elektrike-mekanike siç është Fender Rhodes (që ai e parapëlqen posaçërisht), apo tipe të ndryshme sintetizatorësh analogë, si janë ata të markës Moog etj.

Debutimi me Amanet vjen pas një përvojë të gjatë me artistë të ndryshëm ndër të cilët do veçoja bashkëpunimin me këngëtaren Eda Zari si producent (bashkë me të) i Toka Incognita, një album fort i dashur për mua për mënyrën si Zari ka lidhur përmes zërit të saj përvojat e këngës shqiptare me botën e jazz-it, “world-music”, duke interpretuar me një band muzikantësh të përveçëm. Po ashtu edhe muzik-dokumentarin Revolución të Mirta-s (Junco Wambrug), artiste kubane që vendos muzikën pop afro-kubane brenda kornizës së një big band-i, për të sjellë një rrëfim mbi njohjen e vetes dhe kërkimin e lirisë personale.

Kësisoj, përvoja e Kapos vjen e maturohet ngadalë, pa rënë pre e atij frenetizmit mbi-prodhues që i imponohet shumë shpesh kreativitetit në shoqërinë në të cilën jetojmë. Ai përshkon itinerare të caktuara artistike, kulturore, jetësore, që bëhen pjesë e botës së tij, deri sa vjen momenti i duhur për t’i shndërruar në tingull, në muzikë, në krijimtari të vetën. Ky do të ishte me pak fjalë kumti i këtij albumi me titullin simbolik Amanet, fjalë me origjinë arabe, e cila në gjuhën shqipe tregon një porosi, një kujtim, diçka të çmuar e plot vlerë që i dorëzohet dikujt për ta mbajtur e për ta ruajtur.

Amaneti i Gert Kapos na rrëfen para së gjithash, itineraret e tij muzikore, që nisin nga vogëlia, kur prindrit – muzikantë dhe pedagogë të mirënjohur pianoje – i vënë duart në instrument. Po te vogëlia nis edhe marrëdhënia e tij me muzikën tradicionale e popullore shqiptare. Këtë lidhje e dëgjojmë qysh në trakun e parë, që mban të njëjtin titull me albumin. Përmes tij Kapo bën një lloj deklarate estetike, për nga e kanë burimin “amanetet”e tij tingullore: Luan në piano melodinë e këngës përmetare “A kan’ ujë ato burime”, e cila i nënshtrohet një loje improvizative të vazhdueshme me ndikime arabe, afrikano-veriore dhe gnawa. Ritmit vallëzues i bashkëvendosen çaste improvizimi, që e vendosin këngën në një sfond pak transhendental, trance, i cili vjen përmes kombinimit të pianos me trumpetën e Miron Rafajlović, ndërsa basi dhe perkusionit mbështetin lojën. Mbi të njëjtat gjurmë është edhe Nëma (traku nr. 2), i cili frymëzohet sërish nga melodia e një kënge popullore: Hapi syt’ e zes’, një nga më të njohurat e Shqipërisë së jugut, e bërë e njohur nga Lindita Theodhori dhe Vasillaq Vangjeli, por edhe më të ri-interpretuarat në versione cover të ndryshme (përfshi edhe tonet rock gegnisht të grupit Jericho). Këtij motivi pianistik i mvishet një arranzhim shumë fluid, me riff-e të kitarës, të cilës i bashkohet kontrabasi, ndërkohë që bateria mban gjatë gjithë kohës një ritëm të thyer, por plot theksime. Instrumentistët japin e marrin me njëri-tjetrin, në një lojë improvizative që ruan fluiditetin dhe këtë lloj gjendjeje si në trance që dëgjuam edhe në numrin paraardhës. Kjo i lidh mjaft bukur numrat njëri me tjetrin. Gjithsesi, Nëma megjithë urdhëroren në titull, vjen më shumë si një dëshirë, ftesë joshjeje sesa si urdhër.

Në trakun nr. 3, “Ali Pasha´s Dilemma”, largohemi nga citimi i melodive specifike dhe shkojmë drejt idiomave melodike, mikrotoneve, ritmikës së thyer, që popullojnë Ballkanin dhe që lidhen me atë që sot njihet edhe si “ekumeni osman” i kulturës ballkanike: kemi ritmin e njohur si cifteteli,  por i trajtuar me mjaft finesë, pas të cilit, tradita e do që të vijë taksimi, improvizimi i bazuar në makam dhe që mua ma lidh fjalën “amanet” me amane ose mané, shprehje që referon këngët apo meloditë e shtruara me avaze. Dhe përgjatë pjesës ndodh pikërisht kjo: çastet improvizative të band-it janë plot energji, risi, por edhe me një lloj meditimi të brendshëm, e të përmbajtur.

Pjesa frymëzohet nga figura e Ali Pashë Tepelenës, një personalitet kompleks i periudhës osmane. Dilema e Ali Pashës është për Gert Kapon një përzierje, si ishte vetë kultura perandorake osmane dhe ajo që la pas në Ballkan. Dëgjojmë një lloj valleje ironike, në kufijtë e djallëzores, nën ritmin e së cilës duket sikur bëhen bashkë gjithë kundërshtitë dhe kompleksiteti i këtij personazhi karizmatik, të pushtetshëm, gjakatar, të butë, në mënyrën e vet dhe, po ashtu, tragjik. Muzikalisht, Shqipëria dhe Ballkani shkrihen këtu brenda një harte tingullore shumë të larmishme, që shkon deri te bota arabo-orientale dhe ajo e Afrikës veriore. Nga të gjithë elementët, do veçoja edhe një motiv që hap e mbyll pjesën dhe që bën bashkë, por pa i përzier, tingullin e një këmbane (që dashur pa dashur na lidh me kontektstin kristian) dhe një zëri njerëzor që, ndonëse i projektuar së largu, të kujton imamin gjatë thirrjeve për lutje në botën islame. Janë si copëza të një peizazhi tingullor vendi, prej të cilit fillon dhe mbaron pjesa në fjalë.

Traku 4, 5 dhe 6 sjellin atmosferë më të përmbajtur e mendimtare: Tek Era det (traku 4) pozicionohemi te një gjendje tjetër. Bazuar në melodinë e parë që Kapo pati shkruar vite më parë, pasi kishte formuar grupin e tij, me një shok basist, këtu dëgjojmë një combo band ku secili prej instrumentistëve (synth-et dhe pianoja e Kapos, kitara e Nenad Gajin-it, basi i Armin Alić, saksofoni i Hayden Chisholm, tromboni i Michael Theissing-Tegeler dhe perkusionet e Rhani Krija-s, japin e marrin si solistë në një kontekst ku improvizimi jazz ka fituar nuanca soul  duke u bazuar në ritmin gnawa.  Traku 5 është një këngë dashurie siriane, Hal asmar ellon, interpretuar nga Ahmed Eid, muzikant nga Palestina, që luan edhe në bas. Titulli mund të përkthehet si “Dy hije të kafesë”. Ngjyra kafe – ngjashmërisht me simbolikën e blusë te blues-it – këtu identifikon gjendjen emocionale të protagonistit, dhimbjen, vajtimin, përmes një melodie melizmatike, e plot nuanca. Traku 6 titullohet “A peasant’s dream” dhe na çon drejt një bote rustike, plot energji dhe vitalitet. Spikat ritmi 12/8 (duke bashkuar dy formulat tipike në muzikën tradicionale shqiptare 5/8 dhe 7/8). Mbi të realizohet një kaleidoskop influencash muzikore, nga muzika jazz te ajo funk, nga idiomat afro-latine, tek bandat e tunxhit që ndërhyjnë vazhdimisht. E gjitha është një valle emocionesh që sillet e sillet, duke i lënë hapësirën e vet të improvizimit secilit prej muzikantëve, për t’u mbyllur, për dëgjuesin më teknik, me një do maxhor, frigjian.

Sidomos te traku 4 dhe 6 merr kuptim shprehja “Gert Kapo me shokë”. Kështu, amaneti muzikor i Gert Kapos me shokë tregon se itineraret e tij nuk janë vetëm muzikore, por edhe njerëzore. Me disa prej këtyre muzikantëve ai ka luajtur gjatë, me të tjerë përkohësisht, por nga një numër në tjetrin shpërfaqet një komunikim shumë i frymëzuar, artistik dhe njerëzor. Është një marrëdhënie e veçantë, krejt unike, që lind dhe bëhet e tillë vetëm përmes muzikës.

Në këtë album nuk mund të mungonte një dedikim i përveçëm për botën e muzikës latine, latin-jazz dhe pop, me të cilin Kapo është shumë i lidhur. Dhe kjo vjen me një numër shumë të veçantë: “Tom’s broken samba”, në ritëm 7/8 (traku 7). Për të është një letër dashurie për muzikën braziliane nga një djalosh Ballkani, por është njëherazi edhe një lloj vajtimi që i kushtohet një djaloshi të ndarë nga jeta gjatë kohës së përgatitjes së albumit.

Dy numrat e fundit sjellin edhe një reflektim pak më të shtresuar muzikor. “Look up” (traku 8) është krijuar në kohën e pandemisë Covid dhe vjen si një lloj proteste ndaj situatës kaotike që shkaktoi pandemia, sidomos ndaj atyre që përpiqeshin të përfitonin nga vuajtja dhe tragjedia e tjetrit. Zërat njerëzorë, tingujt sintetikë të shtrajtuar (distorted) të sintetizatorit dhe sidomos kitara e Epaminondas Ladas e shenjojnë gjithë pjesën.

Traku përmbyllës titullohet “Inner light” dhe ndërtohet mbi komunkimin mes njeriut dhe inteligjencës artificiale, (atë kohë ende në hapa fillestare). Te pjesa ajo vjen e “personalizuar” me zërin e një roboteje femër me emrin e gjetur e provokues: INSPIRIA. Ky dialog i Gert Kapos me INSPIRIAN, kërkon të prekë tema ekzistenciale, por me një qasje ironike, si për të thënë që, në fund të fundit, jeta anon prapë te njerëzorja. Kjo lojë mes virtuales dhe jo-virtuales, mes seriozitetit dhe lehtësisë së ekzistencës, e ndërtuar mbi një chill beat dhe tingujve sintetikë mbyllet befasisht me zërin e një fëmije të vogël që këngëzon: “I’m a Barbie girl”.

Dy vjet më pas, ky dialog i çlirët me INSPIRIAN merr tjetër kuptim, sidomos teksa dëgjoja këngën pllakateske e cila shoqëronte videon e mirëseardhjes të Samitit IV të diasporës. Te ky klip shfaqen përfaqësueses të kulturës nacionale shqiptare, të krijuar/a me inteligjencë artificiale. Me shumë gjasë edhe “kënga” është krijuar me AI dhe prapa këtij “urdhër-krijimi” nuk ngjan të jetë një njeri me dije muzikore qoftë edhe minimale, por thjesht një ekzekutues formal i një urdhri që “përfton” këngë siç përfton edhe figura AI. Kënga, edhe pse u interpretua live gjatë mbrëmjes gala, më riktheu në të shkuarën diktatoriale, te aradha e këngëve tematike, kalke të të njëjtit model, me atë mbylljen me kulminacion, simbol i apogjeut socialist hoxhist. Do ta kuptoja nëse do të ishte ironi, por në fakt serioziteti i situatës, nënkuptonte të kundërtën. Ndërkaq, “Inner light” e Gert Kapos më erdhi si një ftesë për të komentuar absurditetin e situatës.

Për më tepër, Gert Kapo nuk është jashtë kësaj situate. Ai i përket diasporës muzikore shqiptare dhe përmes albumit Amanet na tregon marrëdhënien komplekse që shumë muzikantë të cilët jetojnë prej vitesh jashtë Shqipërisë kanë ditur të ndërtojnë gradualisht e hap pas hapi, si pjesë e një kushti ekzistencial i cili ngërthen biografitë e tyre njerëzore e muzikore. Ky lloj kushti ndikon zgjedhjet stilistike e estetike të muzikantëve; ndikon atë që trashëgojnë nga bota shqiptare, e cila evokohet, trajtohet, transformohet duke hyrë në dialog me kultura të tjera, profile të tjerë artistësh, pa humbur zërin e vetvetes, por gjithmonë si pjesë e një harte diversiteti. Nuk është e lehtë, por ky album është një shembull se si mund të realizohet një aspiratë e tillë. Përkundër, muzika që shoqëroi këtë samit dhe që për rastësi, e ndesha ndërsa dëgjoja e shkruaja për këtë album, më tregoi për të disatën herë se sa e largët dhe e shtrembëruar është mënyra si strukturat politik e kulturbërëse shtetërore kërkojnë ta lidhin këtë diasporë muzikore shqiptare me skenën muzikore të vendit amë. Kjo e fundit m’u shfaq e ngulfatur në ato modelet e folklorizmave ekzaltuese totalitare (megjithë interpretimin në lahutën e regjistruar në UNESCO), apo cover-at formalë të këngëve me temë patriotike si “Dhuratë për ditëlindje/Globi rrotullohet, ndërkohë që zërimi i eventit nuk plotësonte kushtet minimale në cilësi. I bllokuar po ashtu më erdhi edhe një zë premtues si ai i Alis me këngën Nân. Pavarësisht se do të na përfaqësojë në Eurovizion, ai ishte kornizuar në një interpretim thuajse artificial, i rrethuar me një “kor” të rinjsh të cilëve ua pashë figurën, por nuk arrita t’ua dëgjoja zërin.

Amaneti i Gert Kapos po bën jetën e vet koncertale në Gjermani e Europë. Nuk ka ardhur ende në Shqipëri, për çka ndjej keqardhje, por kushdo i interesuar mund ta dëgjojë në platformat streaming online edhe si një porosi që diaspora muzikore shqiptare ka nevojë të hyjë në dialog me skenën muzikore në Shqipëri në forma më dinjitoze, frymëzuese e reflektuese.