“Ky Championsi më i veçantë”, Luis Enrique në “qiellin e 7-të” pas triumfit në Budapest, Arteta i zhgënyer: Ndjej dhimbje, ndërhyrja ndaj Madueke ishte penallti
Pas triumfit dramatik të PSG-së në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Arsenalit, protagonistë të konferencave pas ndeshjes ishin dy trajnerët, Luis Enrique dhe Mikel Arteta, me emocione krejtësisht të kundërta.
Në kampin parisien mbizotëronte festa. Luis Enrique, i cili ngriti trofeun e tretë të Champions League në karrierën e tij si trajner, e cilësoi suksesin si një arritje të veçantë për skuadrën dhe klubin.
“Ky Champions është edhe më i veçantë, sepse para ndeshjes e dinim sa e vështirë do të ishte. Besoj se e kemi merituar gjatë gjithë sezonit, edhe pse finalja ishte shumë e luftuar. Në pushimin e ndeshjes u shpjegova lojtarëve se si duhej të sulmonim kundër një skuadre që mbrohet shumë mirë. Penalltitë? Jemi mësuar me to… “Faleminderit tifozëve, lojtarëve, stafit, Francës dhe Parisit.”
Në krahun tjetër, atmosfera ishte krejt ndryshe. Arsenali e mbylli sezonin europian pa asnjë humbje në kohën e rregullt, por pa mundur të ngrejë trofeun. Mikel Arteta nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes me penallti në Budapest.
“Ndjej dhimbje. Kur je një hap larg fitimit të trofeut më të madh europian dhe humbet me penallti, kjo është e vetmja gjë që mund të ndjesh. Tani duhet ta kalojmë këtë dhimbje dhe ta kthejmë në karburant për të arritur një nivel tjetër.. Penallltia jo e akorduar ndaj Madueke? Nuk e kuptova arsyen pse ai kontakt nuk u vlerësua si faull. Megjithatë dua të përgëzoj PSG-në. Është skuadra më e mirë në botë. Ne nuk donim të luanim në këtë mënyrë, por ata të detyrojnë ta bësh.”.
