Mon, Jun 1, 2026

Kryebashkiakja e PS dhe Kastrati, negociata në Athinë për asfiksimin e protestës për Zvërnecin

Kryebashkiakja e PS dhe Kastrati, negociata në Athinë për asfiksimin e protestës për Zvërnecin
  • PublishedJune 1, 2026
Policia gjatë protestës së banorëve dhe aktivistëve mjedisorë, më 23 majit para gardhit me tela me gjemba të rrethimit në Zvërnec | Foto kortezi PPNEA

Ishte ora 19:35 e mbrëmjes së të mërkurës kur, në një zyrë modeste në Ilion, një lagje periferike në perëndim të Athinës, rreth një tavoline të rrumbullakët u mblodhën kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, dy përfaqësuese të kompanisë Kastrati dhe disa emigrantë nga Zvërneci, të cilët jetojnë prej vitesh në Greqi.

“Kërkuan të mos e bënim protestën,” tha Aleksandër Pula, njëri prej pjesëmarrësve, në një intervistë telefonike nga Athina, ndërsa shtoi se “kjo dukej se ishte arsyeja kryesore e takimit”.

Kompania që po zhvillon resortin, Zvërnec South Adriatic Development, është regjistruar offshore në formën e një trusti në Holandë, ndërsa pronarët përfitues të saj mbeten anonimë.

Media amerikane e ka lidhur projektin me dy vëllezër miliarderë nga Katari dhe me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump. Një investigim i BIRN zbuloi se pas saj qëndrojnë edhe individë të lidhur me kompaninë Kastrati, një prej konglomerateve më të mëdha në Shqipëri, me interesa në energjetikë, transport, sigurime dhe sektorin e ndërtimit.

Toka ku pritet të zhvillohet projekti është prej vitesh objekt konfliktesh gjyqësore të pazgjidhura mes biznesmenit kontrovers, Artur Shehu dhe personave të lidhur me të, nga njëra anë, dhe banorëve të zonës së Zvërnecit, nga ana tjetër, shumica e të cilëve jetojnë në Greqi.

Të shtunën, dhjetëra banorë të Zvërnecit dhe aktivistë mjedisorë u përplasën me rojet private të kantierit të resortit. Dhunimi i njërit prej protestuesve në sy të forcave të rendit, të cilat mbetën pasive, shkaktoi indinjatë në opinionin publik.

Për aktivistët e lirive politike, lobimi i kryebashkiakes socialiste për interesat e kompanive private është një tejkalim i kompetencave, që jo vetëm minon liritë qytetare, por kërcënon drejtpërdrejt demokracinë.

“Përdorimi i mjeteve dhe presionit shtetëror për të shuar reagimin e banorëve në Zvërnec nuk është vetëm kërcënim për demokracinë dhe transparencën, por edhe për procesin integrues të vendit në Europë,” tha Rigels Xhemollari, drejtues ekzekutiv i Qendresa Qytetare.

Kryebashkiakja e Vlorës, Brunilda Mersini, pranoi për BIRN praninë në takim. Mersini këmbënguli se kërkesat për protestën ishin përpjekje e saj për të ruajtur “paqen sociale”.

“Unë përpiqem të shmang konfliktet sociale dhe u kërkova që të informohen përpara se të ushtrojnë të drejtën e protestës”, tha Mersini në një bisedë me BIRN.

Ornela Bego, drejtuese e marrëdhënieve publike pranë Kastrati Group, pohoi gjithashtu praninë në takimin e zhvilluar në Athinë, ndërsa shtoi se kishte shkuar me ftesë të kryebashkiakes Mersini për të sqaruar banorët mbi projektin. Bego mohoi që të kishte lërkuar mospjesmarrjen në protestë.

Kryetarja e bashkisë së Vlorës, Bruna Mersini. Foto: Vladimir Karaj.

Që kur kompania investitore e identifikuar si Zvërnec South Adriatic Development nisi rrethimin e zonës së mbrojtur Pishë Poro-Nartë dhe pjesëve të tjera të Zvërnecit, ambientalistë, aktivistë dhe banorë të zonës organizuan protesta të vogla pranë gardhit që po ngrihej.

Por ndërsa rrethimi u “zbukurua” me tela me gjemba dhe hyrjet drejt plazheve e zonës u bllokuan plotësisht, banorët që jetojnë në emigrim dhe pretendojnë pronësi mbi tokat e përfshira brenda rrethimit nisën të organizojnë një protestë më të madhe.

Plani i tyre ishte të mobilizonin diasporën dhe banorët e zonës në një protestë kundër rrethimit, të planifikuar për më 30 maj. Organizimi nuk ishte i fshehtë. Thirrjet për pjesëmarrje u shpërndanë në rrjetet sociale dhe u mbështetën nga aktivistë mjedisorë, si edhe nga aktivistë politikë që kundërshtojnë projektet e ndërtimit në zonë.

Por pak ditë para nisjes për në Shqipëri, një grup banorësh të Zvërnecit me banim në Athinë u njoftuan se do t’i vizitonte kryebashkiakja e Vlorës. Një prej të pranishmëve i tha BIRN se ishte administratori i njësisë administrative që përfshin Zvërnecin ai që i kontaktoi dhe organizoi takimin.

“Kreu i njësisë administrative na bëri ftesën,” tha Llazi Thanasi, emigrant që ishte larguar nga Shqipëria komuniste në vitin 1989. Një version të ngjashëm të organizimit dhanë edhe Aleksandër Pula dhe persona të tjerë në dijeni të takimit.

Kryebashkiakja Mersini i tha BIRN një version tjetër, duke pretenduar se takimi ishte kërkuar dhe organizuar nga vetë banorët.

“Takimin e kërkuan banorët përmes një punonjësi të administratës së bashkisë dhe më kërkuan të sqaroheshin mbi projektin dhe disa probleme që kanë lindur,” tha Mersini në një bisedë telefonike.

Ajo refuzoi të tregonte se kush e shoqëronte në takim, duke argumentuar se nuk kishte pëlqimin e pjesëmarrësve dhe se zbulimi i identitetit të tyre do të cenonte privatësinë.

Megjithatë, Mersini këmbënguli se udhëtimin e kishte financuar vetë. “Unë jam Brunilda Mersini dhe çdo gjë e bëj në emrin tim,” tha ajo.

“Mos dilni se do të bëhet më keq”

protesta e 23 majit në zvërnec dhe telat me gjemba te rrethimit foto kortezi ppneaprotesta e 23 majit në zvërnec dhe telat me gjemba te rrethimit foto kortezi ppnea
Gjatë protestës në Zvërnec.

Takimi, i cili sipas të pranishmëve zgjati rreth dy orë, nuk u dha përgjigje pyetjeve të banorëve mbi pronat.

Ata thanë se nuk morën asnjë sqarim bindës dhe se pala tjetër ua bëri të qartë që në fillim se toka ishte blerë nga persona me certifikata pronësie, se rrethimi ishte e drejtë e investitorit dhe se pretendimet e banorëve, të mbështetura në Aktet e Marrjes së Tokës në Përdorim (AMTP) të vitit 1991, nuk u morën në konsideratë.

Aleksandër Pula tha se gjatë takimit u kujtoi palëve se një kompani kroate, e cila kishte kryer shpime për naftë në zonë vite më parë, kishte lidhur kontrata me banorët dhe se të dhënat e pronësisë i kishte siguruar nga Bashkia e Vlorës.

“I pyeta si është e mundur që atëherë banorët figuronin si pronarë në dokumentet e bashkisë, ndërsa sot nuk gjenden më,” tha ai. “Për këtë nuk mora përgjigje.”

Për banorët e pranishëm, vizita e zyrtarëve nga Vlora dhe e përfaqësueseve të kompanisë kishte një objektiv të qartë: frenimin e protestës së planifikuar për të shtunën. Pula kujton se gjatë diskutimit u përdor edhe frika si argument bindës.

“Na thanë se mund të vijnë njerëz të tjerë, persona të panjohur që mund ta përdorin protestën dhe të përplasen me policinë,” kujtoi Pula, ndërsa shtoi se mezazhi ishte i qartë: ‘Mos dilni në protestë, se do të bëhen më keq gjërat.”

Sipas Pulës, banorëve iu sugjerua gjithashtu të hiqnin dorë nga përfaqësimi aktual ligjor dhe të kërkonin avokatë të rinj, ose të ndiqnin çështje individuale në vend të padisë kolektive që kanë aktualisht në gjykatë.

“Po, protesta u diskutua. Na u tha se do të ishte më mirë të mos zhvillohej,” kujton edhe Llazi Thanasi.

Por për Thanasin dhe banorët e tjerë të pranishëm, takimi ishte një përpjekje e vonuar për të menaxhuar një situatë që, sipas tyre, kishte dalë tashmë jashtë kontrollit.

“Gjithçka ishte vendosur paraprakisht. Nuk kishte më asgjë për të negociuar,” tha ai.

“Njerëzit janë shumë të revoltuar. Në një kohë kur ne po përpiqeshim të qetësonim situatën, ata vendosën telat me gjemba.”

Ai pranoi se në disa momente debati u acarua aq shumë sa pjesëmarrësit flisnin njëkohësisht dhe biseda humbiste fillin.

Për ironi, ajo që Aleksandër Pula thotë se dëgjoi si paralajmërim gjatë takimit, u materializua të nesërmen në Zvërnec.

Gjatë protestës të së shtunës, një i ri që kishte ardhur nga Athina së bashku me grupin e emigrantëve u tërhoq me forcë brenda rrethimit nga persona të punësuar nga kompania zhvilluese.

Pamjet filmike tregojnë se ai u dhunua nga punonjës të sigurisë private, ndërsa Policia e Shtetit nuk ndërhyri.

Reagimi i fortë në rrjetet sociale pas publikimit të videove nga aktivistët detyroi Policinë e Shtetit të pezullonte drejtuesin e Policisë së Vlorës, i cili kishte lëshuar një deklaratë të pasaktë për ngjarjen. Ndërkohë, punonjësi i sigurisë private, për të cilin fillimisht u njoftua se do të procedohej në gjendje të lirë, u arrestua më pas për heqje të paligjshme të lirisë dhe plagosje të lehtë me dashje.

Mersini tha se dënonte çdo akt dhune ndaj banorëve. Megjithatë, ajo la të kuptohej se ishte e shqetësuar se protesta mund të përdorej për qëllime politike, gjë që sipas saj edhe ndodhi. Sipas Mersinit, takimi u organizua sepse “projekti është shumë i rëndësishëm ekonomikisht për Vlorën”. Ajo këmbënguli se qëllimi i saj ishte të sqaronte banorët mbi projektin.

“Ka disa keqkuptime rreth projektit,” tha Mersini, duke shtuar se disa banorë të fshatit kishin keqinformuar bashkëfshatarët e tyre.

Sipas saj, bashkia është ofruar t’i ndihmojë banorët me dokumentacionin e pronësisë, por deri tani “askush nuk ka qenë në gjendje të paraqesë një AMTP që bie brenda zonës së projektit”.

Shantazh ndaj sundimit të ligjit

Pamje e bregdetit të paprekur në zonën e Zvërnecit (Porta Nova), ku parashikohet të shtrihet resorti luksoz i familjarëve të Donald Trump, një projekt që ka ngjallur debate mjedisore dhe pronësie. Foto: Vladimir Karaj.Pamje e bregdetit të paprekur në zonën e Zvërnecit (Porta Nova), ku parashikohet të shtrihet resorti luksoz i familjarëve të Donald Trump, një projekt që ka ngjallur debate mjedisore dhe pronësie. Foto: Vladimir Karaj.
Pamje e bregdetit të paprekur në zonën e Zvërnecit (Porta Nova), ku parashikohet të shtrihet resorti luksoz i familjarëve të Donald Trump, një projekt që ka ngjallur debate mjedisore dhe pronësie. Foto: Vladimir Karaj.

Ajo që Mersini e përshkruan si një përpjekje për të shmangur “konfliktin social”, për deputetin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, përbën një ndërhyrje të papranueshme në procesin demokratik në favor të interesave private.

“Ndërhyrje të tilla informale nga përfaqësues të pushtetit lokal janë tentativa të qarta për të penguar procesin demokratik dhe sundimin e ligjit,” argumentoi Muçi.

Sipas tij, banorët e Zvërnecit kanë më shumë se një dekadë që ndjekin rrugët ligjore për të mbrojtur pretendimet e tyre mbi pronat dhe tani përballen me forma të reja presioni.

“Kryetarja e bashkisë duhej të kishte shprehur gatishmërinë për të pritur në një takim zyrtar përfaqësuesit e banorëve dhe më pas të dilte me një qëndrim publik,” tha Muçi. “Fakti që zgjedh metoda të tilla shantazhi dhe miklimi dëshmon qartazi nënshtrimin e pushtetarëve lokalë ndaj ujdive që Kryeministri Rama bën paraprakisht me investitorë të dyshimtë.”

Edhe Rigels Xhemollari, drejtues i organizatës Qëndresa Qytetare, e konsideron takimin problematik. Sipas tij, çështja nuk lidhet thjesht me një projekt investimi, por me rolin që duhet të luajë shteti përballë qytetarëve.

“Shteti nuk duhet të përdoret për të shtypur zërat e qytetarëve, por për të garantuar të drejtën e tyre për të protestuar dhe për t’u informuar mbi ndërhyrjet që po kryhen në këtë zonë të mbrojtur,” tha Xhemollari.

Gjergji Nika, i cili kandidoi kundër Mersinit në zgjedhjet e fundit lokale në Vlorë, ironizoi angazhimin e kryebashkiakes në çështjen e Zvërnecit.

“Kaq i madh është interesi i kryetares së bashkisë për pronat e Zvërnecit, sa sot takon tre pronarë këtu dhe një pjesë ka shkuar t’i takojë edhe në Athinë,” tha Nika, duke iu referuar një videoje ku Mersini fliste për mediat pas një takimi me banorë të zonës.

Ai e akuzoi kryebashkiaken se po shfaqte një interes të pazakontë për projektin turistik, ndërsa neglizhonte problemet e përditshme të qytetarëve të Vlorës.

“Ndërkohë, në Vlorë nuk gjen kohë të takojë qytetarët, tregtarët apo bizneset që përballen çdo ditë me problemet e qytetit. Madje nuk merr pjesë as në mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Nuk dëgjon zërin e tyre dhe nuk u përgjigjet shqetësimeve të tyre,” tha ai.

“Kjo diferencë në sjellje flet vetë për interesat që përfaqëson.”

Pavarësisht përpjekjeve për t’i bindur të mos protestonin, emigrantët nga Greqia që morën pjesë në takimin e Athinës udhëtuan drejt Zvërnecit dhe iu bashkuan protestës së 30 majit. Megjithatë, pak prej tyre besonin se diçka do të ndryshonte.

Për Aleksandër Pulën, problemi nuk kufizohet vetëm te projekti turistik apo te konflikti për tokën. Ai thotë se fshati po përballet prej vitesh me mungesë investimesh dhe neglizhencë nga institucionet.

“Problemet tona nuk janë vetëm aty ku po ndërtohet resorti. Edhe vetë fshati është i braktisur. Nuk kemi ujë prej vitesh,” tha ai.

Pas dekadash në emigracion, Pula thotë se kishte ëndërruar që të kthehej në vendlindje. Sot, megjithatë, ai e sheh këtë mundësi me pesimizëm.

“Nuk më bën zemra të kthehem atje, se plagoset,” përfundoi ai.