BSh nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit me Bankën Evropiane të Investimeve, Guvernatori Sejko: Hap i rëndësishëm mes dy institucioneve! Përfitime për qytetarët dhe mjedisin
Banka e Shqipërisë dhe Banka Evropiane e Investimeve, nënshkruan sot marrëveshjen e tyre të bashkëpunimit mes dy insitucioneve financiare.
Marrëveshja u nënshkrua në ambientet e Bankës së Shqipërisë, në ceremoninë e së cilës morën pjesë Guvernatori Sejko, Zv.Presidenti i Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Groot si dhe Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Hubert Perr.
Në fjalën e tij, Guvernatori Gent Sejko tha se ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm mes dy institucioneve.
Sejko u shpreh se BSH ka qenë dhe vazhdon të jetë në krye të përpjekjeve për të integruar financat e gjelbërta dhe për të ndërtuar një sistem financiar që përballon sfidat klimatike dhe mbështet një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
“Strategjia jonë e gjelbër afatmesme e miratuar në 2023 është një reflektim i përkushtimit për arritjen e objektivave tanë në këtë kuadër. Gjatë 2024 kemi marrë disa nisma të rëndësishme që dëshmojnë angazhimin tonë konkret, përfshirë analizën e ekspozimit të sektorit bankar ndaj rreziqeve klimatike, e cila ka ndihmuar në identifikimin e rajoneve dhe sektorëve më të prekur dhe hartimin e udhëzuesit për menaxhimin e rreziqeve klimatike që krijon një kornizë të qartë për bankat që të integrojnë këto rreziqe në sistemin e menaxhimit të rrezikut”, tha Sejko.