EMRI/ Shiste kokainë në dyqanin e tij, arrestohet 28 vjeçari në Shkodër! Sekuestrohet një sasi lëndë narkotike
Një 28-vjeçar në Shkodër është arrestuar pasi akuzohet se shiste lëndë narkotike, të llojit kokainë, në dyqanin e tij.
Në pranga ka rënë shtetasi Hertjon Hasanbelliu, 28 vjeç, të cilit iu gjet kokaina gjatë kontrollit në dyqan.
Policia njofton sei riu e ndante kokainën në doza për shitje. Ndërsa iu sekuestrua edhe një peshore elektronike dhe një celular.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi:
Shkodër/Kontrolle të shtuara për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike.
Mbante fshehur kokainë në dyqan për ta shitur, arrestohet 28-vjeçari. Së bashku me lëndën narkotike, sekuestrohen një peshore elektronike dhe një celular.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar edhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, arrestuan shtetasin Hertjon Hasanbelliu 28 vjeç, banues në Shkodër.
Gjatë kontrollit në dyqanin e tij, në vendin e quajtur Fushë Qelë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde të dyshuar kokainë, që dyshohet se 28-vjeçari e ndante në doza për shitje, një peshore elektronike dhe një celular.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
