Thu, Nov 20, 2025

Leverkusen “gjen shtyllat”, barazim me aromë titulli për Bayern, tekniku i “aspirinave”, Alonso: Zhvilluam ndeshjen më të mirë

Leverkusen “gjen shtyllat”, barazim me aromë titulli për Bayern, tekniku i “aspirinave”,  Alonso: Zhvilluam ndeshjen më të mirë
  • PublishedFebruary 16, 2025

Shumë zhurmë për asgjë. Sfida e shumëpritur mes kampionëve në fuqi të Bayer Leverkusen dhe kryesueseve aktual në Bundesligë, Bayern Munich u mbyll pa gola e pa fitues. Një barazim që padyshim i shkon në favor skuadrës bavareze të Vicent Kompany, që ruan kështu kryesimin me 8 pikë diferencë ndaj “Aspirinave”.

Ndeshja u dominua në tërësi nga vendasit, që sikundër pritej patën më shumë iniciativë se sa Bayern dhe rrezikuan më shumë portën e Neuer. Megjithatë fati ishte me bavarezët, në mesin e pjesës e parë, kur Leverkusen do të godiste dy herë brenda 3 minutash traversën  e portës mike, fillimisht me Frimpong me kokë e më pas me Tellan.

Ofensiva e “aspirinave” nuk do të rreshte as në pjesën e dytë por Neuer dhe fati i thanë jo skuadrës së Xabi Alonsos që humbet kështu mundësinë e artë për të rihapur garën për titull kampion.

Dëshpërmi lexohet lehtë në portretin e spanjollit pas përfundimit të takimit: “Kam një mix ndjesish. Jam i zhgënjyer për rastet e humbura në këtë sfidë, por në anën tjetër nuk mund të mos të jem i lumtur për performancën që zhvilluam sot. Të krijosh kaq shumë e të dominosh në lojë ndaj një skuadre si Bayern, për mua do të thotë vërtet shumë. Kjo ishte ndeshja më e mirë që kemi zhvilluar ndaj Bayern, madje edhe më e mirë se sa ajo e sezonit të shkuar.”

Ndërkohë në krahun tjetër Kompany u justifikua në njëfarë mënyre për lojën jo në lartësinë e duhur të djemve të tij, për shkak të impenjimit në Champions ndaj Celtic:

“Kemi shpenzuar shumë energji këto ditë. Erdhëm nga një transfertë sfilitëse ndaj Celtic në Skoci. Gjithsesi arritëm të mbronim mirë e të merrnim rezultatin që donim. Duhet të jemi gati sërish për ndeshjen e kthimit në Champions.


AlbaniaWeb.net