Sun, Aug 17, 2025

Goli në fund tërbon Flick, Simeone: Kam lojtarë gladiatorë

  • PublishedFebruary 26, 2025

Goli në fund tërbon Flick, Simeone: Kam lojtarë gladiatorë

As tetë gola të shënuar nuk mjaftuan për të përcaktuar një favorit, me Barcelonën dhe Atletico Madrid që lanë pezull kualifikimin për në finalen e Kupës së Mbretit. Barazimi 4 me 4 ishte u bukur për tifozët, por jo për trajnerin Hansi Flick, për më tepër që ekipi i tij shpërdoroi në fund avantazhin e dy golave:

“Është e vështirë të gjesh fjalët e duhura pas një ndeshje të tillë. Jemi më të vërtetë të zhgënjyer me rezultatin, por kjo ishte një ndeshje e mrekullueshme. Jam shumë i mërzitur për golin e katërt që pësuam, nuk bëmë presion, nuk është kjo mënyra jonë se si luajmë futboll. Sigurisht, ky nuk është rezultati më i mirë për ne, por kemi dhe një ndeshje në dispozicion, jam i bindur se ne jemi në gjendje të fitojmë atje”, u shpreh Flick.

Shumë ndryshe e përjetoi këtë super sfidë Diego Simeone, si në pankinë ashtu edhe në konferencë, me trajnerin e Atletico Madrid që vuri theksin te shpirti i ekipit të tij: “Ajo që bie në sy është shpirti i këtij ekipi. Lojtarët e mi janë gladiatorë të vërtetë, kanë një shpirt të jashtëzakonshëm. Kur ndeshja shkoi 4-2 dukej e vështirë për t’u kthyer, por guximi i lojtarëve ishte i pabesueshëm. Festa te goli i katërt? Ishte një shpërthim gëzimi”, u shpreh Simeone.

Spektakli në fushë u vijua më pas në të përditshmet sportive: “Një Atletico me 7 jetë”, shkruan AS. “Çfarë çmendurie, apo futboll monumental”, ishin disa nga titujt e tjerë.

()

 


AlbaniaWeb.net