Fri, May 2, 2025

Miniseriali “Adolesence” dhe atrofizimi i kauzave tona sociale

  • PublishedApril 2, 2025

Miniseriali “Adolesence” dhe atrofizimi i kauzave tona sociale

NGA ÇAPAJEV GJOKUTAJ 

Duke ndjekur një pjesë të diskutimeve për aspektin social të miniserialit “Adolesence” mendja të shkon te cektësia, monotonia dhe varfëria që mbisundon diskutimet tona publike e mediatike sa herë përballemi me krime të tilla. Mbështetur në këto diskutime vështirë të thuash sa të prekur janë adoleshentët e sotëm shqiptarë nga konceptet alla Andrew Tate, që mbushin manosphere-n dhe promovojnë ethshëm maçoizmin, misogjininë, kundërvëniet dhe armiqësitë mbi baza gjinore. Akoma më vështirë e ke të thuash sa ndikon tek adoleshentët rrjeti e sa ndikon realiteti ynë i sotëm i intoksikuar goxha nga maçoizmi e misogjinia e të rriturve, por edhe nga gjuha e urrejtjes dhe konfliktualiteti ekstrem që përcjell politika. Thuhet se para disa muajsh pati një diskutim të gjerë për “TikTok”-un, po vështirë të perceptosh ç’gjurmë la ky diskutim në mendësinë tonë, madje vështirë ta gjesh edhe të dokumentuar në media në trajtë debatesh, sondazhesh, analizash. Shumica e diskutimeve mediatike për “TikTok”-un u zhvilluan në emisione të dorës së dytë, me shikueshmëri të ulët e profesionalizëm edhe më të ulët. Për të mos thënë se edhe kësaj here politika shërbeu për asfiksimin e debatit, duke e thjeshtuar atë në luftë politike mes dy partive kryesore, njëra pro mbylljes dhe tjetra kundër.

Nuk është hera e parë që përzierja e “dinozaurve” të politikës në çështje me interes shoqëror të mprehtë, sjell si pasojë zbehjen e aspektit social dhe mbitheksimin e aspektit politik të konceptuar thjeshtëzueshëm si luftë për pushtet. Përzierja vend e pavend e politikës në kauza sociale, që protestojnë pjesëmarrje aktive të shoqërisë civile, shumicën e herëve nxitet nga fakti që partive politike u mungojnë kauzat e mprehta, që ngjallin interes dhe gjallërojnë aksionin shoqëror. Ashtu pa kauza i sulen çdo shqetësimi e diskutimi të mprehtë social për ta përvetësuar e për t’ia kthyer rrjedhën në mullirin e tyre politik, i cili thuajse gjatë gjithë kohës bluan trashë mesazhin që kutërbon nga myku i propagandës: na votoni ne që të shpëtoni.

/Gazeta Panorama