Ngërçi politik në Kosovë! Zejnaj: Duhet kandidaturë tjetër për kryeparlamentar. “Ngrirja e institucioneve” dëmton vendin
Argjend Zejnaj, politolog nga Kosova, në një intervistë me Skype në News 24 komentoi situatën politikë në shtetin e Kosovës.
Zejnaj tha se LLV nga ana e vet refuzon që të pranojë humbjen. Ai shtoi se opozita është bërë bashkë, më shumë që t’i thotë “Jo” Kurtit, pasi duket se kanë mungesë vizioni për atë sesi do të qeverisnin vendin, nëse vijnë në pushtet. Zejnaj u shpreh se duhet një kandidaturë tjetër për kryetar parlamenti, që vendi të dalë nga ngërçi politik.
“LVV refuzon që të pranojë humbjen. Opozita më shumë është bashkë për t’i thonë ‘Jo’ Kurtit. Opozita ka mungesa të theksuara vizioni për qeverisjen e Kosovës. Osmani po shfaqet si notere e krizës. Duhet të ketë rol më aktiv sesa kaq, të bëjë një tryezë me përfaqësues të të gjitha partive. Ka mungesë kushtetueshmërie për të ndërhyrë. Duhet unitet, partitë duhet të ulen dhe të bisedojnë. Institucionet në Kosovë janë peng i numrave dhe egove. Presidentja duhet të marrë Kushtetutën në dorë, të gjejë një hapësirë ligjore. Nuk besoj se Kushtetuta është kaq e vdekur sa po e nxjerrim ne, nuk është dokument, sa mos japë zgjidhje, sepse është më fluide, është Kushtetutë e mirë. Gjykata Kushtetuese duhet të interpretojë ligjin. Unë besoj se do kemi kandidaturë tjetër, që mund të zhbllokojë këtë ngërç. Besoj se edhe opozita do ketë vështirësi dhe mund të shkohet edhe në zgjedhje sërish në verë. Kosovës i duhet që sa më parë të krijojë institucionet”, tha Zejnaj.
Më tej, Zejnaj vlerësoi se Albin Kurti ka nevojë që të bashkëpunojë me Fatmir Limajn, por e pengon narrativa e tij e përdorur kundër Limajt, duke e cilësuar atë “të korruptuar”.
“Gatishmëria ekziston nga të dyja palët, por Kurti sulmonte Limajn, duke e konsideruar politikan të korruptuar. Këtë Kurti nuk e tejkalon dot. Kurtit i duhen tre votat, por ai po penalizohet nga narracioni i tij moral. Narrativa e tij ka bërë që askush nuk dëshiron që të bashkëpunojë me të. Kurti ka bërë punë në Kosovë, por ka pasur edhe problematike, duke përdorur nacionalizmin. Albin Kurti sillet si gardian i Veriut, por është kryeministër i Kosovës. Ka informacione se Glauk Konjufca po “garend” që t’ju mbushë mendjen disa deputetëve të Kosovës, që të votojnë, ndoshta për të, mund të jetë kandidat për kryetar parlamenti. Ngërçi nuk i intereson Kosovës, pasi në sy të ndërkombëtarëve, kjo nuk është diçka e mirë”, deklaroi ai.