Sat, May 3, 2025

“Ose ne, ose ju!”/ Protesta e Hotolishtit, banorët sjellin me vete një arkivol: Jemi gati të përgjigjemi…

  • PublishedMay 2, 2025

Banorët e fshatit Hotolisht dolën sot në një protestë për të kundërshtuar projektin e zgjerimit të rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas, pjesë e Korridorit VIII, i cili sipas tyre kërcënon të shkatërrojë shtëpitë, tokat dhe jetën e komunitetit.

Në protestë kanë dalë edhe fëmijët dhe gjimnazistët, ndërsa më parë kishte edhe tensione me punonjësit e policisë.

Banorët në një shenjë simbolike kanë sjellë me vete edhe një arkivol ndërsa në pankarta shkruhet: Jemi gati të përgjigjemi! Ose ne, ose ju!

“Institucionet vijojnë të heshtin ,asnjë reflektim dhe asnjë dialog. Jemi të detyruar të shprehim një protestë me simbolin e shtëpisë së fundit për ne, arkivolin. Komuniteti do të reagojë në mënyrën e tij. Ne deklarojmë qartë, kush tenton të prekë Hotolishtin pa një marrëveshje të ndershme me banorët, do të shtyjë situatën në një rrugë pa kthim. Pa dhunë, por me vendosmëri absolute. Ne kërkojmë zgjidhje pa kosto sociale. Duam vendin tonë dhe jemi të gatshëm ta mbrojmë me çdo mjet ligjor. Nesër mund të jetë shumë vonë”, u shpreh një prej banorëve në fjalën e tij.


AlbaniaWeb.net