“Balluku na mashtron, jo sot, jo nesër”, banorët e Hotolishtit në protestë: Presin të marrin zgjedhjet, pastaj na vijnë me shkopa gome e gaz lotsjellës
Banorët e Hotolishtit në Librazhd vijuan sot protestën e tyre kundër shembjes së banesave të tyre me kompensimin e ofruar nga shtetit për një rrugë të projektuar që do të kalojë në zonë.
Një prej banorëve deklaroi se ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, njëherazi zv/kryeministrja Belinda Balluku i ka mashtruar duke u premtuar se do të vijë, por kjo nuk ka ndodhur.
“Do vij sot e do vij nesër, na mashtron ajo. Ne nuk kemi çfarë të humbim më. Do bëjmë cdo bombë rrethanore që mundemi. Nuk kemi rrugë tjetër. Kërko gjithandej, më gjej një rast të tillë në botë, të prishet një fshat i tërë që të kalojë rruga. Cfare është kjo. As Enver Hoxha nuk i ka bërë këto. Cili e bën këtë?! Të sjellin projektin këtu. Asgjë nuk na sjellin që ta shohim. Ku kalon, si bëhet. Fare”, u shpreh një prej protestuesve.
Ai vijoi duke akuzuar se qeveria do të presë “të marrë zgjedhjet” dhe më pas do të ndërmarrë akte më të rënda ndaj largimit të tyre nga banesat.
“Presin të marrin zgjedhjet dhe të hedhin gazin lotsjellës që të na nxjerrin nga shtëpitë. Sa të mbarojnë shtëpitë, do vijnë këta me shkopa gome dhe gaz lotjsellës”, u shpreh ai.