“Të rinjtë duhet të angazhohen për fatet e vendit”, Shpëtim Idrizi: Në 11 maj të ndryshojmë të ardhmen dhe të sjellim shpresën
Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, zhvilloi një takim me studentë dhe të rinj në kodrat e liqenit artificial në Tiranë, ku theksoi rolin kyç të rinisë në përballjen me sfidat e sotme të vendit.
Idrizi u bëri thirrje të rinjve që të mos qëndrojnë pasivë përballë realitetit të vështirë që përfshin shpopullimin, mungesën e prodhimit ekonomik dhe krizën e shpresës.
“Programi ynë përjashton brenda 100 viteve mjerimin dhe varfërinë e skajshme nga Shqipëria,” tha ai, duke shtuar se të rinjtë janë forca progresive që sjellin ndryshimin.
“Të rinjtë gjitmonë sjellin ndryshimin sepse janë forca më progresive. Në këtë rrugëtim 33-vjeçar ku ne mendonim që Shqipëria do ndryshonte ka një gjë që na mundon të gjithëve, jemi në një moment ku sot Shqipëria po shpopullohet, jemi në një moment ku ekonomia jonë është një ekonomi që nuk prodhon.
Kur flasim për patriotizëm modern ne kemi parasysh faktin që një ndër gjërat që duket sikur nuk funksionon dhe sikur ka një mungesë shprese është fakti se ne jemi pasiv. Jemi kritikuesit më të mëdhenj por jemi të gjithë njerëz të pa angazhuar. Pra ne e shohim politikën nga jashtë dhe themi kjo s’bën, ajo s’bën dhe ndërkohë rrimë pasiv. Që një vend të prosperojë ka nevojë për qytetarë të angazhuar që marrin pjesë, ka nevojë për qytetarë që të përfshihen në politikë. Ju keni për detyrë, ju sugjeroj që mos të rrini pasiv, pra bëhuni qytetarë të angazhuar. Një qytetar i angazhuar është ai që kërkon dhe ka të drejtë të kërkojë llogari dhe është ai që përfshihet vetë në të.
Pushtet ka vetëm në shoqëritë autoritariste apo diktatoriale. Ne kemi jetuar në pushtetin e kohës së diktaturës së proletariatit. Sot nuk ka pushtet. Pushtetin e kanë në 11 maj qytetarët, e keni ju dhe politika është shërbim publik në të mirë të qytetarëve. Të gjithë ata që ne i mbajmë me taksat tona dhe shënjojnë jetët tona, janë thjesht shërbëtorë publikë”, u shpreh Idrizi.

Ndërsa deputetja Mesila Doda ju drejtua të rinjve se, në vitet ’90 studentët rrëzuan një regjim dikatatorial sepse kishin ideale dhe donin të ndryshonin vendin. Po sot të rinjtë duhet që të jenë aktivë për të ndryshuar vendin, ashtu siç në protestat e tyre kanë kërkuar çdo të drejtë. Në 11 maj është koha e duhur që të gjithë të rinjtë të bashkohen për të bërë ndryshimin. Ajo i ftoi të rinjtë të votojnë pa hezitim Aleancën për Shqipërinë Madhështore dhe kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizi në listën e hapur, sepse programi i ndryshimit ekonomik, të ardhmes së përbashkët dhe kthimit të shpresës në Shqipëri është vetëm aty.