Tue, May 6, 2025

“Balluku ndërton 1 km rrugë me 26 mln euro, Unaza e Re ka 6 vite që nuk mbaron”, Këlliçi: Kjo histori duhet të marrë fund!

  • PublishedMay 6, 2025

Drejtuesi politik i PD në Tiranë për zgjedhjet e 11 majit, Belind Këlliçi, ka akuzuar ashpër ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, për abuzime të rënda me fondet publike, gjatë një interviste në studion e News24.

Këlliçi tha se projektet rrugore në vend, nën drejtimin e Ballukut, kushtojnë shifra marramendëse deri në 26 milionë euro për kilometër, ndërkohë që sipas tij, për një segment prej vetëm 2.2 kilometrash të Unazës së Re janë dashur 6 vite dhe ende nuk ka përfunduar.

“Sot kemi një ministri infrastrukture me në krye Belinda Ballukun që ndërton me 24-26 milionë euro për km rrugë. Vetëm për zgjerimin e rrugës, nuk mbaron kurrë Unaza e Re që ka 6 vite për 2.2 kilometra. Kjo histori duhet të marrë fund”, deklaroi ai.

Këlliçi shtoi se Partia Demokratike do të heqë tarifën në Rrugën e Kombit brenda muajit të parë të qeverisjes së saj, duke u zotuar se fondet për këtë do të mbulohen nga buxheti i shtetit.

Sipas tij, vetëm nga raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), çdo vit humben deri në 1 miliard euro nga abuzimet, fonde që do të mjaftonin për të realizuar premtimet elektorale të PD.

“Po të mos abuzohet siç ndodh sot, ka para edhe për investime, edhe për pensionistët”, përfundoi Këlliçi.


AlbaniaWeb.net