Tue, May 6, 2025

Kush po i vret dëshmitarët e fundit? / “Në Shënjestër” zbardh pistat e hetimit: Renato Hoxhaj informator i një bande…lidhja me Roan Brahimin e vrarë në Greqi

  • PublishedMay 6, 2025

Vrasja me sfond mafioz që tronditi qytetin e Vlorës më 27 prill, ku mbeti i vdekur 58-vjeçari Renato Hoxhaj, ndryshe nga krimet që tentojnë të jenë të përsosura la gjurmë.

Emisioni “Në Shënjestër” në News24, ka zbardhur pistat e hetimit ku po heton policia, një prej tyre Eris Mehmetaj, i i cili u arrestua dy ditë pas vrasjes në Tiranë.

I riu nga Tropoja, djali i ish-deputetit Xhevdet Mehmetaj, dyshohet se ndihmoi autorët duke siguruar makinën e përdorur në atentat. Edhe pse ai mohon përfshirjen, hetimet tregojnë ndryshe: në telefonin e tij u zbuluan prova që e lidhin me ngjarjen.

Mehmetaj rezulton të ketë pasur kontakte të ngushta me Roan Brahimin, një emër i përfolur për përplasje me Ervis Martinajn dhe i vrarë në maj 2024 në Athinë.

Për më tepër, babai i Brahimit, Gjovalin Prendi, u vra më 17 prill në Lezhë, çka forcon dyshimet për një zinxhir hakmarrjesh.

Sipas hetimeve, Mehmetaj kishte blerë makinën e përdorur në krim në emër të një të moshuare nga Vlora, ndërsa pas saj qëndronte Alesio Dobrozi një emër i shpallur në kërkim për atentatin ndaj Brilant Martinajt.

Dyshohet se pas këtij zinxhiri qëndron një grup i fuqishëm kriminal me bazë në Dubai, aty ku Mehmetaj kishte publikuar foto pak para krimit.

Autori, tashmë i identifikuar si një shtetas rumun me precedentë penalë, priti për rreth 90 minuta në hyrje të pallatit ku banonte Hoxhaj.

Kur viktima doli, ai u qëllua me dy plumba në kokë dhe një në trup, duke humbur jetën menjëherë.

Pamjet filmike e tregojnë autorin të qetë, me maskë dhe kapele , veshje e pazakontë për stinën, por e studiuar për të shmangur identifikimin.

Një nga pistat më të forta që po hetohet është se Renato Hoxhaj mund të ketë qenë informator i një bande të fuqishme në Vlorë. Ai rezulton fqinj me familjen Sinomati, ku më herët u vra Gëzim Sinomati me snajper  një tjetër krim i pazbardhur. Burime policore nuk përjashtojnë mundësinë që Hoxhaj të ketë qenë në dijeni të vrasjeve të mëparshme.

Ekzekutimi i një personi të konsideruar si “i vogël” në hierarkinë kriminale, ngre pikëpyetje serioze: a po pastrohen dëshmitarët me informacione të rrezikshme? A po përdoret frika për të mbyllur gojët, aty ku drejtësia nuk ka arritur?

()

 


AlbaniaWeb.net